Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

S’ka kuorum për rezolutën e LDK-së për çmimin e naftës

1 d. më parë / 3 pri 2026 20:08
S’ka kuorum për rezolutën e LDK-së për çmimin e naftës

Photo: Driton Paçarada

Nuk është hedhur fare në votim rezoluta e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e që u mbështet edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, si dhe subvencionimin e çmimeve për sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë.

Në Kuvend ishin të pranishëm vetëm 27 deputetë. Seanca u përcoll me tensione e përplasje mes pushtetit e opozitës.

Rezoluta nuk u përkrah nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet me pretendimin se ulja e akcizës do të kishte efekt të vogël për qytetarët, por humbje të mëdha për shtetin.

Rezoluta parashihte uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 për qind në 8 për qind, si dhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm, përfshirë bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

PDK-ja kërkon pako emergjente për përballimin e çmimeve

1 d. më parë / 3 pri 2026 19:41
PDK

Photo: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës i ka kërkuar Qeverisë që urgjentisht të hartojë dhe ta zbatojë një pako emergjente për përballimin e ngritjes së çmimeve, në valën e fundit pas shtrenjtimit të derivateve nga lufta në Iran.

Duke akuzuar Qeverinë e po bojkoton qytetarët, PDK-ja ka thënë se kjo pako duhet të mbështesë familjet dhe bizneset.

“PDK i bën thirrje Qeverisë që urgjentisht të hartojë dhe të zbatojë një pako emergjente për përballimin e krizës ekonomike, e cila duhet të përfshijë masa konkrete për uljen e barrës financiare ndaj qytetarëve, mbështetje për familjet dhe bizneset. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për veprime të menjëhershme”, thuhet në një komunikatë për media të premten në mbrëmje.

Komunikata e PDK-së u publikua në kohën kur Kuvendi po shqyrtonte një rezolutë të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për çështjen e çmimit të derivateve. Pushteti refuzoi propozimin për uljen e TVSH-së dhe akcizës. E në shumicën e kohës së debatit, Kuvendi ishte vetëm me deputetë të opozitës.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për papërgjegjësinë dhe mungesën e seriozitetit të Qeverisë së Kosovës përballë krizës së rëndë ekonomike që po godet çdo familje në vend. Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohej për rritjen e çmimit të naftës, shërbimeve, tatimeve dhe inflacionit, Kryeministri, ministrat dhe deputetët e shumicës parlamentare bojkotuan për një pjesë të konsiderueshme të saj. Ky veprim përbën një shpërfillje të hapur ndaj qytetarëve që çdo ditë po përballen me rritje të kostos së jetesës dhe varfërim në rritje”, thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK-ja ka thënë se në vend të reagimit ndaj çmimeve të derivateve, Qeveria po hesht.

“Edhe kur u rikthye në seancë, Kryeministri zgjodhi të shfrytëzojë kohën për lojëra fjalësh dhe interesa partiake, në vend që të ofrojë zgjidhje konkrete për lehtësimin e barrës së qytetarëve”, thuhet tutje në reagimin e PDK-së.

Seanca u përcoll me tensione gjatë ditës. Në një rast, deputetja e PDK-së ia mori mikrofonin kryeministrit Kurti, ndërsa pati tensione edhe mes deputetëve të LDK-së e VV-së.

Musliu ia heq mikrofonin Kurtit: Kryeministër kthehu në temë

1 d. më parë / 3 pri 2026 18:06
Musliu ia heq mikrofonin Kurtit: Kryeministër kthehu në temë

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ia ka hequr mikrofonin gjatë fjalimit kryeministrit Albin Kurti.

Teksa Kurti fliste në foltoren e Kuvendit, Musliu u ngrit në këmbë duke shkuar dhe duke e marrë vetë fjalën.

“A ka mundësi të kthehesh në temë kryeministër sepse i ke pasur katër vjet me qeverisë dhe nuk ke realizuar asnjë projekt. Kthehu në temë e mos na shit përralla. Thirre kabinetin qeveritar këtu dhe mbajeni rendin. Kryeministër kthehu në temë”, i ka thënë ajo Kurtit.

