Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale lidhur me dyshimet për shpëlarje të parave, shmangie nga tatimi dhe mosraportim të pasurisë.
Berishaj ishte intervistuar për të njëjtat vepra penale edhe në mars të këtij viti.
“Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale ‘Shpëlarje e parave’, ‘Shmangie nga Tatimi’ dhe ‘Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’”, ka njoftuar Prokuroria.
Përfaqësuesi ligjor i tij, Tomë Gashi, ka thënë se Berishaj ka dhënë deklaratë sqaruese.
“Për t’i ndihmuar Prokurorisë Speciale të Kosovës, sot z. Martin Berishaj ka dhënë deklaratë sqaruese me të cilën ne besojmë që i ka ndihmuar Prokurorisë për të eliminuar çdo dyshim për aferën e ndërtuar nga gazetari serb i afërm me shërbimin sekret të Serbisë me qëllim të dëmtimit të reputacionit të profesorit Martin Berishaj...”, ka shkruar Gashi në Facebook.