Pa asnjë votë kundër, Kuvendi ka miratuar Rezolutën për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave të luftës në Kosovë. Nëpërmjet pikës së 14, ky institucion është zotuar të ndërmarrë veprimet e nevojshme legjislative për plotësimin e Kodit Penal, me qëllim që të parashihen dënime për personat që mohojnë ose minimizojnë krimet e kryera nga Serbia, e edhe për personat që kryejnë veprime që cenojnë dinjitetin e viktimave, miratojnë, glorifikojnë apo justifikojnë tiraninë dhe sundimin arbitrar të Serbisë, si dhe krimet e kryera prej saj në Kosovë apo përhapin propagandën e Serbisë
Kuvendi ka miratuar të premten Rezolutën për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave të luftës në Kosovë, me të cilën shprehet edhe zotimi që, nëpërmjet ndryshimeve në Kodin Penal, të parashihen dënime për ata që mohojnë ose minimizojnë krimet e kryera nga Serbia.
Ajo u miratua pas debatit që ka nxitur në publik ekspozita e shfaqur më 24 mars në Prishtinë me të dhëna të pasakta për masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë, e bazuar nga të dhënat që përmban një libër i autorit Shkëlzen Gashi. Libri është mbështetur edhe nga Qeveria vite më parë, ndërkaq ekspozita është mundësuar edhe me fonde të Kuvendit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPro rezolutës votuan 90 deputetë, dhe nuk pati as votë kundër e as abstenim. Por, para procesit të votimit, sallën e lëshuan ligjvënësit e Listës Serbe, subjekt politik që konteston shtetësinë e Kosovës dhe mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Në pikën e 14-të të rezolutës theksohet zotimi për t’i bërë të dënueshme deklaratat që minimizojnë krimet.
“(Kuvendi v.j.) zotohet se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme legjislative për plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me qëllim që të parashihen dënime për personat që mohojnë ose minimizojnë krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës së viteve 1998-1999. Gjithashtu, zotohet të parashihen dënime edhe për personat që kryejnë veprime që cenojnë dinjitetin e viktimave, miratojnë, glorifikojnë apo justifikojnë tiraninë dhe sundimin arbitrar të Serbisë, si dhe krimet e kryera prej saj në Kosovë apo përhapin propagandën e Serbisë”, thuhet në këtë pikë të rezolutës.
Atë e lexoi deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i mbijetuar në masakrën e Burgut të Dubravës. Në ekspozitë u prezantua e dhëna se në këtë masakër, krahas civilëve, u vranë edhe të armatosur. Më vonë, në përgjigje të reagimeve, autori sqaroi se termi nënkuptonte ushtarë që ishin të burgosur, ndërkaq në momentin e krimit ata nuk kishin armë.
Me këtë rezolutë, Kuvendi ka theksuar se është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës që të kryejnë hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
“Të vetmet të dhëna të konfirmuara mbi krimet e Serbisë në Kosovë janë të dhënat zyrtare nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë”, thuhet në dokument.
Kur janë bërë më shumë se 26 vjet pas çlirimit, ende nuk ka një platformë me të dhëna zyrtare për krimet që ka kryer Serbia. Për pasojë, nuk ka listë të të vrarëve e as të viktimave të tjera, sikurse nuk ka listë as për krimet në ekonomi e fusha të tjera.
Me rezolutë, Kuvendi ka inkurajuar institucionet e drejtësisë që të vazhdojnë punën e nisur edhe me më shumë përkushtim për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë, duke shfrytëzuar edhe më shumë ndryshimet e fundit ligjore për hetimin dhe gjykimin në mungesë të krimeve të luftës të Serbisë në Kosovë.
Në pikën e tretë të rezolutës theksohet se Kuvendi nderon me përulje sakrificën sublime të popullit shqiptar, të të gjithë dëshmorëve të kombit, të rënëve e të gjithë atyre që në çfarëdo mënyrë kontribuuan dhe u sakrifikuan për liri e pavarësi.
Në tri pikat pasuese, Kuvendi me këtë rezolutë dënon çfarëdo përpjekjeje zyrtare ose tjetër, si dhe çfarëdo deklarimi të zyrtarëve publikë që synon ose angazhohet për amnistimin e Serbisë nga përgjegjësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë; çdo formë të shtrembërimit, relativizimit apo paraqitjes së pasaktë të fakteve historike që lidhen me luftën në Kosovë 1998-1999; nismat si ekspozita e fundit e organizuar në hapësirat publike në Prishtinë, që, me pasaktësitë në të dhëna mbi masakrat e Serbisë në Kosovë, nxisin reagime të gjera dhe provokojnë ripërjetimin e dhimbjeve duke rrezikuar deformimin e së vërtetës dhe fakteve historike.
Kuvendi ka ftuar Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, që sa më parë të hulumtojë dhe të dokumentojë të dhënat e sakta mbi masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë dhe të pasqyrojë të vërtetën historike në mënyrë të saktë dhe të plotë.
“Fton të gjitha institucionet shtetërore, institucionet akademike dhe institutet kërkimore, mediat, organizatat joqeveritare, shoqatat e profesionistët e fushës, qytetarët e familjarët e viktimave që të angazhohen në grumbullimin e materialeve, fakteve, dëshmive, provave e argumenteve duke i deponuar ato në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë”, thuhet në pikën e tetë të Rezolutës. “Mbështet dhe inkurajon përgatitjet për të paditur Serbinë për krimet gjenocidale të kryera në Kosovë”, vijohet në të nëntën.
Kuvendi ka ftuar organet e drejtësisë që të zhvillojnë një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm lidhur me praninë eventuale të elementeve penale në rastin e prezantimit të të dhënave të pasakta dhe të zbardhen deri në fund rastet e mundshme të kësaj natyre.
Krahas kësaj, ka obliguar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Presidencën që të reagojnë në kohë reale dhe proporcionalisht në rastet kur nëpër forume të ndryshme ndërkombëtare ose deklarata publike sulmohet e vërteta e luftës së fundit në Kosovë.
“Obligon institucionet përgjegjëse që çdo aktivitet publik, ekspozitë apo publikim që trajton periudhën e luftës, të bazohet në burime të verifikuara dhe të konfirmuara nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ndonjë institucion kërkimor shkencërisht kredibil, si dhe në vendime përfundimtare të institucioneve të drejtësisë, për të shmangur çdo interpretim që cenon dinjitetin e viktimave dhe të vërtetën e luftës çlirimtare”, thuhet në pikën e dymbëdhjetë të dokumentit. “Inkurajon komunitetin akademik, shoqërinë civile dhe studiuesit që të kontribuojnë në dokumentimin e saktë dhe të bazuar në fakte të historisë së luftës në Kosovë”, vijohet në të trembëdhjetën.
Kuvendi ka kërkuar që ky institucion dhe çdo institucion tjetër qendror apo lokal në Kosovë, para se të mbështesë financiarisht apo në çfarëdo mënyre, aktivitete që kanë për qëllim prezantimin e periudhës së luftës apo që përmbajnë elemente nga periudha e luftës, që të sigurohen për përmbajtjen e materialeve, saktësinë e të dhënave dhe të vërtetën historike.
Krahas kësaj, Kuvendi ka ndaluar financimin apo mbështetjen e organizatave që realizojnë ose promovojnë projekte që deformojnë të vërtetën historike dhe fyejnë viktimat.
Me pikën e fundit, Kuvendi ka konfirmuar “përkushtimin e plotë dhe të vazhdueshëm” për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin “e së vërtetës historike, si një nga shtyllat themelore të identitetit shtetëror, kushtetues dhe demokratik të Republikës së Kosovës, duke theksuar se kjo e vërtetë përbën bazën e ndërtimit të besimit qytetar, të edukimit të brezave të rinj dhe të forcimit të legjitimitetit të shtetit në planin vendor dhe ndërkombëtar; si dhe zotimin për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm institucional dhe ligjor për të parandaluar dhe kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërim, relativizim apo mohimin e fakteve historike që lidhen me luftën dhe sakrificën për liri”.
Rezoluta u miratua në seancën plenare, e cila nisi pa rend dite të përcaktuar paraprakisht në Kryesi, meqë PDK-ja që e ka sponsorizuar rezolutën ka insistuar që ajo të rangohet e para.
Që në start, Vetëvendosje doli me një mocion për plotësim të rendit të ditës.
Synoi t’i fusë në trajtim 10 projektligje, duke iu shmangur Rregullores, shtatë prej të cilave Gjykata Kushtetuese ia kishte rrëzuar për një ditë, pikërisht për shkak të procedurës së ndjekur gjatë miratimit.
Por ato dështuan të futeshin në rend dite, pasi partitë në opozitë s’u pajtuan me këtë.
“PDK e konsideron që këto projektligje nuk janë asnjë urgjente dhe si të tilla PDK-ja nuk i mbështet asnjë që të mundësohet të trajtohet jashtë procedurave të rregullta të parapara me rregullore. Kjo është veç tendencë dhe qasje e Qeverisë për të krijuar agjendë të fushatës zgjedhore”, tha Arian Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së.
Kundër u shpreh edhe Jehona Lushaku, kryetare e Grupit Parlamentar të LDK-së.
“Përmbajtja e ligjeve është tepër e rëndësishme. Por s’ka urgjencë të shihemi si makineri votimi e ligjeve që ju i sillni me urgjencë”, ka thënë ajo.
Edhe Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të AAK-së, foli në këtë linjë.
“Pse mbajmë mbledhje të Kryesisë. Pse duhet sa herë vijmë në këtë sallë, pse duhet sa herë diskutojmë për rend dite me hy e me dal diçka”, pyeti ai.
Meqë kjo kërkesë e Vetëvendosjes dështoi, një e PDK-së pati rezultat.
Propozimi për ta futur në rend dite rezolutën për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave të luftës ngjau si reprizë e seancës së kaluar, kur PDK-ja e donte si pikë të parë e Vetëvendosje nuk pajtohej me të.
“Qysh kemi m’u marrë vesh na për presidentin kur s’mundemi me u marrë vesh për një rezolutë për të cilën jemi dakorduar, a me u votu pikë e parë a e dhjetë”, tha Tahiri i AAK-së.
Me gjithë diskutimin, në këtë seancë u arrit një kompromis dhe rezoluta e harmonizuar nga të gjitha grupet parlamentare u fut ndër pikat e para të rendit të ditës.
Pa debat, me unanimitet të plotë e në mungesë të Listës Serbe, rezoluta kaloi me 90 votat e deputetëve të pranishëm në seancë.
Pas miratimit, PDK-ja e cila sponsorizoi rezolutën, e ka mirëpritur atë.
“Kjo rezolutë, e cila mori mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare, dëshmoi se për çështjet që lidhen me sakrificën dhe historinë tonë kombëtare mund dhe duhet të ketë unitet të plotë institucional”, thuhet në komunikatë. “PDK vlerëson se ky është një moment i rëndësishëm reflektimi dhe përgjegjësie politike, ku Kuvendi i Kosovës u ngrit mbi dallimet partiake për të mbrojtur të vërtetën historike dhe për të nderuar me dinjitet viktimat e luftës dhe familjet e tyre”.
Përplasje që lidhen me meritat në luftë apo akuzat për shërbim ndaj Serbisë kanë dominuar skenën politike që nga paslufta. Ato janë intensifikuar, veçmas pas publikimit të ekspozitës.