Arbëri

Linja 3A pezullon përkohësisht shërbimet, paralajmërohet pezullim edhe i linjave tjera private

linja 3 A

Fofo: Kompania "Qendra sh.p.k"

Kompania "Qendra sh.p.k" ka njoftuar se ka pezulluar shërbimin nga sot për shkak të çështjeve aktuale financiare me të cilat po përballet kompania. Ndërkohë që nga Shoqatat e Transportuesve Privatë në Prishtinë, kanë thënë për KOHËN se nga e hëna do të pezullohen edhe linjat e tjera private. 

Në një njoftim të kompanie në Facebook thuhet se si pasojë e kësaj kompania është detyruar të pezullojë qarkullimin e linjës së autobusëve që kalon nga Vranjvci në Matiqn, përmes qytetit dhe “Muharrem Fejzës”.

“Lajmërohen të gjithë pasagjerët e Linjës 3A: Kodra e Trimave – Muharrem Fejza – Matiqan – Zllatar se pezullimi i përkohshëm i qarkullimit vjen jo nga dëshira jonë, por si imponim i situatës së krijuar tash e 7 muaj, për arsye se nuk na janë paguar shërbimet tona për të njëjtën periudhë”, thuhet në njoftim.

“Si rezultat i mosshlyerjes së këtyre obligimeve, kompania është afruar në prag të një kolapsi financiar, pasi bart mbi vete detyrime të mëdha ndaj furnizimeve me naftë, mirëmbajtjes teknike, pagave të punëtorëve, kredive, qirasë dhe shumë obligimeve të tjera operacionale”, thuhet tutje në njoftim.

Kompania i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës, Qeverisë dhe Ministrinë e Financave për gjetjen e një zgjidhjeje urgjente në lidhje me buxhetin, sepse siç thuhet, ndalja e transportit publik në kryeqytet do ta paralizojë të gjithë qytetin dhe do të krijojë pasoja të rënda për mijëra qytetarë që varen nga ky shërbim.  

Të enjten “Trafiku Urban” ka njoftuar se ofrimi i shërbimit të transportit publik rrezikohen të pezullohen plotësisht nga java e ardhshme, për shkaqe financiare. 

Problemet me pagesën e shërbimeve në Komunën e Prishtinës janë pasoj e mosmiratimit të buxhetit të komunës së Prishtinës për vitin 2025.