Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka vlerësuar si pozitiv Raportin e sivjetmë të Progresit, megjithëse për Kosovën në këtë raport konstatohet progres i kufizuar e stagnim.
Sipas Kurtit, këtë vit nuk ka pasur kthim prapa në pothuajse asnjë fushë.
“Këtë vit edhe pse kemi qenë qeveri në detyrë Raporti konstaton se kemi kryer detyrat me sukses. Integrimi në BE mbetet prioritet dhe strategjik Kosovës. Raport sivjet është pozitiv në të gjitha fushat pothuajse dhe ofron rekomandime ku ka ngecje. Këtë vit nuk ka pasur kthim prapa në asnjë fushë, ka progres në 35 fusha dhe ngecje në 3. Progresi varion nga i kufizuar në të përparuar. Orientimi ynë është i qartë - anëtarësimi në BE. Raporti konfirmon përkushtimin tonë për procesin e integrimit”, ka theksuar ai në konferencë për media.
Kurti është kritikuar në opinion se për shkak të vendimeve që ka marrë në qeveri ka dëmtuar marrëdhëniet me shtetet mike. E, Kurti të martën ka thënë se kjo gjë në Raport është parë si “progres në marrëdhëniet me jashtë”.
“Ajo çka në opinionin publik te ne reflektohej si prishje e raporteve me jashtë, ky raport tregon se është progres në marrëdhëniet me jashtë. Në marrëdhëniet me jashtë raporti thekson avancim të dukshëm, përparim në zbatim të marrëveshjeve të tregut të përbashkët rajonal 2021-2024. Do të angazhohemi që rekomandimet e raportit të kthehen në zbatim”, ka thënë ai.