Arbëri

Kuvendarët në Lipjan kërkojnë rregullimin e rrugëve me zhavorr në fshatin Brus

Kuvendarët në Lipjan gjatë mbledhjes të së hënës kanë debatuar për një varg çështjesh në interes të qytetarëve. Në mesin e tyre është kërkuar nga ekzekutivi që të rregullohen me zhavorr disa rrugë në fshatin Brus me arsyetim se banorët e këtij fshati po shpërngulen shkaku i mungesës së infrastrukturës.

Rreth kësaj çështje është debatuar mjaftë gjatë. Ndërkohë, pushtetarët u zotuan se do t’i shikojnë mundësitë buxhetore për ta bërë një investim të tillë, pasi që deri më tash nuk e kanë pasur një mundësi të tillë. Edhe KOHA muaj më parë pati raportuar lidhur me shqetësimet e banorëve në këtë fshat të cilët po kërkojnë rregullimin e rrugëve me zhavorr. Ndërkaq, Sipas kuvendarit Alban Salihu nga LVV-ja në këtë fshat, pikërisht në lagjen “Bukavisht” banorët kanë adresuar disa herë kërkesa në Komunë, por deri më tash nuk janë shqyrtuar ato.

“Banorët e këtij fshati prej më shumë se dhjetë vjet po kërkojnë të shtrohen me zhavorr disa rrugë nëpër lagje. Banorët janë ankuar se si pasojë e mungesës së infrastrukturës rrugore, shumica e familjeve e kanë boshatisur fshatin. Sa unë e kam parë, aty nuk bëhet fjalë për ndonjë investim të madh, dhe mendohej që një investim i tillë do t’i shtynte ata banorë që të zhvillojnë aktivitete të përshtatshme për atë fshat, siç është blegtoria etj”, ka thënë Salihu.

Sipas tij, së fundi e ka parë një përgjigje me shkrim që kryetari i Kuvendit i ka kthyer banorëve duke iu premtuar për një projekt të tillë, por që nuk ka ndodhur ende.

“Kryetari i Kuvendit ju thotë në atë shkresë që në bashkëpunim me drejtoritë përkatëse do të angazhohen që të shqyrtojnë mundësitë buxhetore që kjo kërkesë të realizohet. Gjithashtu mendojë që ky investim mund edhe të nxiste turizmin pasi që është zonë shumë e bukur natyrore, dhe pse jo në të ardhmen të shikohen mundësitë që të investohet në ndonjë rrugë që e lidhë fshatin Brus me Janjevën”, ka thënë midis të tjerash Salihu.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti është zotuar se ky investim mund të ndodh në të ardhmen pasi që deri më tash nuk ka pasur mundësi buxhetore.

“Këtu nuk bëhet fjalë për gjithë fshatin Brus, por për dy familje e që njëra prej tyre jeton në Prishtinë, por është e drejtë të kërkojnë që rruga të rregullohet me zhavorr dhe ne duhet ta gjejmë mundësinë që ta bëjmë por deri më tash nuk kemi pasur mundësi. Kjo puna e zhavorrimit e kemi provuar kohë pas kohe por nevojat kanë dalë shumë të mëdha dhe nuk është aq e lehtë të futemi në këto agjenda. Ajo që është e nevojshme rruga Janjevë-Brus, ka një kosto të lartë dhe unë mendoj se duhet të ndërtohet por edhe Qeveria duhet të na ndihmoi”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, niveli qendror në buxhetin e ardhshëm që pritet të aprovohet nga Qeveria e ka anashkaluar Lipjanin me investime, andaj sipas Ahmetit është mirë që institucionet Qendrore duhet së paku me një projekt ta ndihmojnë Komunën e Lipjanit.

Ndërkohë Xhavit Gashi banor nga fshati Brus, ka thënë për Kohen se që nga viti 2011 rreth dhjetë ankesa dhe kërkesa zyrtare i ka deponuar në komunë por deri më tash nuk janë shqyrtuar ato. Ai kërkon që sa më shpejtë të shqyrtohen kërkesat e tyre pasi që banorët mund të rikthehen në shtëpitë e tyre.

“Unë mendoj se ne lagjja ‘Bukavisht’ jemi të diskriminuar nga projektet e komunës sepse Komuna ka pasur mundësi të bëjë investime të tjera, por tek ne nuk ka investuar ende. Nuk duhen shumë mjete buxhetore sepse ne po kërkojmë zhavorr për këtë rrugë e cila është e pa kalueshme me vetura, prandaj kërkojmë edhe një herë që sa më shpejtë të rregullohet rruga”, është ankuar Gashi.