Arbëri

Liderët e BE-së diskutojnë edhe për Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian

Foto: Associated Press

Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë takuar në Bruksel në samitin e tyre të fundit para përfundimit të Presidencës Polake të BE-së.

Në këtë samiti liderët diskutojnë një varg temash, prej situatës në Lindjen e Mesme, migracionit, raportet me Ukrainën, por edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Ndonëse nuk pritet diskutim i gjatë për Ballkanin Perëndimor, liderëve për raportet me këtë rajon pritet t’u flasë presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Ai do të flasë edhe për takimet që ka pasur gjatë vizitës së tij në rajon, që ishte në prag të takimit të Bashkësisë Politike Evropiane në Tiranë në mesin e muajit maj.

Në draftin e konkluzave që pritet të miratohet në këtë samit është një paragraf edhe për lidhjet e BE-së me rajonin.

“Këshilli Evropian pati një shkëmbim të qëndrimeve për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe rikujton konkluzat e mëhershme. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të punojë për së afërmi me Ballkanin Perëndimor dhe mbështesë përpjekjet e tyre për reforma në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Këshilli Evropian mbetet i përkushtuar për të avancuar integrimin gradual mes Bashkimit Evropian dhe rajonit, gjatë procesit të zgjerimit në mënyrë riversibile dhe të bazuar në merita. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian”, thuhet në tekstin e draftit të konkluzave.