Gjykata Kushtetuese ka thënë se ende është duke i trajtuar kërkesat e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një përgjigje për Kohën, Kushtetuesja ka thënë se vendimi do të merret pasi që Gjykata të trajtojë të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të ngritura në kërkesat e parashtruara.
“Kërkesat e fundit përkitazi me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë në procedurë të shqyrtimit nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që Gjykata të trajtojë të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të ngritura në kërkesat e parashtruara. Për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.
Në kërkesën e presidentes theksohet që zgjidhja e këtij konflikti kompetencash paraqet nevojën që të sqarohen:
1. Pasojat juridike të mungesës së konstituimit të Kuvendit brenda afateve të caktuara në nenin 66.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës.
2. Pasojat juridike të konstituimit të Kuvendit pas afateve të caktuara në nenin 66.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës.
3. Autorizimet, kufizimet dhe pasojat në ushtrimin e kompetencave të Presidentes së Republikës në raport me një Kuvend që konstituohet pas afateve të caktuara në nenin 2066.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës.
Kushtetueses i janë drejtuar për të njëjtën çështje edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Më herët i ishte drejtuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq përgjigjen e ka marrë në qershor.
Në vendimin e publikuar më 24 shkurt, Gjykata Kushtetuese ua ka ndaluar deputetëve çdo vendim dhe veprim pas kalimit të afatit 30-ditor që e pati përcaktuar në aktgjykimin e parë (pas kërkesës së AAK-së). Masa e përkohshme e Kushtetueses, e përcakton se kjo ndalesë vlen nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Në vendimin e saj, Gjykata ka konsideruar që nëse nuk vendoset masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 27 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës.