Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka njoftuar se të martën mbrëma ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Shtabit Emergjent pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e vazhdueshme të shiut.
“Shtabi Emergjent. I gjithë mekanizmi shtetëror, si në nivel lokal ashtu edhe qendror, janë në gjendje gatishmërie bashkë me ekipe vullnetare për intervenim të menjëhershëm nga vërshimet në Komunën e Mitrovicës. Duke marrë në konsideratë motin e përkeqësuar nga reshjet e vazhdueshme të shiut dhe rrezikun nga vërshimet e mundshme në rajonin e Mitrovicës, sonte në ora 21:00 thirra mbledhje të jashtëzakonshme të gjithë akterët kompetentë në zinxhirin e sigurisë dhe intervenimit emergjent. Në këtë mbledhje u diskutua në lidhje me koordinimin në mes institucioneve, vlerësimin e gjendjes së tanishme në terren, si dhe masat që duhet të ndërmerren. Si kryetar i Komunës, jam i gatshëm që të vë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme në menaxhim të kësaj situate”, ka njoftuar Peci nëpërmjet një postimi në Facebook.
“KosovaPress” ka raportuar se në fshatin Koshtovë ka pasur situatë më të rënduar me vërshime dhe se në vendin e ngjarjes janë FSK-ja, njësitet e zjarrfikësve ndër të tjera.