Ka dështuar për herë të nëntë përfundimi i seancës konstituve. Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së Avni Dehari, ka propozuar që këtë herë votimi për kryeparlamentarin të bëhet i fshehtë. Kjo është kundërshtuar nga të gjitha grupet parlmentare, përveç LVV-së. Vazhdimi i nëntë i seancës është përmbyllur pas dështimit të votimit të për formim të komisionit ad-hoc për votim të fshehtë. Nga 110 deputetë prezentë, vetëm 56 deputetë votuan, 55 për dhe 1 kundër. Seanca e radhës do të mbahet të shtunën nga ora 10:00.
KDI: Ndryshimi i votimit brenda seancës, vendim arbitrar që cenon integritetin e Kuvendit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj tentativës për ndryshim të mënyrës së votimit gjatë vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke e quajtur këtë veprim arbitrar dhe në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës.
Në një deklaratë për media, KDI shpreh “shqetësim të thellë” për, siç thuhet, mënyrën jo të rregullt me të cilën është zhvilluar votimi gjatë seancës së sotme, duke theksuar se ndërhyrja e kryesuesit të seancës për të ndryshuar metodën e votimit “në mes të procesit dhe pa bazë procedurale” përbën shkelje të rëndë të praktikave demokratike parlamentare.
“Ndryshimi i rregullave gjatë lojës – veçanërisht kur vjen në funksion të kalkulimeve të brendshme politike – dëmton rëndë autoritetin e Kuvendit dhe minon besimin publik në integritetin e proceseve demokratike”, thuhet në reagimin e organizatës që monitoron nga afër punën e Kuvendit.
KDI i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Deharit, si dhe të gjithë deputetëve, veçanërisht grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që të respektojnë standardet procedurale të përcaktuara me Rregullore dhe të veprojnë në përputhje me normat e përgjegjësisë institucionale dhe politike që kërkon funksioni përfaqësues.
Organizata përfundon duke theksuar nevojën për ruajtjen e integritetit të institucioneve dhe garantimin e transparencës në çdo hap të procesit parlamentar.
Limaj: Nuk marrim pjesë në votime ku ka shkelje
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk marrin pjesë në votime ku ka shkelje. Ai foli pas dështimit të propozimit për votim të fshehtë.
Kryetari i Nismës ka thënë se është për politikë racionale dhe për dialog.
“Jo politika reaguese me mllef e motive të tjera”, ka shtuar ai.
Abdixhiku akuzon VV-në për arbitraritet: Me të tillët nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas dështimit të nëntë për konstitutim të Kuvendit, ka thënë se LVV-në nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim.
“A po e kuptoni tani, se pse me të tillët, nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim? Të takojnë, të mashtrojnë! Gjersa të thërrasin në takim, jashtë të ofendojnë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai e ka akuzuar partinë fituese për veprime arbitrare.
“Në fund veprojnë në arbitraritet të plotë! Sepse nuk njohin njerëzoren, as fjalën as kurrizin! Kjo politikë duhet të marrë fund! LDK do t’i japë fund! Është interes kombëtar refuzimi i qasjes së tillë politike, jo nënshtrimi e dorëzimi para saj. Shpresoj dhe partitë tjera ta kuptojnë këtë gjë sa më parë. LDK e ka të qartë. Prandaj është konsistente. Para, gjatë e pas zgjedhjeve. Prandaj votuesi e mbështetësi i LDK-së sot rri krenar!”, ka shkruar Abdixhiku.
Murati: Aktgjykimi i Kushtetueses na mundëson që të ketë edhe votim të fshehtë
Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka thënë se propozimi për votim të fshehtë nuk është shkelje e Kushtetutës, siç është po pretendon opozita.
Sipas tij, aktgjykimi i Kushtetueses në vitin 2014 mundëson që votimi të jetë i çfarëdo forme në mënyrë që të zgjidhet çështja e konstituimit.
“Siç edhe patë, është e qartë se kush po bllokon. PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe dhe AAK-ja u deklaruan kundër zhbllokimit të konstituimit të Kuvendit. Sipas aktgjykimit të Kushtetueses të vitit 2014 paragrafi 124, mundësohet që votimi të jetë i hapur, i fshehtë apo çfarëdo forme në mënyrë që të konstituiohet Kuvendi, synimi është konstituimi, jo bllokimi. Kushtetuesja ka paraparë se secila formë e votimit mund të përdoret. Edhe në pajtim me këshillën e presidentes, është në përgjegjësinë e deputetëve të gjejnë rrugë për zhbllokim dhe jo si të bllokohet. Shihet qartë që s’ka vullnet”, ka thënë Murati.
