Arbëri

Kuvendi në pauzë, të gjithë presin Kushtetuesen

Kuvendi i Kosovës - 7 korrik

Foto: Driton Paçarada

Nga sot (27 korrik) ka hyrë në fuqi masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese që ndalon deputetët e zgjedhur të ndërmarrin çdo hap drejt konstituimit të Kuvendit deri më 8 gusht, pas 54 përpjekjeve. 

Kjo masë vjen pasi më 26 korrik përfundoi afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata për formimin e legjislaturës së re. Deputetët kishin edhe të shtunën mundësinë e fundit për ta konstituar Kuvendin, por përpjekjet dështuan.

Të shtunën, ata u mblodhën dy herë – në orën 14:00 dhe në 22:00 – në vazhdim të seancës së nisur më 15 prill. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari (Lëvizja Vetëvendosje) kërkoi krijimin e një komisioni për të mundësuar votimin e fshehtë për kryetarin e Kuvendit, por kjo nuk gjeti pajtimin e shumicës.

Mosmarrëveshjet lidhen me kandidaturën e Albulena Haxhiut, e propozuar nga Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa. Ajo nuk arriti të sigurojë asnjëherë shumicën e nevojshme prej 61 votash, duke dështuar gjashtë herë në votim të hapur. Tentimet për votim të fshehtë gjithashtu rezultuan pa sukses.

Gjykata Kushtetuese argumentoi se vendosja e masës ishte e domosdoshme, pasi çdo veprim pas datës 26 korrik “mund të shkaktonte dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Vendimi i saj lidhet me dy lëndë që ajo po shqyrton, të dorëzuara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilat pretendojnë se vazhdimet e fundit të seancave janë zhvilluar në kundërshtim me Kushtetutën.

Në ditët e ardhshme, pritet që Gjykata Kushtetuese të sqarojë pasojat ligjore për deputetët dhe hapat që duhet të ndërmerren më tej.