Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Maqedonci: FSK-ja e fokusuar në mbrojtjen ajrore dhe helikopterët

maqedonci

Top of Form

Bottom of Form

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdon modernizimin e kapaciteteve ushtarake, me fokus në forcimin e mbrojtjes ajrore dhe sigurimin e helikopterëve, ndërsa pranoi se pagesa e orëve shtesë për ushtarët mbetet një çështje ende e pazgjidhur.

Ai bëri të ditur se FSK-ja po realizon një pjesë të investimeve me kapacitetet e veta, duke përmendur ndërtimin e rrugëve në poligonin taktik në Babaj të Bokës nga njësitë inxhinierike të ushtrisë, me qëllim të uljes së kostove dhe orientimit të mjeteve financiare në projekte të tjera.

Sipas Maqedoncit, prioritetet aktuale të Ministrisë së Mbrojtjes janë ndërtimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe kompletimi i kapaciteteve të mbështetjes ajrore me helikopterë.

Edhe Maqedonci: Përkrahja amerikane mbetet vendimtare për Kosovën Arbëri 1 muaj më parë Maqedonci: Përkrahja amerikane mbetet vendimtare për Kosovën

Ai tha se FSK-ja tashmë ka në përdorim sisteme të ndryshme të dronëve, përfshirë Bayraktar, SkyDagger dhe Puma, duke shtuar se shumica e objektivave të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit janë përmbushur, ndonëse disa projekte janë vonuar, ndërsa të tjera janë realizuar edhe para afatit.

Duke folur për kushtet e ushtarëve, Maqedonci tha se gjatë mandatit të tij janë zgjidhur një sërë çështjesh të trashëguara, si organizimi i transportit të pjesëtarëve të FSK-së, përgatitja e ushqimit me kapacitetet e veta, furnizimi me uniforma, çizme dhe pajisje individuale.

Ai theksoi se FSK-ja jo vetëm që tashmë përgatit ushqimin për nevojat e veta, por gjatë një stërvitjeje në Kroaci ka ofruar edhe mbështetje ushqimore për trupat partnere.

Sa i përket kompensimit të orëve shtesë, ministri në detyrë sqaroi se ushtarët kompensohen në dy forma: përmes ditëve të lira ose me pagesë shtesë. Sipas tij, ditët e lira nuk mjaftojnë për të mbuluar angazhimet e shumta, ndërsa pagesat financiare kufizohen nga legjislacioni, i cili lejon që vetëm 1% e buxhetit të përdoret për këtë qëllim.

Maqedonci tha se Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar mbështetje shtesë buxhetore nga Ministria e Financave dhe se institucionet janë në koordinim për të gjetur një zgjidhje për kompensimin e orëve shtesë të ushtarëve.

Edhe Maqedonci: FSK-ja do të kryejë operacione speciale në Gazë Arbëri 2 muaj më parë Maqedonci: FSK-ja do të kryejë operacione speciale në Gazë

Ai shtoi se, krahas kësaj sfide, gjatë viteve të fundit janë ndërmarrë masa për rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës së pjesëtarëve të FSK-së, duke shprehur besimin se edhe çështja e orëve shtesë do të marrë zgjidhje.

“Një ndër çështjet që duhet të punojmë për të zgjidhur është çështja e pagesës së orëve shtesë. Unë duhet të theksoj për opinionin publik që janë dy mënyra se si ne kompensojmë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që punojnë jashtë orarit. Është mënyra e parë që e aplikojmë përmes ditëve të lira, pra pjesëtari që shërben, që punon pas orarit merr ditët e lira, dhe në mënyrën tjetër me kompensim financiar. Ne në përgjithësi, pra për çdo pjesëtar e kemi shpenzuar këtë pjesën e ditëve të lira, pra ne u japim ditë të lira. Normalisht që për shkak të aktiviteteve të shumta nuk mjafton që vetëm me ditë të lira të kompensojmë punën shtesë të ushtarëve, pra mbesin ditë që duhet të paguhen me mund të themi me para, pra me pagesë shtesë. Dhe ne kemi adresuar kërkesat e nevojshme te Ministria e Financave për të marrë buxhet shtesë sepse dihet që është një kufizim në nivel qeveritar përmes një ligji që lejon vetëm 1% të buxhetit të shpenzohet për këto çështje, pra për pagesat shtesë. Prandaj ne detyrohemi që të kërkojmë mjetë shtesë, pra nga qeveria, nga Ministria e Financave në mënyrë që të mbulojmë këtë aspektin e mungesës që kemi të mjeteve shtesë”, tha ai.