Murati pretendon se opozita nuk po do votim të fshehtë pasi do të kontrollojë deputetët.
Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se partitë që ishin në opozitë legjislaturën e kaluar s’po kërkojnë zgjidhje të ngërçit, por duan ta mbajnë vendin e bllokuar.
“U pa se koalicioni i tyre PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe është ende funksional”, tha Kusari-Lila.
Ajo tha se u tha se procesi i votimit të fshehtë shkel Kushtetutën, por nuk u cek asnjë nen që shkel.
“Po ka interes me u blloku shteti. Do të mundohemi prapë, do të vazhdojmë të propozojmë zgjidhje, s’do të ndalemi. Sot nuk erdhi fare te votimi, u bllokua procesi. Votimi nuk ndodhi, nuk erdhi fare propozimi”, tha Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se nuk ka “pazare politike” me formimin e Kuvendit të Kosovës.
Ngjashëm deklaroi edhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci. Ai tha se ekziston koalicioni PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.
Peci ka thënë se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje kompromisi apo marrëveshje politike.
“Marrëveshjet vijnë kur Kuvendi konstituohet”, tha Peci.
Bajrami: Me vota të LDK-së, Albulena Haxhiu s’do të bëhet kryeparlamentare
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se partia e saj asnjëherë s’do ta votojë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, as edhe pas një procesi të ri zgjedhor.
Ajo ka thënë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja vetëm për shkak të një emri, Albulena Haxhiu.
“Sot në Kosofë flasim për një emër të vetëm, emrin e Albulena Haxhiut. Qytetarët e këtij vendi, në veçanti ata që kanë votuar me shumicë prej 42 për qind që e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje, duhet të dinë se po shkojmë drejt procesit të zgjedhje. Po shkojmë në zgjedhje jo se si parti politike s’po pajtohemi për inflacionin, arsimin, krimet energjetike, papunësinë e probleme tjera, por pasi partia që fitoi 48 ulëse në Kuvend e ka një problem të vetëm. Ka reduktuar gjithë problemet e qytetarëve të Republikës së Kosovës në emrin e Albulena Haxhiut, e jo se nuk po ka mundësi të zgjidhin problemet. LVV-ja po do me i përsërit zgjedhjet për me zgjedh zonjën Haxhiu kryetare të Kuvendit. Me votat e LDK-së ajo s’do të bëhet kryetare e Kuvendit as edhe pas një procesi zgjedhor”, tha Bajrami pas seancës.
Ajo ka thënë se ishte anti-Kushtetuese dhe arbitraritet tentimi për ndryshim të votimit, duke e kthyer në votim të fshehtë. Por, tha se s’do të dërgojë rastin në Kushtetuese pasi nuk u aprovua ky ndryshim.
Ajo tha se LDK-ja nuk do marrëveshje politike me Vetëvendosjen dhe për këtë arsye s’do të marrë pjesë në takime të tilla. Sa i përket zgjedhjeve të reja, ajo ka thënë se duhet së pari të konstituohet Kuvendi.
Kadrijaj: Kosova po mbahet peng i emrit të Albulena Haxhiut
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se Kosova po mbahet peng për emrin e Albulena Haxhiut.
Sipas saj, AAK-ja ka propozuar emra të tjerë për kryeparlamentar por që VV-ja nuk po do të dalë nga ngërçi.
“Nuk ka ndodh ndonjëherë një gjë e tillë (kërkesa për votim të fshehtë) apo një tendencë me bo një cirk në Kuvend. VV-ja është dashur t’i sigurojë 61 vota dhe jo të kalojë në seanca të tilla që nuk janë në rregull. Kosova po mbahet peng për një kandidat. Janë lidh me një emër. Ne kemi dhënë propozime për të dalë nga ngërçi. Por Kosova tani po mbahet peng nga emri i Albulena Haxhiu”, ka thënë ajo.
Krasniqi: Kurti po e konsideron më të rëndësishme Haxhiun sesa Kuvendin
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se propozimi i VV-së për votim të fshehtë për kryeparlamentar është e paligjshme dhe jokushtetuese.
