Arbëri

Kurti nesër në Tiranë për Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të premten do të marrë pjesë në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian që mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Ndërkaq, sipas njoftimit të Kryeministrisë, sonte, kryeministri në detyrë merr pjesë në Darkën e Liderëve në kuadër të këtij samiti.

Plani i Rritjes, që mbulon periudhën 2024-2027, përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh, e miratuar nga BE-ja në fund të vitit 2023, për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.

Për të përfituar nga këto fonde, vendet duhet t’i përfundojnë reformat e kërkuara nga BE-ja, që përfshijnë sektorin privat, tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin.

Nga kjo paketë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, prej të cilave mbi 250 milionë si grant pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formë kredie me kushte të favorshme.

Kosova ishte ndër të parat që miratoi agjendën e reformave, por fondet mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së institucioneve që ta ratifikojnë marrëveshjen formale me BE-në.