Arbëri

Kurti s’përgjigjet pse e shkollon vajzën jashtë shteti: Kujdesem për të gjithë fëmijët e Kosovës

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është pyetur të premten gjatë përurimit të një çerdheje në Podujevë, se a janë të mjaftueshme investimet që Qeveria po bën në arsim, ashtu që vajza e tij të shkollohet në Kosovë.

E në përgjigje, ai ka refuzuar të flasë për vajzën e tij, por ka thënë se kujdeset për të gjithë fëmijët e Kosovës.

“Ju falënderoj shumë që po i ndiqni këto investime që po i bëjmë ne këtu, dhe natyrisht që unë kujdesem për të gjithë fëmijët e Kosovës, edhe po bëjmë atë çfarë s’ka bërë asnjë qeveri para neve. Madje të gjitha qeveritë marrë së bashku nuk mund të krahasohen me numrin e çerdheve që kemi hapur ne. Katër çerdhe për 18 vjet, në njërën anë, dhe në anën tjetër i kemi vetëm për katër vjet 65 çerdhe ose të ndërtuara ose në ndërtim e sipër”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

Kurti ka vazhduar duke iu drejtuar gazetares së mediumit Klan Kosova, duke e përmendur përsëri çështjen e Devollëve dhe të Telekomit.

“Ndërkaq, sa i përket televizionit tuaj, unë besoj që është mirë t’ju thoni pronarëve që t’i kthejnë 62.6 milionë euro Telekomit të Kosovës që ia kanë zhvatur”, ka thënë Kurti.

Një rast i ngjashëm pati ndodhur edhe në fillim të gushtit. Kurti pati reaguar njësoj edhe kur ishte pyetur për mungesën e albuminave, duke iu drejtuar gazetares me çështjen e Telekomit dhe Korporatës Devolli. Për rastin pati reaguar Asociacioni i Gazetarëve që e pati quajtur të papranueshme qasjen e Kurtit.