Bashkëpunimi ndërkufitar është ende diçka e rrallë në Ballkan. Por disa organizata në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoninë e Veriut po punojnë përtej kufijve për ta mbrojtur Liqenin e Prespës – një pasuri natyrore që ndahet mes të tre vendeve, shkruan DeutscheWelle në gjuhën angleze.
“Tri shtete, dy liqene, një qëllim”, thotë ambientalistja greke Myrsini Malakou, e cila prej tri dekadash punon për këtë vizion në rajonin e Ballkanit.
Malakou udhëheq Shoqatën për Mbrojtjen e Prespës (SPP) në Greqi, e cila përpiqet të ruajë një nga ekosistemet më të vjetra të ujërave të ëmbla në Evropë. Baseni malor ku ndodhen Liqeni i Madh dhe ai i Vogël i Prespës është formuar rreth pesë milionë vjet më parë – shumë kohë para kufijve dhe shteteve që ekzistojnë sot.
Kërcënimet që nuk njohin kufij
Sot, këto liqene të bukura e të paprekura ndahen nga tri shtete, por përballen me një krizë të përbashkët: nivelet e ujit po bien, ndërsa mbi 2 mijë lloje peshqish, zogjsh, gjitarësh e bimësh janë në rrezik.
Në mesin e tyre është pelikani dalmat, një shpend i rrallë e madhështor me sqep rozë-portokalli dhe pupla të bardha. Prespa strehon koloninë më të madhe të këtij lloji në botë, me rreth 1,500 çifte.
“Ata shumohen në Greqi, ushqehen në Maqedoninë e Veriut dhe flenë në Shqipëri”, shpjegon Malakou – një kujtesë se natyra nuk njeh kufij politikë.

Bashkëpunim përtej historisë
Pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi, në rajon u ringjallën tensionet e vjetra kombëtare. Megjithatë, organizatat mjedisore nga tre vendet e Prespës gjetën mënyra për t’u lidhur e për të punuar bashkë.
“Filluam thjesht duke ndarë mendime”. kujton Malakou. Me kalimin e kohës, SPP-ja u bashkua me PPNEA-n në Shqipëri dhe me Shoqatën Ekologjike të Maqedonisë, duke krijuar rrjetin ndërkufitar PrespaNet. Qëllimi: ta trajtojnë Prespën si çështje mjedisore, jo kombëtare.
Përfshirja e komuniteteve lokale
Problemet e liqeneve janë të dukshme – niveli i ujit po bie prej 20 vjetësh, duke lënë pas toka të thata e moçalore që kthehen në ara.
“Njerëzit përdorin ujin e liqenit për ujitje”, thotë Daniela Zaec nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë. “Kjo dëmton habitatet dhe përkeqëson ciklin”.
Si në Greqi, edhe në Maqedoninë e Veriut po punohet me nxënës e të rinj për të rritur ndërgjegjësimin.
“I çojmë klasat në parkun kombëtar dhe u tregojmë si punojmë”, thotë Zaec. Megjithëse synojnë që këto programe të jenë ndërkufitare, politika ende pengon.
Shpresa për të rinjtë dhe për turizmin e gjelbër
Në anën shqiptare, i riu Adnan Bego punon si inxhinier mjedisor në PPNEA.
“Shumë të rinj ikin jashtë, por unë vendosa të rri këtu. Po përpiqemi të lidhim ekologjinë me turizmin”, ka thënë ai.
PPNEA organizon ecje me grupe turistësh ndërkombëtarë, duke i njohur me natyrën dhe kafshët e egra të Prespës. Ideja është që turizmi i qëndrueshëm të krijojë punë, të përmirësojë infrastrukturën dhe të ndihmojë banorët vendas të mos emigrojnë.
Një vizion për Prespën e hapur
Banorët e të tri vendeve shpresojnë që zhvillimi i turizmit ekologjik do të sjellë investime pa dëmtuar natyrën. Synimi i përbashkët është një Prespë pa kufij, ku turistët mund të ecin nga një vend në tjetrin, të shijojnë prodhime vendore dhe liqene të pastra – një destinacion i përbashkët për të gjithë.
Edhe pse realiteti ende nuk është ai që dëshirohet, bashkëpunimi i PrespaNet ka treguar se kufijtë mund të kapërcehen. Siç dëshmojnë edhe pelikanët dalmatë, mjedisi i shëndetshëm është më i fortë se ndarjet politike.