Sipas Krasniqit, i cili foli pas dështimit tjetër të seancës konstituive, është e turpshme dhe fyese ajo çka ndodhi sot në Kuvend.
“VV-ja bëri shkelje të hapur kushtetuese. Në kohën kur ka filluar votimi dhe ka dështuar disa herë, është e paligjshme dhe jokushtetuese propozimi për votim të fshehtë. Po më vjen keq në çfarë situate po e vendosin Avni Deharin, po e keqpërdorin. Më arbitrare është se VV-ja po e konsideron më të rëndësishme Albulena Haxhiun sesa Kuvendin e qeverinë. Është e turpshme, fyese. Duke mos i pasur numrat për kryeministër, Kurti ka vendosur ta vazhdojë talljen edhe me deputeten Haxhiu. Kur ka dy kandidatë ka kuptim votimi i fshehtë”, ka thënë ai.
Edhe një dështim për konstituim të Kuvendit, refuzohet votimi i fshehtë për kryetar
Ka dështuar për herë të nëntë përfundimi i seancës konstituve.
Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së Avni Dehari, ka propozuar që këtë herë votimi për kryeparlamentarin të bëhet i fshehtë.
Kjo është kundërshtuar nga të gjitha grupet parlmentare, përveç LVV-së.
Vazhdimi i nëntë i seancës është përmbyllur pas dështimit të votimit të për formim të komisionit ad-hoc për votim të fshehtë.
Nga 110 deputetë prezentë, vetëm 55 deputetë votuan, 54 për dhe 1 kundër.
Seanca e radhës do të mbahet të shtunën nga ora 10:00.
PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe e AAK-ja kundër votimit të fshehtë: Po e ktheni Kuvendin në cirk
PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe e AAK-ja janë shprehur kundër votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, duke thënë se kjo është shkelje e Kushtetutës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kjo që po tenton të bëjë VV-ja është e paprecedentë.
“Prej kur e kemi shpallur pavarësinë, kjo është e paprecedentë. Ndoshta prej fillimi të kishit vendos me votim të fshehtë kish pas kuptim. Mos e thelloni krizën, propozone një emër tjetër. Mos e ktheni Kuvendin në cirk. Nuk mund ta impononi në mënyrë arbitrare kryesuesin. Nuk keni të drejtë. As sekretariati nuk duhet me iu ngu kërkesa të paligjshme. Kur nuk i keni votat në mënyrë transparente, si mund t’i keni në mënyrë të fshehtë? A e keni naj pazar që ne nuk e dimë? Po krijoni precedentë anti-kushtetues. Është fyerje për qytetarët”, ka thënë ai.
Arbitrare u cilësua kjo mënyrë nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe ajo e AAK-së, Time Kadrijaj
“Është arbitrare, është shkelje kushtetuese, është shkelje e rregullores. Nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkelje të tua”, ka thënë Bajrami.
Dehari propozon votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentares
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka propozuar votim të fshehtë si mënyrë për të dalë nga ngërçi për zgjedhjen e kryeparlamentare.
Fillimisht do të formohet komisioni e më pas të nisë votimi.
Haziri: LDK-ja nuk e ka refuzuar dialogun, por nuk bëjmë takime për procedura
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se nuk refuzojnë takimet kur duhet me kry punë, por nuk marrin pjesë në takimet për procedura, duke komentuar refuzimin e LDK-së për të marrë pjesë në takimin e sotëm të thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Para nisjes së seancës së sotme konstituive, Haziri ka thënë se po mungon marrëveshja politike dhe këtë të drejtë e gëzon partia e parë.
“Nuk është refuzim i dialogut, ka të bëjë me refuzimin e ftesës, sepse ju kemi përgjigj në ftesën e parë. Nuk ka nevojë të ketë takim politik për procedura siç po thotë zotëri Kurti, nëse është procedurale, atëherë duhet me trajtu si procedurale. Nuk shkohet në takim për të drejtën e fitume dhe natyrisht këtu po mungon një marrëveshje politike që partia e parë duhet me realizu për kuvend edhe për Qeveri apo sido që e kanë planin”, ka thënë ai.
Sipas Hazirit, VV-ja nuk ka vullnet të gjejë marrëveshje politike.
