Arbëri

Mbyllen 4 ordinanca private pasi ofruan jashtëligjshëm shërbime

Katër institucione private shëndetësore janë mbyllur dhe janë gjobitur nga Inspektorati Shëndetësor javën e shkuar për ofrimin e shërbimeve të ndryshme shëndetësore, pa poseduar licencë për to. Në Inspektorat thanë se në këto ordinanca në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Pejë dhe Ferizaj kanë ofruar në mënyrë të jashtëligjshme konsulta me pacientë, shërbime të laboratorit dentar e të infermierisë, ndërsa në dy prej tyre ekzistonte dyshimi për angazhimin e një mjeku nga Turqia

Shërbime laboratorike dentare, të infermierisë e konsulta për pacientë janë ofruar jashtëligjshëm në katër institucione private shëndetësore, që janë mbyllur një javë më parë nga Ministria e Shëndetësisë.

Në Inspektoratin Shëndetësor thanë se, pas dyshimeve të bazuara dhe inspektimeve të kryera, u identifikua që në këto ordinanca në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Pejë e Ferizaj kanë ofruar shërbime, për të cilat ato nuk ishin të licencuara.

Krahas ndërprerjes së veprimtarisë, Inspektorati u shqiptoi edhe gjoba, porse nuk e specifikoi vlerën e tyre.

“IPSH ‘Jona Dental’ në Pejë është licencuar si ambulancë stomatologjike, por në kuadër të saj ka punuar edhe shërbimi i laboratorit dentar, të cilit i është ndërprerë puna deri në licencim të tij në MSH. Ndërprerja e punës pason edhe me vendim me gjobë për shkak të mosrespektimit të Ligjit për Shëndetësi, në të cilin është shprehur qartë se duhet të jenë të licencuar edhe laboratorët dentarë. IPSH ‘Erind Olloni’ i është ndërprerë puna për shkak se nuk është i licencuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Ky institucion ofronte shërbime të infermierisë”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Shëndetësor.

Në “Jona Dental” thanë për KOHËN se kanë aplikuar për licencë të laboratorit dhe se janë në pritje të procedurave.

“Ne kemi licencë valide në ordinancë stomatologjike. Po, kemi aplikuar për licencë të laboratorit. Vendimi i Inspektorëve nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë ishte i drejtë, ku na ka dhënë një masë administrative dhe na ka rekomanduar të mos punojmë në laborator deri në licencim, ku tani edhe jemi në procedurë licencimi”, ka thënë Alban Haxhiajdini nga “Jona Dental”.

KOHA provoi të kontaktojë edhe me përfaqësues të “Erind Olloni”, në numrat e telefonit që figurojnë në listën e Agjencisë së Regjistrimit të bizneseve, porse nuk kanë ofruar përgjigje.

Për dy ordinancat e tjera, në Inspektorat thanë se ekzistonte edhe dyshimi për ofrimin e shërbimeve nga një mjek i huaj.

“IPSH ‘Ciar Global’ i është ndërprerë puna, pasi është i palicencuar në MSH. Për këtë institucion ekzistonin dyshimet se aty vjen një mjek turk për të punuar. Institucioni është mbyllur dhe të njëjtit i shqiptohet vendimi me gjobë. IPSH ‘A.C.I.’ i është ndërprerë puna për arsye se nuk posedonte licencë të Ministrisë së Shëndetësisë. Po ashtu, në këtë institucion kishte dyshime se vjen një mjek turk për konsulta me pacientë. Këtij institucioni do t’i shqiptohet vendimi me gjobë”, thuhet tutje në njoftimin e Inspektoratit Shëndetësor.

Si përfaqësues të “Ciar Global” në ARBK figurojnë dy shtetas turq, por numri i tyre i kontaktit ishte i paqasshëm. E ACI-ja nuk figuron si e regjistruar në ARBK.

Më 22 gusht, një grua pati vdekur pas trajtimit të një problemi dentar në një klinikë në Malishevë, të licencuar vetëm për shërbime gjinekologjike. Lidhur me rastin, në Inspektorat patën pranuar se klinika nuk ishte inspektuar asnjëherë. KOHA raportoi se aty, përveç atyre stomatologjike, janë ofruar jashtëligjshëm shumica e shërbimeve shëndetësore.