Pas qetësimit të situatës, Kurti ka bërë “lutje për ruajtje të qetësisë institucionale dhe përgjegjësinë e përfaqësuesit të popullit”.

Ndërkaq gjatë fjalimit, deputetja e PDK-së, Arbnore Salihu ia hoqi flamurin kombëtar nga foltorja.

Kurti: Ulja e TVSH-së dhe akcizës krijon boshllëk financiar, po përgatitim pakon e inflacionit 2.0

1 d. më parë / 3 pri 2026 18:06
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ulja e TVSH-së dhe akcizës për naftën do të krijonte boshllëk të madh financiar në buxhetin e shtetit dhe se Qeveria është duke përgatitur Pakon e Inflacionit 2.0 në vlerë prej 200 milionë eurosh për të përballuar rritjen e çmimeve.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për çmimet e naftës, Kurti ka thënë se në kohë sfiduese është e lehtë të kërkohen zgjidhje të shpejta, por sipas tij, Qeveria synon zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata. Ai theksoi se situata aktuale me rritjen e çmimeve të naftës dhe energjisë ka sfiduar edhe ekonomitë më të mëdha në botë, ndërsa në Kosovë ende nuk ka pasur mungesë furnizimi me derivate.

“Në këtë kohë sfiduese, çmimet e naftës dhe energjisë kanë luhatje të vazhdueshme dhe është e lehtë të kërkohen zgjidhje të shpejta. Por detyra jonë nuk është të gjejmë rrugën më të lehtë, por ta zgjedhim rrugën më të drejtë, më të dobishme dhe më të qëndrueshme për vendin tonë. Situata aktuale ka sfiduar edhe ekonomitë më të mëdha në botë. Te ne efekti më dramatik nuk ka dhënë ende shenjat e veta pasi nuk ka pasur kufizim të furnizimit dhe as humbje të derivateve”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, kërkesat e parashtruara në këtë seancë nuk janë të reja. Ai ka thënë se ulja e TVSH-së dhe akcizës së naftës duket si zgjidhje e thjeshtë, por është e kushtueshme dhe me efekt të pasigurt. Ai përmendi rastet kur është ulur TVSH-ja në produkte esenciale dhe në gastronomi, por sipas tij, çmimet nuk kanë rënë.

“Ashtu siç e kemi parë kur është bërë ulja e TVSH-së në produkte esenciale nga 18 në 8% në vitin 2016, çmimet e tyre nuk kanë rënë. E njëjta është rifshaqur kur është ulur TVSH-ja te gastronomia gjatë pandemisë, çmimet nuk janë ulur”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se TVSH-ja dhe akciza janë burime shumë të rëndësishme të buxhetit dhe ulja e tyre do të krijonte vështirësi financiare, duke shtuar se vetëm heqja e 16 centëve akcizë për litër do t’i kushtonte buxhetit rreth 10 milionë euro në muaj.

Ai bëri të ditur se Qeveria është duke përgatitur Pakon e Inflacionit 2.0 në vlerë prej 200 milionë eurosh, duke theksuar se mbështetja direkte për qytetarët dhe bizneset është mënyra më efektive për të përballuar inflacionin, pasi subvencionimi i produkteve si nafta nuk garanton që përfitimi të arrijë te qytetarët.

Përmes një rezolute në seancën e sotme, LDK-ja ka kërkuar uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 për qind në 8 për qind, si dhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë – bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Kurti kthehet në Kuvend

1 d. më parë / 3 pri 2026 17:51
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti është kthyer në Kuvend aty po ku po mbahet seanca e jashtëzakonshme për çmimet e naftës.

Pas kthimit nga pauza, Lëvizja Vetëvendosje e bojkotoi seancën. Më pas u shfaqën deputetët Ilir Kërçeli e Driton Hyseni të cilët mbajtën fjalim.

Para pak minutash në sallë u fut edhe kryeministri Albin Kurti e ministrja e Industrisë, Ndëmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.

