Arbëri

Mbi tre muaj qytetarët e Shtimes pa shërbime të “Rëntgenit” në QKMF

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe Drejtoria Komunale e Shëndetësisë në Shtime prej më shumë se tre muaj kanë dështuar ta rregullojnë një defekt teknik në aparaturën e “Rëntgenit”.

Për shërbime të tilla, kërkesat e qytetarëve janë të mëdha gjatë ditës.

Në mungesë të tij ata po obligohen t’i kryejnë nëpër ordinanca private dhe në shumicën e rasteve nëpër qytete të tjera.

“Ka kohë që këtu në Shtime, Rëntgeni nuk po punon, prandaj shumë qytetar të cilët kanë nevojë vijnë dhe kthehen prapë. Disi e pyesin vetveten a thua çfarë po ndodh. Me siguri organet kompetente duhet ta kenë parasysh këtë dhe së shpejti t’ua mundësojnë qytetarëve tanë të kryejnë këtë shërbim sepse është i domosdoshëm. Prandaj nga ky vend këtu bëjmë apel që sa më parë qytetarët shtimjan t’i kryejnë shërbimet e rëntgenit”, ka thënë Veli Beha, qytetar i Shtimes.

“Erdha ta bëj një rëntgen këtu, por nuk po punonte, po ashtu edhe do analiza me duhet t’i bëj sepse jam i sëmurë nga zemra. Kam dëshirë të më ndihmojnë, jam nga fshati Carralevë, andaj kërkesa ime është që t’ia plotësojnë pacientëve dëshirën që të punon rëntgeni, pastaj edhe në barnatore të gjenden barnat”, ka thënë Nezir Rexhepi, banor nga fshati Carraleve.

Drejtoresha e QKMF-së në Shtime, Pranvera Bajrami, ka thënë prishja ka ndodhur nga mesi i muajit dhjetor.

Ajo ka shtuar se janë angazhuar në rregullimin e tij, duke shtuar se presin që kjo gjë të rregullohet gjatë javës.

“Sapo të rregullohet ky defekt qytetarët e Shtimes do të njoftohen dhe do të fillojnë me marrjen e këtij shërbimi”, ka thënë Bajrami.