Arbëri

Kurti takon QUINT-in: Kosova i ka plotësuar kriteret për anëtarësim në Këshill të Evropës

Albin Kurti

Foto: Zyra e Kryeministrit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është takuar të hënën me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Nëpërmjet një komunikate, Zyra e Kryeministrit njoftoi se temë qendrore e takimit ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ku u tha se Kosova i ka plotësuar kriteret ligjore dhe institucionale për të qenë pjesë e kësaj organizate.

Kurti ka deklaruar se avancimi i mëtejshëm i Kosovës do të reformat demokratike njihen dhe vlerësohen në kontekste të vështira politike “në të cilat kërkohen vendime parimore dhe strategjike që përforcojnë unitetin dhe qëndrueshmërinë evropiane”.

“Si rezultat i vonesave në anëtarësim, shtoi më tej kryeministri, po të vazhdohet t'u mohohet qytetarëve të Kosovës, përfshirë komuniteteve joshumicë dhe grupeve tjera të cenueshme, e drejta në qasje në Gjykatë Evropiane të të Drejtave të Njeriut, një mekanizëm ky mbrojtës kyç që do të mund të forconte ndjeshëm të drejtat individuale dhe llogaridhënien”, thuhet në komunikatën për media.

Po ashtu u tha se gjatë takimit, Kurti ka diskutuar me përfaqësuesit ndërkombëtarë edhe për rrugën para në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe zhvillimet e fundit në vend.

 


 

Ambasadorët e QUINT-it ia theksojnë Kurtit urgjencën për formimin e qeverisë së re

2 o. më parë / 12 maj 2025 17:15
Ambasadorët e QUINT-it

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it janë takuar të hënën me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, për të biseduar për situatën politike në vend. 

Ambasadorët ia kanë cekur Kurtit nevojën që të formohen sa më shpejt institucionet. 

Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të formohet edhe pas 14 tentimeve të dielën. Të martën është tentimi i 15-të. 

“Sot ambasadorët e QUINT-it janë takuar me kryeministrin në detyrë Kurti. Është theksuar nevoja për të formuar sa më shpejt një qeveri të re, që Kosova të ecën para drejt prioriteteve kyç si avancimi drejt integrimit Euro-Atlantik”, është njoftuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë. 

Për takimin ka njoftuar edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav. 

“Sot, ambasadorët e QUINT-it u takuan me kryeministrin në largim Kurti. Për progres në integrimin evropian të Kosovës, duhet një qeveri stabile dhe funksionale. Status-quo aktuale nuk i sjell dobi askujt”, ka shkruar Orav në platformën “X”.

 

 

E ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se ka inkurajuar për formimin e një qeverie të re dhe atë sa më shpejt të jetë e mundur. 

“Këtë pasdite takova, së bashku me ambasadorët e tjerë të QUINT-it, kryeministrin në detyrë Kurti. Inkurajova formimin e një qeveri të re, sa më shpejt të jetë e mundur, të veprohet në interesa të Kosovës dhe njerëzve të saj, duke bërë progres në çështjet vitale, si zhbllokimi i fondeve dhe vazhdimi drejt integrimit euroatlantik”, ka shkruar Hargreaves në Facebook.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, po ashtu ka thënë se duhet formuar sa më shpejt qeveria e re. 

“Kosovës i duhet një qeveri stabile që është e aftë të marrë vendime. Më mirë dje se nesër. Presin shumë detyra të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare dhe nevojitet përparim në çështjet jetike. Ky ishte mesazhi kryesor që zëvendësi im, së bashku me kolegët e QUINT-it, përcollën në një takim me kryeministrin në detyrë Kurti”, ka shkruar Rohde. 

Kosovo needs a stable government that is capable to take decisions. Better yesterday than tomorrow. Too many important domestic + international tasks await & progress on vital issues is needed. This was the main message my Deputy conveyed along with Quint colleagues in a meeting with Acting PM Kurti

Ambassador Jörn Rohde (@pristina.diplo.de) 2025-05-12T15:10:32.207Z