VV-ja bojkoton vazhdimin e seancës për çmimin e naftës

1 d. më parë / 3 pri 2026 16:38
Kuvendi i Kosovës

Photo: Driton Paçarada

Pas rikthimit nga pauza të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, pati kritika për bojkotimin e vazhdimit të seancës nga VV-ja. Ajo u shpreh se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur ta bojkotojë seancën.

“Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”, u shpreh Çitaku.

Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 për qind në 8 për qind, si dhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë – bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

“Hup, laper”, përplasje mes Mustafës së LDK-së e Azemit të VV-së

2 d. më parë / 3 pri 2026 15:29
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, u përfshi në një përplasje me deputetin e Vetëvendosjes, Egzon Azemi.

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë për një orë pas debatit që u zhvillua mbi çmimet e naftës.

Por, edhe pse seanca u ndërpre, debati nuk përfundoi.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, u përfshi në një përplasje me deputetin e Vetëvendosjes, Egzon Azemi.

“Hup, laper... ti po më thua *** (nuk dëgjohet) hup“, u dëgjua t’i thoshte Mustafa Azemit.

Ndërsa Azemi i thoshte: “Qetësohu, qetësohu”.

Abdixhiku: Nga kriza e naftës po përfitojnë vetëm bizneset, falë garancive të Qeverisë

2 d. më parë / 3 pri 2026 14:08
Lumir Abdixhiku

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e krizës së naftës, duke thënë se të vetmit që po përfitojnë janë bizneset, të cilave, sipas tij, u garantohet fitimi nga Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndëmarrësisë dhe Inovacionit (MINT), për shkak të çmimit tavan.

Për deklarimet e ministrit të Financave, Hekuran Murati, se kjo seancë është thirrur nga opozita për mbrojtjen e bizneseve, kryetari i LDK-së ka thënë se për 4-5 vjetët e fundit bizneset janë përfitueset kryesore nga kriza e naftës.

“Luftat nisin e përfundojnë, një gjë që mbetet konstante sipas terminologjisë së Vetëvendosjes është fitimi i garantuar prej MINT-it për bizneset e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Ai shtoi se opozita nuk kërkon të mbrojë fitimet e garantuara, por të ngritë një shqetësim në mënyrë të qytetëruar.

Abdixhiku përmendi dy alternativa: ose të presin zhvillime ndërkombëtare, si thirrja e ministrit të Jashtëm Glauk Konjufca për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, ose të ndërmerren masa konkrete brenda vendit. Ai theksoi se masat aktuale për të vendosur çmim tavan për karburantet nuk po funksionojnë, duke shtuar se çmimi ka arritur sot në 2 euro për litër.

“Dy alternativa i kemi para vetes: Presim që thirrja e ministrit tonë të Jashtëm Glauk Konjufca për hapjen e Ngushticës së Hormuzit të ndodhë e që nuk besoj të bëhet nga Ayatollahi i ri, dhe e dyta është që të marrim masa e që duhet të ndodhë. Nëse është puna te çmimi tavan, lajm i keq është se s’po funksionon. Çmimi sot ka shkuar 2 euro”, shtoi Abdixhiku.

Kusari-Lila: Prekja e TVSH-së apo akcizës ndikon vetëm tek operatori, jo te qytetari

2 d. më parë / 3 pri 2026 13:28
moza

Photo: Driton Paçarada

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ulja apo heqja e TVSH-së dhe akcizës për derivatet do të ndikonte vetëm tek operatori, por jo te konsumatori.

Ajo u është drejtuar deputetëve të opozitës se e kanë provuar më 2016 uljen e TVSH-së dhe se ajo ka treguar se nuk ka pasur efekt për çmimet e produkteve bazë.