“Nuk ka vullnet politik për me zgjidh problemin, me bë takime vetëm sa për tu taku, edh mu taku në parimin për mu marr vesh për mos me u marr vesh, LDK-ja nuk funksionon. Ne shkojmë në takim vetëm kur duhet me kry punë sa i përket angazhimit politik ne ju kemi përgjigj në letrën e parë. Letra e dytë, konsultime për konstituim të Kuvendit për çështje procedurale, procedurat i ka zotëri Dehari si ma plaku i këtij Kuvendi dhe zonja Jashari si ma e reja e këtij Kuvendi në mungesë të tij, ata i kanë të drejtën procedurale dhe ceremoniale të këtij Kuvendit por nuk lejuan që me procedurë e ceremoni me ec Kuvendi, atëherë kryetarja e Kuvendit në këtë rast zgjedhet vetëm me votë dhe ajo duhet të ketë një marrëveshje politike”, ka thënë Haziri.
Balje e prerë: Nuk e votojmë propozimin e VV-së
Deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka thënë se nuk ndryshon qëndrim sa i përket votimit për kryetar të Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje.
Ajo është deklaruar e prerë se nuk do të votojë pro.
Balje konfirmoi se është takuar me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, por ende nuk ka vendosur nëse do t’i bashkohet grupit parlamentar të kësaj partie.
Kadrijaj: Qytetarët duhet ta dinë, VV-ja është bllokuese e konstituimit të Kuvendit
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thënë se qytetarët duhet ta dinë se Lëvizja Vetëvendosje është ajo që po bllokon konstituimin e Kuvendit.
Sipas saj, AAK-ja ka propozuar dy emra (Saranda Bogujevcin ose Shqipe Selimin) për t’i votuar për kryeparlamentare, por siç thotë ajo, VV-ja nuk po do të dalë nga kriza.
“S’kemi votë në këto rrethana. Për zhbllokimin e kësaj situate kemi propozuar dy emra, por nuk po duan. Edhe partitë e tjera kanë shprehur gatishmëri të votojnë tjetër kandidat. Qytetarët duhet ta dinë se VV-ja është bllokuese e konstituimit të Kuvendit”, ka deklaruar Kadrijaj.
Tutje, ajo u shpreh se edhe nëse do të ishin të ftuar në takimin e sotëm nga Kurti nuk do të kishin shkuar.
“Është obligim i VV-së t’i sigurojë 61 vota. Ftesa që iu ka bërë PDK-së e LDK-së nuk kam menduar se është ftesë korrekte sepse ka balancuar zgjedhjen e kryeparlamentarit me të nënkryetarëve. Janë procedura të ndryshme. Nuk do të kishim shkuar në takim. I dini qëndrimet tona”, ka thënë Kadrijaj.
Në takim LDK-ja e refuzoi pjesëmarrjen, ndërsa PDK-ja u takua, por nuk arritën ndonjë marrëveshje.
Limaj thotë se duhet marrëveshje politike për të dalë nga ngërçi
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se shpreson se sa më shpejt të zgjidhet ngërçi aktual. Ai ka thënë se posti i kryeparlamentarit dhe po ashtu Qeveria bëhet me marrëveshje politike të koalicionit.
“Si në të kaluarën dhe gjithmonë është e vështirë që kjo të bëhet pa marrëveshje politike të koalicionit, e cila përcakton, definon dhe vendos shumicën parlamentare. Ajo shumicë zgjedh kryetarin e Kuvendit, Qeverinë e cila qeverisë me vendin sipas mandatit ligjor të dhënë nga qytetarët...Shpresoj dhe besoj, atë që tash e një kohë po e them, njerëzit ta kuptojnë se është rruga që ndërtohen institucionet, rruga që bëhet politika gjithmonë në botë dhe është bërë edhe në Kosovë deri tash. Marrëveshja politike duhet bërë para se me u fut në Kuveënd. Ajo shumicë pastaj udhëehq në ndërtimin e institucioneve nga kryetari i Kuvendit e në Qeveri. Po pres dhe besoj se kjo shumë shpejt do të ndodhë, është interes i vendit tonë”, tha Limaj para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Është tentimi i nëntë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Sa i përket mosftesës nga kryeministri në detyrë Albin Kurti për takim, Limaj ka thënë se përgjigje mund të ketë pas seancës.
Zemaj për Pecin: Akoma e ka dashurinë për LDK-në
Deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Armend Zemaj, ka thënë se ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka akoma dashuri për ish-partinë e tij.
