Arbëri

MAPL-ja gjen shkelje ligjore në dy vendime të Kuvendit Komunal në Shtime

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka konstatuar se Kuvendi Komunal në Shtime ka marrë dy vendime të kundërligjshme, duke mos përfillur përfaqësimin e të gjitha subjekteve dhe atë gjinor gjatë formimit të dy komiteteve. E reagimi i monitoruesve nga shoqëria civile dhe i opozitës ka qenë i menjëhershëm.

Kuvendi Komunal në Shtimes e ka nisur mandatin e ri me dy vendime të konstatuara si të kundërligjshme. Shkeljet ligjore janë gjetur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e cila e ka vlerësuar të kundërligjshëm vendimin për formimin e Komitetit për Politikë e Financa, si dhe Komitetit për Komunitete. Sipas vendimit të MAPL-së, këto komitete janë formuar pa përfaqësim të të gjitha subjekteve politike dhe pa përfaqësimin gjinor të paraparë me ligjet në fuqi. Në vendimin e MAPL-së për formimin e Komitetit për Politikë e Financa, të cilin e ka siguruar KOHA, midis të tjerash, thuhet se pas shqyrtimit të aktit të Komunës së Shtimes vlerësojnë se ai “është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”. Për më tepër, si shkruhet në vazhdim, vendimi “nuk është në përputhje as me udhëzimet administrative të MAPL-së, për procedurën e themelimit, përbërjen dhe kompetencat e komiteteve të përhershme dhe komiteteve të tjera në komunë”.

“Komiteti për Politikë e Financa kryesohet nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës dhe përbërja e tij duhet të reflektojë në përfaqësimin e entiteteve politike në Kuvendin e Komunës”, shkruhet në të.

Ndërkaq, në vendimin tjetër të MAPL-së për formimin e komiteteve për komunitete, një kopje të të cilit po ashtu e posedon KOHA, konstatohet se vendimi i Komunës së Shtimes për zgjedhjen e Komitetit për Komunitete nuk është në përputhje me ligjin NR. 05/L-020 për barazi gjinore. “Parashihet që organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet e tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas ligjit. Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet arrihet kur sigurohet përfaqësimi minimal prej 50 për qind për secilën gjini përfshirë edhe organet tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”, thuhet në të.

Kjo çështje ka nxitur reagimin e monitoruesve nga shoqëria civile dhe nga opozita.

Bekim Krasniqi, drejtor në OJQ “YAHR” ka thënë se Kryesuesi i Kuvendit duhet t’i harmonizojë ligjet, në mënyrë KPF-ja të përfaqësohet nga të gjitha subjektet politike.

“Kuvendi i Komunës së Shtimes duhet të ketë parasysh që çdo vendim paraprakisht ta harmonizojë me legjislacionet në fuqi para se të marrë vendim të çfarëdo lloji. Në këtë rast ka bërë shkelje të ligjit për barazi gjinore për formimin e dy komiteteve, atë për Politikë e Financa dhe Komitetin për Komunitete, duke mos e marrë për bazë kuotën gjinore, që është 50 për qind”, ka thënë Krasniqi. Ai ka sugjeruar kryesuesin e Kuvendit që në mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal t’i harmonizojë këto dy vendime të MAPL-së me ligjet në fuqi.

Ndërkaq, Përparim Ramusa, kuvendar nga radhët e opozitës ka thënë se PDK-ja ka përvojë të gjatë në formimin e këtyre komiteteve, andaj kërkesat dhe sugjerimet e tyre nuk janë marrë paraprakisht.

“Që në mbledhjen e parë, Kuvendi Komunal ka marrë vendime të kundërligjshme, kjo është një shenjë që Kuvendi Komunal nuk e ka nisur mirë mandatin. Po e potencoj edhe një vendim tjetër të kundërligjshëm, edhe Komisioni për Komunitete është kthyer, duke pasur parasysh që nuk është bërë përfaqësimi gjinor”, ka thënë Ramusa.

Sipas tij, Komiteti për Politikë e Financa kryesohet nga kryesuesi i Kuvendit dhe përbërja e tij duhet të reflektojë në përfaqësimin e entiteteve politike në Kuvendin e Komunës.

“PDK-ja me kohë i ka dhënë propozimet për ta plotësuar kuotën gjinore, por edhe përfaqësimin e të gjitha subjekteve politike në këto komitete. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur si pasojë e mosdijes për menaxhim të institucioneve publike”, ka thënë Ramusa.

Në anën tjetër, kryesuesi i Kuvendit Komunal në Shtime, Adnan Ademi, ka qenë i paqasshëm prej ditësh.