Arbëri

Kurti ankohet se gazetarët “s’verifikuan sa mund të realizoheshin premtimet e fushatës”

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka takuar shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë 2025, Nathalie Loiseau. Ai ka ngrehur disa ështje që lidhen me procesin zgjedhor. 

Kurti i është ankuar Loiseaut për, sipas tij, mungesë verifikimi nga gazetarët hulumtues të realizueshmërisë së premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore. 

“Gjatë diskutimit, ai ngriti disa çështje me rëndësi që lidhen me procesin zgjedhor, përfshirë: -mungesën e verifikimit nga gazetarët hulumtues profesionistë të realizueshmërisë së premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore nga përfaqësues të partive politike, veçanërisht nga kandidatët për kryeministër, të cilat rrezikojnë të cenojnë besimin e qytetarëve dhe dëmtojnë demokracinë; -financimin e fushatave zgjedhore të partive politike, duke theksuar nevojën për transparencë të plotë të burimeve të financimit dhe kontributeve të marra gjatë fushatës; dhe -stërgjatjen e numërimit të votave”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Gjatë takimit, Loiseau i dorëzoi Kurtit raportin përfundimtar të misionit mbi zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt 2025.

Po ashtu, Kurti ka folur për ndërhyrje të jashtme në procesin zgjedhor. Ai ka përmendur përhapjen e dezinformatave nga mediat ruse me bazë në Serbi, si "RT Balkans" dhe "Sputnik Srbija" që, si ka thënë ai, kanë shpërndarë mbi 60 artikuj me synonim manipulimin e komunitetit serb në Kosovë. 

“Këto përpjekje për dezinformim përbëjnë një kërcënim serioz për integritetin e zgjedhjeve dhe stabilitetin demokratik të vendit”, ka thënë Kurti.