Një segment i rrugës nacionale Ferizaj-Prishtinë është ndaluar përkohësisht për qarkullim të automjeteve për shkak të pranisë së madhe të ujit në rrugë, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia ka njoftuar se qarkullimi i automjeteve do të devijohet dhe orientohet përmes autostradës.
“Për shkak të sasisë së madhe të ujit në rrugën nacionale Ferizaj–Prishtinë, konkretisht në segmentin që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, segmenti nga rrethi i “Prishtina Mall” në drejtim të Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i “Marigona” në drejtim të Ferizajt, në koordinim me zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës dhe kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtje të rrugës, është marrë vendim që të bllokohet plotësisht qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor për një kohë të caktuar”, thuhet në njoftim.
Veprimi është ndërmarrë si masë e domosdoshme për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve dhe parandalimin e rrezikut në trafik.
Lumi Mirusha në disa pjesë jashtë shtratit, akse rrugore në Malishevë vështirë të kalueshme
Si pasojë e reshjeve të mëdha gjatë orëve të fundit, në disa rrugë në territorin e Komunës së Malishevës ka vështirësi në qarkullim, mirëpo situata e përgjithshme mbetet e menaxhueshme, ka njoftuar Komuna.
Komuna ka njoftuar se në disa pjesë lumi Mirusha ka dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha të ujërave.
“Në disa pjesë, lumi Mirusha ka dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha të ujërave. Si rezultat i prezencës së ujit në rrugë, aktualisht me vështirësi të kalueshme janë: rruga “Hamdi Berisha” në Malishevë, transiti afër lagjes Hoti, rruga Malishevë-Banjë, rruga Mirushë-Gurbardh, rruga Lubizhdë-Turjakë, ura në Lubizhdë, një urë në një lagje të fshatit Damanek, si dhe rruga për në fshatin Panorc, ku në dy segmente ka prezencë të ujit”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, njoftohet tutje se furnizimi me energji elektrike po realizohet me reduktime në disa pjesë të qytetit, ndërsa furnizimi me ujë është i rregullt, por uji nuk është i përdorshëm për momentin për shkak të ndotjes nga vërshimet e ditëve të kaluara.
“Ekipet përkatëse janë në terren dhe po punojnë për sanimin e këtyre vështirësive”, ka thënë Komuna.
Komuna bëri thirrje që të shfrytëzohen rrugët alternative për lëvizje, të mos tentojnë të përdorin rrugët e lartcekura dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur nga Policia e Kosovës për ndalim të qarkullimit.
Reshjet vështirësojnë qarkullimin edhe në Gjilan, thirrje që të shfrytëzohen rrugë alternative
Komuna e Gjilanit ka lëshuar thirrje për kujdes për qytetarët për shkak të reshjeve që po krijojnë sërish vështirësi në qarkullim.
Në thirrjen e Komunës qytetarëve u kërkohet që përkohësisht të shmangin qarkullimin në rrugën për Kufcë në Malishevë, në rrugën ndërmjet dy Livoqëve, si dhe në magjistralen Gjilan–Ferizaj, në zonën e udhëkryqit të rrugës së Cërnicës.
“Deri në qetësimin e gjendjes, qytetarët luten të shfrytëzojnë rrugë alternative dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Komuna njoftoi se ekipet janë në terren për ta mbikëqyrë situatën.
Disa rrugë të bllokuara për shkak të grumbullimit të ujit, rrëshqitje dheu në autostradën “Ibrahim Rugova”
Si pasojë e reshjeve të shiut dhe borës ditëve të fundit janë shkaktuar vërshime çka kanë çuar edhe në bllokime të rrugëve.
Në rrugën Prishtinë - Ferizaj ka grumbullim të ujit dhe është ndaluar përkohësisht qarkullimi. Sipas Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, grumbullimi i ujit ka ndodhur si pasojë e kyçjeve ilegale në kanalet atmosferike.
“Ekipet tona janë në terren duke punuar në shkarkimin e ujit dhe rruga pritet të hapet për qarkullim brenda ditës”, thuhet në njoftimin e MMPHI.
Ministria ka njoftuar se po ashtu te nënkalimi në Mazgit, në drejtim të autostradës, ka grumbullim të ujit si pasojë e bllokimit të kanalit atmosferik, ku gjithashtu po punohet në zhbllokimin e rrugës.
Ka treguar edhe për gjendjen në rrugë të tjera.
“Po ashtu, në autostradën “Ibrahim Rugova” ka rrëshqitje të dheut. Në këto momente po punohet për sanim sa më të shpejtë, në mënyrë që qarkullimi të zhvillohet normalisht. Në Sllatinë, në rrugën Fushë Kosovë - Gjurgjicë, gjithashtu ka grumbullim të ujit në rrugë. Ekipet tona janë duke ndërhyrë në sanimin emergjent dhe shumë shpejt pritet rikthimi i qarkullimit normal. Në rrugën Zhur–Dragash kemi lëvizje të trupit të rrugës. Është vendosur sinjalizimi përkatës dhe aktualisht qarkullimi zhvillohet në një shirit”, ka njoftuar ajo.
Bllokohen disa rrugë nga vërshimet në Suharekë
Me reshjet që kanë nisur që mbrëmjen e së premtes, kanë nisur sërish vërshime në disa zona.
Në Suharekë është bërë thirrje për kujdes në disa rrugë që janë vërshuar.
Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka treguar se cilat rrugë janë bllokuar.
“Rruga që kalon nga fshati Tërrnje në drejtim të Nëpëbishtit është e bllokuar”, ka thënë ai përmes një videoje në Facebook.
Ndërkohë, mëngjesin e shtunë Policia njoftoi se një segment i rrugës nacionale Ferizaj-Prishtinë është ndaluar përkohësisht për qarkullim të automjeteve për shkak të pranisë së madhe të ujit në rrugë.