Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë të mërkurën mbledhje në ambientet e zyrave të tij.
Siç është bërë e ditur nga ky institucion, në rend dite janë parashikuar një sërë çështjesh që lidhen me përgatitjet për Zgjedhjet Lokale 2025 si dhe me funksionimin e brendshëm të institucionit.
Ndër pikat kryesore të mbledhjes është rekomandimi për formimin e një komisioni të posaçëm për shqyrtimin e kundërshtimeve për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025. Po ashtu, pritet të shqyrtohen dhe miratohen disa procedura standarde që kanë të bëjnë me veprimtarinë zgjedhore dhe regjistrimin e subjekteve politike.
Në mbledhje do të trajtohen edhe çështje buxhetore, përfshirë rishikimin e buxhetit të KQZ-së për vitin 2025 dhe raporti i komisionit për tjetërsimin e pasurisë jofinanciare në kuadër të zgjedhjeve.
Gjithashtu, do të ketë raportime nga këshillat për Informim Publik dhe për Personel, ndërsa një pjesë e mbledhjes i është rezervuar diskutimeve të ndryshme.
Ditë më parë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, është detyruar që në mungesë të buxhetit të mjaftueshëm të vendosë prioritetet që duhet të realizohen me mjetet që janë në dispozicion.
Në një email-i që e ka parë KOHA, Buzhala njofton kryetarin e anëtarët e KQZ-së për rrezikun me të cilin mund të përballen gjatë procesit zgjedhor të 12 tetorit.
