Komisioni për Ekonomi ka shqyrtuar projektligjin për çmimet tavan. Derisa partia në pushtet e ka konsideruar atë si mundësi për ndaljen e abuzimit dhe mbrojtje të konsumatorëve, deputetët e opozitës e kanë cilësuar atë kapje të tregut. Ka ngritur dyshimet lidhur me pavarësinë e mekanizmit që do të merret me masat
Projektligji për masat e përkohshme për produkte themelore në rastet e veçanta të destabilizimit në treg është cilësuar nga deputetët e opozitës në Komisionin për Ekonomi si tentativë për kapje të tregut.
Ministrja e Tregtisë (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, gjatë prezantimit të këtij projektligji tha se Qeveria synon që me të të mbrojë konsumatorin dhe interesin publik.
“Gjatë hartimit të këtij projektligji, janë marrë në konsideratë rekomandimet e dhëna në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në lidhje me ligjin paraprak, i cili ishte konsideruar në papajtueshmëri me disa nene të Kushtetutës, konkretisht me nenin 7, nenin 10, nenin 119 të Kushtetutës së Republikës”, ka thënë ministrja Kusari-Lila.
Por, deputetja e Lidhjes Demokratike, Janina Ymeri, deklaroi se tjetër projektligj u është prezantuar odave, ndërsa, projektligj tjetër ka shkuar në Kuvend.
Ajo tha se nuk ka votë për të, pasi e konsideroi si tentim për kapje të tregut.
Edhe
Pa votat e opozitës, pushteti miraton Projektligjin për çmimet tavan
“Qysh e parashihni pavarësinë e këtij bordi, kur këtë bord e inicion MINTI, procedurën e rekrutimit dhe përzgjedhjes dhe i dërgon pesë kandidatë. Thotë, monitorimin e bën vetë bordi dhe zbatimin e bën vetë bordi. Metodologjinë e bën vetë bordi, plus nuk e keni caktuar sa shpesh i raporton këtij bordi, pra gjithçka varet nga këta 5-6 njerëz që i zgjidhni ju”, ka thënë deputetja Ymeri. “Shqetësimi im është që gjithë kjo mundësi e ndërhyrjes në treg varet nga disa persona edhe çka është me rëndësi pavarësinë që ia keni dhënë vetes me këtë ligj”.
Në përgjigje, ministrja Kusari-Lila theksoi se procedura për përzgjedhjen e bordit iniciohet nga Qeveria, ndërsa vendimmarrja finale i takon Kuvendit, duke e krahasuar këtë praktikë me atë të bordeve të tjera të pavarura.
Sa i përket përllogaritjes së marzhës, ajo shpjegoi se për produktet e importuara përfshihen çmimi i blerjes, kostot e transportit, detyrimet doganore dhe shpenzime të tjera të lidhura me zhdoganimin, ndërsa për produktet vendore merren parasysh kostot e prodhimit dhe shpenzimet përkatëse.
Me votat e deputetëve të shumicës, Komisioni për Ekonomi aprovoi këtë projektligj, për ta përcjellë për miratim në Kuvend.
Projektligji përcakton dy lloje të masave të përkohshme, siç janë: caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë dhe caktimi i çmimit maksimal të lejuar nga operatorët ekonomikë.
Drafti i ligjit për çmime tavan, të cilin e ka siguruar KOHA, parasheh themelimin e Autoritetit të Pavarur për Stabilitetin e Çmimeve, që do të ndërhyjë në situata kur ka destabilizim të tregut.
Ky është ndryshimi kryesor që i është bërë ligjit, pasi Gjykata Kushtetuese pati konstatuar se ekzekutivi nuk mund të ndërhyjë në çmime.
“Autoriteti i Pavarur për Stabilitetin e Çmimeve është organ i pavarur rregullator, i themeluar me këtë ligj për monitorimin e tregut dhe për inicimin dhe vendosjen e masave të përkohshme, rregullatorë për stabilizimin e çmimeve në rrethana të veçanta të destabilizimit të tregut, në bazë të analizës së tregut dhe parimit të proporcionalitetit, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe të konsumatorëve”, thuhet në draftligj.
Edhe
Pa opozitën, Projektligji për çmimet tavan procedohet për seancë
Ligji i kaluar parashihte themelimin e një komisioni, por i cili u raporton Ministrisë së Tregtisë dhe Zyrës së Kryeministrit.
Për dallim nga ai, Autoriteti do të themelohet me ligj nga Kuvendi dhe do të udhëhiqet nga Bordi në përbërje prej 5 anëtarësh.
Drafti liston 16 produkte themelore dhe nuk mund të zgjerojë listë përtej tyre.
Drithërat, mielli, buka, orizi, makaronat, vaji ushqimor, qumështi dhe produktet e qumështit, uji, pemët dhe perimet, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi, sheqeri, ushqimet bazë për fëmijë, produktet e higjienës personale dhe lëndët djegëse janë produktet për të cilat Autoriteti mund të marrë masa.
Drafti parasheh 7 masa mbrojtëse për furnizimin me produkte themelore.
Aty parashihet caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë, caktimi i çmimit maksimal, kufizimi i sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar, detyrimi i operatorëve ekonomikë për të ruajtur pjesën e caktuar të stokut të produktit e të tjera.
Për mosrespektimin e vendimeve të Autoritetit parashihen edhe gjoba.
Edhe
Miratohet në parim projektigji për çmimet tavan
“Në rast të moszbatimit të vendimeve të autoritetit, subjekti dënohet me gjobë si në vijim: Prej pesë mijë (5,000) deri në njëzet mijë (20,000) euro si person juridik; Prej një mijë (1,000) deri në pesë mijë (5,000) euro si person fizik që ushtron biznes individual. Prej pesëqind (500) deri në dy mijë (2,000) euro si person përgjegjës i personit juridik”, janë disa nga të dhënat e draftligjit për çmimin tavan.
Procedimi i Ligjit të ri për çmime tavan është në mesin e 5 vendimeve të para që pati premtuar kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore.