Shoqata e pensionistëve në Lipjan ka kërkuar nga të gjithë pensionistët e interesuar që t’i kompletojnë dokumentacionet për pensione kontributdhënëse nga Serbia. Sipas drejtuesve të kësaj shoqate, avokatët nga Beogradi kanë gjetur rrugët ligjore dhe po e realizojnë nxjerrjen e pensioneve të tyre
Shoqata e Pensionistëve në Lipjan ka iniciuar disa procedura për t’i nxjerrë kontributet e pensionistëve nga Serbia. Drejtuesit e kësaj shoqate u kanë kërkuar pensionistëve që t’i kompletojnë dokumentet për t’i realizuar të drejtat e tyre. Kjo shoqatë tashmë ka vendosur edhe njoftime nëpër shtyllat e rrugëve të Lipjanit, me qëllim që t’i informojë pensionistët se si duhet vepruar.
Në këto njoftime thuhet se kontributdhënësit, të cilëve u është mohuar e drejta e pensioneve nga Serbia, mund të kontaktojnë me një ndërmjetësueses për t’i plotësuar dokumentet për pensione.
Në shoqatën e pensionistëve në Lipjan kanë sqaruar se disa avokatë nga Beogradi janë lajmëruar në zyrat e tyre për t’i rregulluar dokumentet e atyre pensionistëve që janë të interesuar.
Sekretari i kësaj organizate, Mustaf Ahmeti, kontakti i të cilit është publikuar në njoftim, ka thënë se edhe në të kaluarën ka pasur procedura për marrjen e pensioneve nga Serbia porse ato nuk janë jetësuar kurrë.
“Këta janë krejt pensionistë kontributdhënës para luftës, andaj kur i ka ndërpre Serbia në muajin shkurt të vitit 1999 dhe prej atëherë, prej më shumë se 23 vjet, i kanë ndërpre pensionet e shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë ai.
Ahmeti ka theksuar se qysh nga paslufta, institucionet e vendit nuk janë angazhuar për këto pensione dhe se nuk i kanë përkrahur pensionistët e Kosovës.
“Janë lajmëruar avokatë nga Beogradi dhe ata po kërkojnë që kush dëshiron me ua dërgu dokumentet, ata thonë se janë në gjendje të punojnë për t’ia nxjerrë nëpër gjykata të Serbisë pensionet e tyre. Mirëpo ka raste që ua kanë rregulluar, por vetëm për 3 apo 4 vjetët e fundit”, ka thënë ai.
Sipas njoftimit të publikuar, edhe në rast të vdekjes së përfituesve potencialë nga pensionet, bashkëshortët kanë të drejtë që t’i rregullojnë dokumentet në emrin e tyre për t’i siguruar pensionet invalidore dhe ato për dëmtime trupore.