“Ka ndodhur edhe një ulje e TVSH në qeverinë Mustafa më 2016 nga 18 në 8 për qind. Cili është bërë vlerësimi, a ka pasur të produkteve, jo. Ju e keni testuar të njëjtin propozim që po e sillni. D.m.th. ulja e TVSH-së ka treguar dy herë tashmë se nuk e ulë çmimin që qytetari që e blen në fund produktin do ta paguajë të njëjtin çmim”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila ka theksuar se me të hyrat nga akciza në buxhetin e shtetit sigurohet mbulimi i disa prej masave lehtësuese për qytetarë, si shtesat për lehona e fëmijë, shtesa që do të rrezikoheshin sipas saj nëse do të hiqej akciza e derivateve.

“Të hyrat e akcizës për buxhetin e shtetit janë afër 450 milionë euro, nënkuptojnë se në rast të heqjes së akcizës janë mangu 450 milionë euro vjetore, mujore 33 milionë euro. Nëse heq 20 cent nga 37.5 cent nga akciza për derivate i bie afër 20 milionë euro. Ndërsa në projeksionet për rritjet buxhetore është paraparë rritja e shtesave për lehona, për fëmijë, mbrojtja e qytetarëve me pakot për ballafaqimin e inflacionit. Çka po propozoni? Të heqim akcizën. Të ulim TVSH-në dhe cilën ta heqim prej masave. Këto të dyja në burim ndikojnë drejtpërdrejt vetëm tek operatorët”.

Murati: Ulja e akcizës do të kishte efekt të vogël te qytetarët, por humbje të mëdha për shtetin

2 d. më parë / 3 pri 2026 12:56
Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar propozimin e opozitës për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, duke thënë se kjo masë do të kishte efekt shumë të vogël për qytetarët, por humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.

Murati deklaroi se ulja e akcizës për 16 centë për një familje që shpenzon rreth 50 litra naftë në muaj përkthehet në rreth 8 euro kursim në muaj. Sipas tij, kjo shumë është e vogël për qytetarët, ndërsa për buxhetin e shtetit do të nënkuptonte rreth 10 milionë euro më pak të hyra në muaj.

Ai akuzoi opozitën se këto propozime nuk po bëhen për qytetarët, por për bizneset që, sipas tij, i mbështesin këto parti. Murati kujtoi edhe kohën kur Qeveria kishte filluar shtesat për fëmijë prej 10 euro në muaj, për të cilat, sipas tij, opozita kishte reaguar duke i konsideruar si vitra, ndërsa tani po propozon masa që qytetarëve do t’u kursenin edhe më pak.

“Nuk e kanë për qytetarët, por për bizneset që i mbështesin këto parti. Ulja e akcizës për 16 centë për një familje që shpenzon 50 litra naftë në muaj përkthehet në 8 euro. Ju kujtohet kur kemi filluar shtesat e fëmijëve me 10 euro, këta thonin se janë vitra e tash propozimi i tyre është uleni akcizën t’i kursejnë 8 ero në muaj, e për shtetin kjo përkthehet në 10 milionë euro më pak të hyra në muaj”, u shpreh Murati.

E deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e akuzoi Muratin se po bën propagandë. 

Tahiri i përgjigjet Hajdarit: Ulja e TVSH-së nuk do të kishte efekt në buxhetin e shtetit

2 d. më parë / 3 pri 2026 12:41
Besnik Tahiri

Photo: Driton Paçarada

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se ulja e TVSH-së nga 18 në 8% për naftën nuk do të kishte ndikim negativ në buxhetin e shtetit, pasi sipas tij, rritja e çmimit të naftës ka rritur edhe të hyrat e shtetit nga taksat.

Tahiri ka thënë se aktualisht nuk po flitet vetëm për çmimin e naftës, por për barrën e madhe që kriza ka sjellë për qytetarët, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve bazë. Ai kritikoi Qeverinë për, siç u shpreh, mungesë reagimi ndaj krizës ekonomike.

Sipas tij, edhe nëse TVSH-ja për naftën ulet nga 18 në 8 për qind, nuk do të ketë ndikim në të hyrat e shtetit, pasi çmimi i naftës është rritur dhe për pasojë janë rritur edhe të hyrat nga TVSH-ja, duke iu kundërpërgjigjur deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Rozeta Hajdari, e cila u shpreh se ulja e akcizës dhe TVSH-së mund të rrezikojë pagat dhe shërbimet publike.

