Arbëri

Mbrojtësi i Veselit: S’ka asnjë provë kundër tij, jemi në duart e thashethemeve

Kadri Veseli - Speciale

Mbrojtja e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli ka nisur fjalën përmbyllëse, pas mbrojtjes së Thaçit. Avokati i tij, Rodney Dixon, ka thënë se prej kur Dhomat e Specializuara nisën hetimet, gjurmuan “diçka që nuk ekziston”. Ai ka theksuar se rasti ndaj Veselit është unik sepse “nuk ka asnjë provë e jo më të ketë bërë ndonjë vepër penale”. 

Dixon ka theksuar se dëshmitë që ka ofruar ZPS-ja janë dëshmi të pavërtetuara. 

“Çështja e Prokurorisë kundër Veselit mund të përshkruhet si një përpjekje për të gjetur njëbrirëshin. Për më shumë se pesë vjet që kur u ngrit aktakuza, e madje edhe më parë, që në 2015 ku u krijuan Dhomat e Specializuara dhe filluan hetimet, ZPS-ja ka gjurmuar diçka që nuk ekziston, janë munduar që të gjejnë prova për përfshirjen e Kadri Veselit në veprimtari penale”, ka theksuar ai.

Dixon shtoi se Veseli ishte student kur iu bashkua UÇK-së dhe ishte anëtar i përkushtuar i saj. Ai ka insistuar në argumentin se ZPS nuk ka asnjë provë kundër Veselit dhe asnjë dëshmitar nuk e ka përmendur atë, madje se nuk e kanë njohur Veselin.

“Provat tregojnë se ai ka punuar në UÇK që të parandalonte civilët e Kosovës të ndëshkoheshin, të shënjestroheshin. Këtë e ka bërë me komunitetin diplomatik, në fushën e zbulimit”, tha Dixon, transmetoi REL. 

Ai po ashtu argumentoi se për periudha të gjata, që mbulohen në aktakuzë, Veseli nuk gjendej në Kosovë.

Dixon ka shtuar tutje se me pretendimet e ZPS-së “kemi ngrelur në duart e thashethemeve”. Ai tha se emri i Veselit përmendet 260 herë në dosjen e Prokurorisë, por në asnjë rast emri nuk i përmendet në një kontekst që ka element kriminal.

“Pretendimet e drejtpërdrejta [për përfshirje në krime të Veselit] janë bazuar tërësisht në prova dytësore, shpesh dhe janë hequr. ZPS nuk ka gjetur asnjë dëshmitar që të vijnë në gjykatë dhe të thotë se Veseli ka kryer krime. S’mund ta bënin sepse nuk ekziston”, tha ai.