Deputeti i LDK-së, Arben Gashi e ka quajtur Dimal Bashën “përfaqësuesin më autentik të VV-së”.
“Ky është një narracion që po i bëhet Dimalit nga partia e vet, e cila nuk po do me e shpërfaq anticitetin e VV-së. Mendoj që Dimali është përfaqësues autentik i VV-së dhe e tillë është Vetëvendosja, dhe populli duhet me e kuptu cila është qasja e të menduarit politik në Kosovë”, u shpreh ai.
Sa i përket pjesëmarrjes në votimin për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, Gashi tha se duhet pyetur Hykmete Bajrami, e cila është shefe e GP-së së LDK-së.
Sakaq, ai tha se as Nenad Rashiq e “as aj tjetri”, s’kanë dallim ndërmjet vete, dhe se nuk i voton asnjërin.
Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj tha se situata e krijuar rreth Bashës, është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Një monstrum i tillë nuk është dashur as të propozohet. Dimal Basha është fytyra e vërtetë e VV-së propozuar”, tha Kadrijaj.
E pyetur nga gazetarët se AAK-ja ka votuar për zgjedhjen për Bashën kryetar të Kuvendit, ajo tha
se nuk e ka votuar.
“Bekë Berisha e ka votuar. I ka premtuar”, tha Kadrijaj.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas publikimit të punimit të kryeparlamentarit Dimal Basha, ku përmendet në mënyrë kritike UÇK-ja. Ai ka thënë se artikulli është i papranueshëm dhe cenon rëndë vendin dhe popullin e Kosovës.
“Ai është një punim shkencor që shërben për studentë, profesorë, prokurorë, gjyqtarë, propagandistë. Është një hulumtim shkencor, i bazuar dhe i publikuar nga dy autorë. Më vjen shumë keq që një shqiptar, për të publikuar një punim shkencor, ka fyer, ofenduar, rrënuar dhe shtrembëruar vendin dhe popullin e vet. Kjo është shumë serioze, serioze është edhe natyra e artikullit”.
