Arbëri

Larg përfundimit kulla e dëshmorit Haradin Bajrami, që pritej të përurohej më 2 prill

Është larg përfundimit projekti për ndërtimin e kullës së dëshmorit Haradin Bajrami, që është duke u ngritur në fshatin Leletiq të Komunës së Lipjanit. Familjarët dhe iniciatorët e ngritjes së saj thonë se përpos zvarritjes probleme ka edhe me cilësinë e ndërtimit. Por, në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë thanë se në këtë institucion të tjera vlerësime janë dhënë mbi ndërtimin e kullës

Ishte pritur të përurohej më 2 prill, por është larg përfundimit projekti për ndërtimin e kullës së dëshmorit Haradin Bajrami, që është duke u ngritur në fshatin Leletiq të Komunës së Lipjanit.

Për realizimin e këtij projekti dhe tre të tjerëve kornizë, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës ka ndarë rreth 180 mijë euro.

E, në objektin memorial të kullës së dëshmorit Haradin Bajrami, përveçqë janë ndërprerë punimet e nisura në fillim të vitit të shkuar, ka kritika edhe për cilësinë e ndërtimit.

Ramiz Qeriqi, ish-komandant i batalionit të dytë të UÇK-së “Ruzhdi Salihu”, ka qenë iniciator për ndërtimin e kësaj kulle. Ai ka thënë se projekti është devijuar.

“Shqetësimet tona janë se punët po zvarriten dhe ato nuk janë kualitet. Brenda dyshemeja nuk është vendosur sipas projektit, ato janë të njoma dhe qysh tani kanë filluar të lëvizin. Ndërkaq nga jashtë ujërat e shiut shkojnë drejt e në shtëpi, pra uji atmosferik nuk ka dalje dhe nuk ka nga të shkojë”, ka thënë Qeriqi.

Ndërkaq janë familjarët e dëshmorit Haradin Bajrami ata të cilët kërkojnë që cilësia e punimeve të përmirësohet dhe projekti të finalizohet sa më shpejt.

Rexhep Bajrami, vëlla i këtij dëshmori, ka thënë të ketë pritur që përurimi i kullës të bëhej në përvjetorin e sivjetmë të rënies së dëshmorit Haradin Bajrami.

“Kemi pasur dëshirë që më 2 prill të përfundojë kulla e heroit Haradin Bajrami, por janë zvarritur punimet shkaku i motit apo i shirave, por tash e tutje besoj se do të vijë puna pak më në nivel. Brenda kemi dëshirë të ketë një punim më të bukur dhe më të mirë, por besoj se do të kryhen edhe ato punë”, ka thënë ai.

Por, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës, Bislim Zogaj, ka theksuar se tek ai të tjera vlerësime janë dhënë mbi kualitetin e ndërtimit të kullës.

“Në Leletiq gati pothuajse është në rregull. Familjari i tyre mua më ka thirrur dhe më ka falënderuar shumë se e kemi kryer këtë punë pasi që nuk e kishte kryer askush deri më tash dhe jam i kënaqur me punën. Gjithashtu edhe menaxheri i projektit e vlerëson se a është në rregull apo jo, sepse pa qenë në rregull ne paratë nuk ia qesim”, ka theksuar Zogaj.

Iniciatorët për realizimin e këtij projekti kanë paralajmëruar ankesë në Qeverinë e Kosovës nëse nuk përmirësohet cilësia e punimeve në këtë projekt.

Dëshmori Haradin Bajrami ka vdekur më 2 prill të vitit 1999, pas plagëve që të njëjtën ditë kishte marrë pas rënies në një minë.