Arbëri

Lipjani në hall me hajnat e kapakëve të pusetave

Qyteti i Lipjanit është në hall të madh me hajdutët e kapakëve të pusetave të rrjetit të ujërave atmosferik dhe të kanalizimit. Vjedhja e tyre është bërë temë diskutimi të mërkurën në Kuvendin Komunal të Lipjanit, derisa nga ekzekutivi por edhe nga kuvendarët, u kërkua bashkëpunim me Policinë dhe qytetarët për identifikimin e personave të tillë.

Shefi i Grupit të kuvendarëve në KK të Lipjanit nga PDK-ja, Arsim Jashari, tha se në fshatin Banullë e Llugaxhi, pjesa më e madhe e kapakëve nëpër rrugë janë vjedhur, derisa ka kërkuar që të zëvendësohen e të mbikëqyren.

“Kemi rast kur qytetarët gjatë ecjes në orët e mbrëmjes kanë rënë në puseta të thella dhe janë lënduar jashtëzakonisht shumë. Prandaj investimet e tilla që bëhen me paranë publike siç janë trotuaret dhe rrugët në këto fshatra duhet edhe të mirëmbahen dhe të mbikëqyren nga organet komunale dhe organet tjera. Po ashtu shpeshherë hasim edhe në trafo të energjisë elektrike të cilat paraqesin rrezik për fëmijët derisa kabullot nuk janë të izoluara”, tha Jashari.

Aktet e tilla i ka dënuar edhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili bëri më dije se kapakët e vjedhur po shiten për hekur.

“Kemi probleme të shumta me kapakët e pusetave, megjithëse nuk e di kualitetin e atyre por telashja e mungesës së pusetave është jashtëzakonisht e madhe, sidomos në rrugën e re përgjatë stadiumit brenda një nate të gjithë kapakët e pusetave janë marrë. Në fakt për zëvendësimin e tyre ka procedura sepse ne si komunë nuk i kemi në depo për t’i zëvendësuar por duhet të shpallen procedura etj dhe për këtë arsyeje jemi në hall me situata të tilla”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, janë duke e diskutuar me ekspertët e komunikacionit që të vendosen kapakë me materiale të tjera të cilat nuk mund të shiten për hekur.

“Është një material tjetër për t’i vendosur ato të cilat nuk janë atraktive për t’u shitur për hekur sepse këto kapakët e pusetave që janë të hekurit po i marrin dhe po i shesin, prandaj është një material tjetër i cili është menduar të vendoset megjithëse edhe ajo i ka kundër efektet e veta sepse mund të thehet më lehtë ose mund të hiqet më lehtë”, ka thënë Ahmeti.

{gallery}