Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

Ankesën në Kushtetuese e kishte dorëzuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Kosovës. Ai kishte kërkuar të vlerësohet kushtetutshmëria e dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit si dhe vendosjen e masës së përkohshme. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas masës së përkohshme e cila vlen deri më 31 mars, ndalohet "çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi; (ii) të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026".

“Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes të cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimit të çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

Po ashtu u tha se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë nga ana e institucioneve është në interes publik dhe i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës.

“Rrjedhimisht, Gjykata, pa paragjykuar meritat e kërkesës KO72/26 konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës në përputhje me arsyetimin e këtij Vendimi”, thuhet në  vendim.

Gjithashtu në vendim theksohet se më 9 mars 2026, gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja lidhur me kërkesën KO72/26. Të njëjtën ditë, Gjykata, njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban.

Më 5 mars 2026, Kuvendi i Republikës së Kosovës, bazuar në kërkesën e 42 deputetëve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje mbajti seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës “Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.  Nga procesverbali i seancës së jashtëzakonshme, të 5 marsit 2026, u propozuan kandidatë për President, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha – Kollçaku.

Vendimi i plotë

 

Vetëvendosje: Vendimi i Kushtetueses ndaloi një veprim të nxituar që cenoi rendin kushtetues

20 min. më parë / 9 mar 2026 21:25
Vetevendosje logo

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se mirëpret vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur masën e përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërbërje të Kuvendit. 

“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese  ndalon një veprim të nxituar dhe të pajustifikuar që cenoi rendin kushtetues dhe demokracinë parlamentare në vend. Vendosja e kësaj mase të përkohshme ndaj Dekretit që shpërndau Kuvendin siguron që të mos krijohen pasoja të pariparueshme derisa Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë në themel çështjen e kushtetutshmërisë së këtij dekreti. I cili për bindjen tonë të thellë është antikushtetues. Lëvizja VETËVENDOSJE! rithekson se vullneti i qytetarëve nuk mund të anashkalohet apo të zëvendësohet me vendime të njëanshme. Ai shprehet në përfaqësimin demokratik parlamentar”, është thënë nga Lëvizja Vetëvendosje. 

Sipas masës së përkohshme, që është në fuqi deri më 31 janar, presidentja Vjosa Osmani s’mund t’i shpallë zgjedhjet, por edhe Kuvendi mbetet pa aktivitet. 

“Aktualisht sipas masës së Gjykatës Kuvendi mbetet pa aktivitet dhe pa i shërbyer të mirës publike me vendimet e tij. Edhe pse për të dalë me vendim Gjykata po i kërkon 3 javë kohë, presim që vendimi përfundimtar të mbrojë Kushtetutën, rendin demokratik dhe legjitimitetin e institucioneve të Republikës”, thuhet nga Vetëvendosja. 


 

Qeveria: Presim që vendimi përfundimtar i Kushtetueses të japë qartësi të plotë

37 min. më parë / 9 mar 2026 21:07
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit, jep hapësirë që të trajtohet çështja në mënyrë të plotë nga Gjykata Kushtetuese. 

Kushtetuesja ka vendosur masë të përkohshme të hënën, deri më 31 mars. Gjatë kësaj periudhe presidentja nuk mund t’i shpallë zgjedhjet e reja e as Kuvendi nuk mund të punojë. 

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me Dekretin për shpërndarjen e Kuvendit pezullon zbatimin e këtij dekreti deri në shqyrtimin në merita të çështjes. Ky vendim krijon hapësirën që çështja të trajtohet në mënyrë të plotë nga Gjykata Kushtetuese, në përputhje me rendin kushtetues dhe parimet e funksionimit demokratik të institucioneve. Për tre javë jemi në gjendje pritjeje ndërkohë që një sërë marrëveshjesh dhe vendimesh me rëndësi për qytetarët vazhdojnë të mbeten pa miratimin e Kuvendit. Qeveria pret që vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të japë qartësi të plotë mbi këtë çështje dhe të përcaktojë standardin kushtetues që në të ardhmen institucionet dhe qytetarët mos të përballen me këto pengesa serioze”, thuhet në reagimin e Qeverisë. 
 

Mustafa pyet VV-në: A është e kapur Kushtetuesja nga opozita

3 o. më parë / 9 mar 2026 18:28
Besian Mustafa

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme në lidhje me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit, e ka pyetur Lëvizjen Vetëvendosje nëse mendon tash se Kushtetuesja është e kapur nga opozita.

Në një postim në Facebook ka përmendur edhe gjyqtarin Radomir Llaban, duke pyetur VV-në nëse është rrezik për sigurinë kombëtare.

“A na tregon VV tash a është Gjykata Kushtetuese “e kapur nga opozita”? A është ai gjyqtari serb ende rrezik për sigurinë kombëtare? Apo tash që po i pëlqen ky vendim VV-së, Gjykata është krejt në rregull dhe ai serbi është burrë i mirë?”, ka shkruar Mustafa.

Në vendimin e Kushtetueses, ndër të tjera theksohet se gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja lidhur me kërkesën KO72/26. Të njëjtën ditë, Gjykata, njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban.

Nagavci mirëpret vendimin për masë të përkohshme

3 o. më parë / 9 mar 2026 18:27
Arbërie Nagavci

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosje të masës së përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës. Ajo ka thënë se pret një “trajtim profesional nga Gjykata dhe miratim të kërkesës”. 

“Mirëpresim vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese ndaj dekretit të Presidentes. Besojmë se kërkesa jonë është e drejtë dhe se argumentet tona janë të qarta e të bazuara në Kushtetutë. Presim një trajtim profesional nga Gjykata dhe miratimin e kërkesës sonë. Ashtu siç e kemi cekur edhe në Kërkesë, presim që Gjykata të nxjerrë Aktgjykim me të cilin vendos: -të anulojë Dekretin nr. 24/2026, të datës 06.03.2026, të Presidentes për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë (X) të Kuvendit të Republikës së Kosovës; -si dhe të urdhërojë deputetët e Kuvendit që të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit/Presidentes së re, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh nga nxjerrja e këtij aktgjykimi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend”, ka shkruar Nagavci në Facebook. 
 

Kushtetuesja ka vendosur masën e përkohshme deri më 31 mars, ndërsa do të shqyrtojë edhe kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes Vjosa Osmani. 


 

Sallahu: Masa e përkohshme ndalon përmbysjen e rendit kushtetues

3 o. më parë / 9 mar 2026 18:20
sallahu

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili vendosi masë të parakohshme lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani, për shpërndarje të Kuvendit.

Derisa e ka quajtur dekretin e Osmanit antikushtetues, ka thënë se e ndalon atë të prodhojë pasoja juridike dhe të përmbysë rendin kushtetues.

Sallahu ka deklaruar se zgjedhje do të ketë vetëm kur e thotë Kushtetuta.

“Gjykata Kushtetuese ka marrë masë të përkohshme. Kjo e ndalon që dekreti antikushtetues të prodhojë pasoja juridike. Për më tepër, kjo e ndalon përmbysjen e rendit kushtetues. Prandaj, zgjedhje do të ketë veç kur e thotë Kushtetuta…”, ka shkruar ai.