Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të shtunën me homologun nga Kroacia, Andrej Plenkoviq, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih.
Sipas pamjeve të publikuar nga Radiotelevizioni i Kosovës, gjatë bisedës së shkurtër para nisjes së takimit zyrtar, Kurti i ka bërë të ditur homologut kroat se pas zgjedhjeve të fundit, tashmë gëzon një shumicë solide për të qeverisur.
Nga ana e tij, Plenkoviqi e ka uruar Kurtin për mandatin e ri, ndërsa të dy liderët janë përshëndetur para se të hynin në sallën e rezervuar për takimin bilateral.
Nga Kryeministria më vonë u njoftuar se në takimin mes tyre u bisedua rreth situatës në rajon, sigurisë dhe mbrojtjes, bashkëpunimit bilateral dhe luftimin e krimit të organizuar. Si dhe njoftohet se u diskutua edhe për mundësinë e një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive.
Në margjinat e Konferencës, Kurti gjatë ditës së djeshme u takua edhe me sekretarin e Shtetit për Punë të Brendshme të Gjermanisë, Hans-George Engelke. Me të diskutoi për mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, edhe në fusha si siguria dhe lufta kundër krimit.
Presidentja Vjosa Osmani e anuloi pjesëmarrjen në këtë Konferencë shkaku i angazhimeve të brendshme.
Plenkoviqi flet me Kurtin për statusin e pakicës kroate në Janjevë
Kryeministri i Kosovës dhe ai i Kroacisë kanë zhvilluar takim në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih të shtunën, e ku kanë biseduar për disa çështje.
Një nga temat e diskutuara mes Albin Kurtit e Andrej Plenkoviqit ishte statusi i pakicës kroate në Janjevë.
Ndërkohë, Plenkoviqi ka uruar Kurtin për rizgjedhjen si kryeministër derisa ka theksuar se Kroacia vazhdon ta mbështesë Kosovën në rrugën drejt BE-së.
“Ne vazhdojmë t’i forcojmë marrëdhëniet bilaterale dhe e mbështesim rrugën evropiane të Kosovës. Gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih diskutuam situatën në rajon, sfidat e sigurisë dhe statusin e pakicës kroate në Janjevë”, ka shkruar Plenkoviq në X.
Kroacia në të kaluarën ka kërkuar që komuniteti kroat në Kosovë të njihet me Kushtetutë si pakicë.