Arbëri

Ligjërata rreth Speciales në “Xhevdet Doda”, Rama: Jam i indinjuar, do të ketë veprime ndëshkuese

Perparim Rama

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është shprehur i indinjuar lidhur me një ligjërate të mbajtur mbi Gjykatën Speciale në ambientet e shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet. 

Ai ka theksuar se ajo është zhvilluar pa asnjë leje apo koordinim me Drejtorinë e Arsimit apo kabinetin e tij. 

“Isha shumë i indinjuar me çka ka ndodhur, për arsye se nuk ka pasur as leje, as koordinim me askënd, as prej drejtorisë, domethënë, as me kabinetin tim. Prandaj ne kemi vendosur me ndërmarrë masat e menjëhershme. Kam diskutuar menjëherë me drejtorin, me Samirin, edhe kemi ndërmarrë masat e menjëhershme. Pra, kushdo që e ka mundësuar një gjë të tillë pa marrë leje, pa koordinim, normal që do të ketë edhe veprime ndëshkuese ndaj, tyre”, tha ai.

I pyetur se a do të shkarkohet drejtori i gjimnazit “Xhevdet Doda”, Rama tha se këtë vendim do t’ia lë në dorë Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë.

“Këtë po ia lë aty edhe drejtorit të arsimit, po edhe proceseve që janë ligjore, mirëpo ju siguroj që gjëra të tilla janë të palejuara, nuk lejohen në kryeqytet, e sidomos po them, gjëra të cilat e kanë një sensitivitet të lartë”, tha ai.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini tha se varësisht nga informacionet që do t’i marrin nga ekipi që veçse ndodhet në shkollë, do të ndërmarrim edhe masat.

“Sot që po flasim tash me ju, veçse kemi një ekip të Drejtorisë së Arsimit që ka shkuar në shkollë dhe aktualisht është duke marrë informata të plota, duke parë dokumentacionin dhe gjithçka tjetër që ka çuar te një aktivitet i tillë, pa lejen dhe siç e tha edhe kryetari, pa njoftimin e drejtorisë apo kabinetit. Në bazë të procesverbalit që do të nxjerrim sot, më së largu të hënën nga ky ekip, ne do të marrim edhe masat konform procedurave dhe ligjit që ne e kemi në fuqi”, tha ai.

Kryetari i Këshillit të Prindërve në komunën e Prishtinës, Nexhmi Hoxha, u shpreh kundër çdo ligjërate që cenon integritetin e fëmijëve. Ai kërkon më shumë kujdes karshi ligjëratave të tilla.

“Normalisht, një diçka çka e cenon, do të thotë integritetin e fëmijëve tanë, na jemi kundër edhe ne. Besoj që është dashur me qenë koordinim me Drejtorinë e Arsimit, po edhe i njoftuar edhe Këshilli Drejtues i shkollës, që mendoj që është, e kanë marrë ata këtë vendim. Ne kërkojmë nga Drejtoria e Arsimit, nga drejtorët në përgjithësi, që organizata të tilla të cilat vijnë me ligjëruar me forma të ndryshme, ligjërime të ndryshme, të kenë kujdes edhe drejtorët, edhe shkollat, edhe Drejtoria e Arsimit, të kenë kujdes se çka po i ofrojnë fëmijëve tanë”, tha ai.