Arbëri

Mbi një muaj QKMF-ja në Lipjan përballet me mungesë të insulinës

Pacientët që vuajnë nga diabeti në Lipjan po ankohen se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare nuk ka arritur të siguroi insulinë prej disa javësh, megjithëse furnizimi i insulinës dhe medikamenteve të tjera bëhet nga niveli qendror. Kjo çështje ka nxitur reagimet e pacientëve por edhe të vetë zyrtarëve komunal të cilët kanë kërkuar nga niveli qendror që lista me barna esenciale të përmbushet në përpikëri dhe me kohë të caktuar.

Pacienti A.Sh nga Lipjani, i cili është i njohur për redaksinë, ka thënë se prej më shumë se një muaj QKMF-ja në Lipjan nuk ia ka siguruar insulinën.

“Prej më shumë se një muaj në QKMF nuk ka insulinë, andaj kjo është shumë shqetësuese sepse po duhet ta paguajmë me paratë tona e që ka kosto të lartë. Në fillim të muajit të kaluar e kam marrë vetëm një insulinë e cila nuk mjafton as për një javë, prandaj kërkojmë nga institucionet përkatëse që ta furnizojnë QKMF-n me insulinë”, ka thënë ai, duke kërkuar edhe nga komuna që të krijojnë një fond të veçantë për furnizim të insulinës.

Në anën tjetër Shkëlzen Hajdini, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Lipjan ka thënë barnat e listës esenciale që furnizohen nga niveli qendror shpeshherë po vonohen.

“Sa herë që ka barna në depot e nivelit qendror ato vinë edhe në Lipjan por ato po vonohen. Ky problem është në gjithë vendin, prandaj është mirë që ato të vinë me rregull por nuk varet prej neve si komunë”, ka thënë shkurt Hajdini.