(Tekst i përditësuar) - Kryeministri Albin Kurti ka pritur në orët e vona të së mërkurës emisarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Deri në mesnatë, Qeveria dhe as Sorensen nuk kanë publikuar ndonjë njoftim për takimin, por burime të KOHËS kanë thënë se ai ka nisur në orët e darkës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSorensen ka nisur vizitën në Prishtinë, pasi ai vizitoi Beogradin më 9 prill, ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Qëllimi i takimit me Vuçiqin, mes tjerash, sipas Sorensenit, ishte avancimi i diskutimeve për çështjet kryesore të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, e edhe për “analizimin e përparimit” në zbatimin të Ligjit të Kosovës për të huajt.
E njohësi i çështjeve politike, Artan Alija e vlerëson si të pakuptimtë tentimin e BE-së për organizimin e një rundi të ri bisedimesh Kosovë-Serbi, pa gatishmërinë e Beogradit zyrtar për të bashkëpunuar në funksion të mbajtjes përgjegjës të pjesëtarëve të grupit terrorist që organizoi sulmin në Banjskë, në shtator të 2023-tës.
Sipas tij, BE-ja po mundohet të improvizojë me negociatat por pa ofruar një zgjidhje të përhershme. Ai ka thënë se Qeveria duhet të mbajë qëndrimin e mëparshëm që të mos ketë dialog pa dorëzimin e kryesve të sulmit në Banjskë.
“Nuk do të ketë dialog pa dorëzimin e të gjithë atyre që janë përgjegjës për të dy këto sulme makabre ndaj shtetit tonë. Në anën tjetër duhet të kemi kujdes që të mos duket ndërkombëtarisht Kosova si pala që po bllokon dialogun”, ka thënë Alija.
Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit është mbajtur në shtator të 2023-tës, disa ditë para sulmit terrorist në Banjskë.
Sorensen herën e fundit në Kosovë ishte një muaj më parë, kur bashkë me kryeministrin Kurti arritën dakoordimin për lehtësira për serbët, gjatë procesit të zbatimit të Ligjit për të huajt.
Këtë, shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Kaja Kallas, e pati vlerësuar si moment të ri në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe pati shprehur gatishmërinë që së shpejti ta organizojë një takim të nivelit të lartë.
Për harmonizim të hapave të ardhshëm në dialog, Sorensen muajin e kaluar pati zhvilluar takime edhe me zyrtarin e lartë të Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Brendan Hanrahan.