Tahiri shtoi se aktualisht shteti merr rreth 65 centë për litër naftë nga taksat, ndërsa sipas tij, kjo barrë po u lihet qytetarëve dhe Qeveria nuk po ndërmerr veprime konkrete për të lehtësuar situatën.

Hamza: Qeveria po sillet si vëzhguese pasive e gjendjes ekonomike

2 d. më parë / 3 pri 2026 12:30
hamza

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, e ka akuzuar Qeverinë për mosmarrje të masave lidhur me rritjen e çmimit të naftës në vend, duke e quajtur atë “vëzhguese pasive”.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të marrë masa, qofshin përmes ndryshimeve ligjore.  

“Qeveria nuk është duke e marrë në konsideratë ndikimin e kësaj dukurie në përkeqësimin e standardit të jetesës së qytetarëve”, ka thënë ai duke e lidhur rritjen e çmimit të naftës me rritjen e çmimeve të produkteve të tjera.

“Çmimi i biletave, a beson dikush që ulet nafta dhe kthehet çmimi i biletave të transportit në nivelin paraprak. Jo këtu ngelet. Qeveria po sillet si vëzhguese pasive”.

Hamza ka paralajmëruar debat parlamentar për shpenzimin e parasë publike, posaçërisht tremujorin e kaluar.

“Kjo qeveri nuk është duke e kujdesur për zhvillimin ekonomik, standardin e jetesës, por është duke bë veprime veç qysh me i konvertu në votë. Blerjen e votës përmes parasë publike”, ka shtuar ai.

Hajdari: Ulja e akcizës dhe TVSH-së për naftën rrezikon pagat dhe shërbimet publike

2 d. më parë / 3 pri 2026 12:23
Rozeta Hajdari

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Rozeta Hajdari, ka kundërshtuar kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, duke e cilësuar këtë propozim si ekonomikisht të papërgjegjshëm dhe politikisht populist.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të premten ku po diskutohet për rritjen e çmimeve të naftës, ajo ka thënë se ulja e të hyrave publike pa një plan të qartë se si do të kompensohen ato do të ndikonte drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, duke rrezikuar financimin e pagave për mësuesit, mjekët, investimet publike dhe mbështetjen për familjet dhe bizneset.

Hajdari theksoi se rritja e çmimit të naftës është pasojë e inflacionit dhe krizave gjeopolitike, ndërsa pyeti nëse vendi është i gatshëm të shkurtojë shërbimet publike për një masë që, sipas saj, nuk garanton ulje reale të çmimeve të naftës.

Ajo shtoi se me qeverisjen aktuale janë ndërmarrë masa për formalizimin e tregut të naftës, evitimin e kostove të panevojshme dhe rritjen e transparencës, të cilat sipas saj kanë efekt real dhe afatgjatë në treg.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshëm dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë”, ka thënë Hajdari.

LDK-ja kërkon ulje të akcizës dhe TVSH-së për naftën, si dhe subvencionim për sektorët e ndjeshëm

2 d. më parë / 3 pri 2026 12:07
Jehona Lushaku-Sadriu

Photo: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një rezolute në Kuvend ka kërkuar uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, si dhe subvencionim të naftës për sektorët më të ndjeshëm, duke paralajmëruar se rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës po rrezikon të thellojë krizën ekonomike dhe sociale në vend.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, gjatë prezantimit të rezolutës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendi të premten theksoi se rritja e çmimit të naftës nuk është vetëm çështje tregu, por ka ndikim të drejtpërdrejtë në çdo familje dhe biznes, pasi sipas saj, nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit.

Lushaku-Sadriu ka thënë se institucionet deri më tani nuk kanë marrë masa për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve, duke shtuar se Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës.

Ajo bëri të ditur se rezoluta e LDK-së kërkon nga Qeveria uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 për qind në 8 për qind, si dhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë – bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.