Zemaj u përgjigj në këtë mënyrë kur u pyet për deklaratat e Pecit, i cili kishte thënë se LDK-ja nga parti institucionaliste tani po bllokon Kuvendin.
“I mjeri që e ka lëshuar LDK-në dhe akoma e ka dashurinë për LDK-në, por është realitet tjetër. LDK-ja ka organet e saj, ka deputetët e saj dhe për përgjigje të tjera të shohim në seancë”, ka thënë ai para nisjes së seancës së sotme konstituive.
Tutje, Zemaj u shpreh se VV-ja nuk ka zgjedhur mënyrën e duhur për zgjidhje brenda Kuvendit.
LDK-ja nuk mori pjesë në takimin e sotëm të thirrur nga Kurti. Pjesë e takimit ishte kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, por që nuk pati ndonjë marrëveshje.
Sot për herë të nëntë do të tentohet konstituimi i Kuvendit.
Krasniqi s’pret ndryshim të situatës as pas takimit me Kurtin
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk pret asnjë ndryshim të situatës as pas takimit që pati me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për gati një orë para nisjes së seancës së sotme.
Krasniqi ka shtuar se PDK-ja nuk i heziton asnjëherë dialogut, por tregoi se nuk ka pasur ndonjë avancim në takimin që pati me Kurtin.
“Kurtit i thashë se është mirë të propozojë tjetër kandidat. Ne jemi të interesuar ta zhbllokojmë këtë situatë. Ne nuk japim propozime. I takon atij (Kurtit) me dhënë propozime. Nuk besoj që ka ndryshuar si situatë (as pas takimit). PDK-ja asnjëherë nuk i heziton dialogut. Ne paraqesim qëndrimet tona”, ka thënë kryetari i PDK-së, i cili shtoi se pozita e nënkryetarëve nuk është as afërsisht e krahasueshme me kryeparlamentarin.
Murati: Refuzimi i LDK-së për takim me Kurtin, një përgjigje e qartë se kush po bllokon Kuvendin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se me ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ndaj PDK-së dhe LDK-së për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe mospranimin e ftesës nga ana e LDK-së, po shihet se kush po bën bllokada të Kuvendit të Kosovës, raporton “KosovaPress”.
Murati para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se refuzimi i LDK-së për takim është një përgjigje e qartë për qytetarët e Kosovës.
“Po qartësohet pra se kush po bën bllokada, refuzimi edhe për të diskutuar për temën besoj që është mjaft e qartë. Kemi edhe hipokrizinë tjetër, ku thuhet që pozita e kryetarit, hajde ta diskutojmë ndërkaq pozita e nënkryetarit na është e garantuar me kushtetutë, e njëjta pozitë është e garantuar me kushtetutë”, tha Murati.
Sot do të jetë tentimi i nëntë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët kanë dështuar për të tetën herë me radhë të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës. Seanca është ndërprerë pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dështoi të martën të marrë votat e nevojshme për kryeparlamentare.
Ftesa e Kurtit vjen pasi ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiun dështoi gjashtë herë të sigurojë 61 vota për kryetare të Kuvendit, ndërkohë që sot në ora 10:00 do të vazhdojë seanca konstitutive për legjislaturën e nëntë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se nuk do të heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, përkundër takimit mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili po mbahet para vazhdimit të seancës konstituive që do të fillojë prej orës 10:00 të enjten.
Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, tha se Vetëvendosje s'do ta ndryshojë emrin e propozuar për postin e kryeparlamentarit.
“Shpresoj që të zhbllokohen institucionet, në këtë rast Kuvendi i Kosovës. Kryeministri Kurti i ka dërguar ftesë dy partive opozitare, por po shohim që LDK-ja ka qëndrim kundër. Duke ditur se LDK-ja s’po ka kriter që të takohet me Porfirjen, shovinistin më të madh serb i cili menjëherë pas takimit me kryetarin e LDK-së shkoi në Rusi, ndërsa s’po ka asnjë mundësi që të takohet me kryeministrin Kurti për të zhbllokuar institucionet. Tashmë ka takim me PDK-në dhe të presim që legjislativi të zhbllokohet dhe të kemi kryetarin e Kuvendit, në këtë rast Albulena Haxhiu... Jo (koalicion qeverisës LVV-PDK). Mendoj se po diskutohet vetëm të zhbllokohet institucioni i legjislativit. Ky është hapi i parë pastaj për krijimin e qeverisë”, tha ai.