Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specalizuara në Hagë që t'i caktohet burgim prej 45 vjetësh secilit nga katër ish-krerëve të UÇK-së.
Kurti ka thënë se kjo kërkesë nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Sipas Kurtit kjo injoron plotësisht edhe kontekstin e luftës në Kosovë.
"Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare", ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje Kurti ka shkruar se "Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre".