Arbëri

29 vatra zjarri në tetë orët e fundit në Kosovë, 12 ende aktive

Zjarri në Milefc të Prishtinës

Zjarri në Milefc të Prishtinës

Foto: Driton Paçarada

(E përditësuar 18:03) - Të paktën 29 vatra zjarri janë regjistruar brenda tetë orëve të fundit në të gjithë territorin e Kosovës, ka njoftuar të shtunën Agjencia e Menaxhimit Emergjent. 

Sipas të dhënave të AME-së, situata me zjarret është përkeqësuar ndjeshëm shkaku i temperaturave të larta. 

17 nga këto vatra janë lokalizuar, ndërsa 12 mbeten ende aktive.

“Si pasojë, në gjithë territorin e Kosovës, situata e përcjelle nga Qendra Operative e Agjencisë, rezulton me gjithsej 29 vatra të zjarreve në 8 orët e fundit, 17 nga ato janë lokalizuar, deri sa 12 vatra zjarri mbeten aktive”, thuhet në njoftim. 

Tutje është bërë thirrje për qytetarët që të jenë të kujdesshëm e të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme. 


Zjarre në disa qytete të Kosovës

(16:55) - Disa fshatra në qytete të ndryshme të Kosovës janë përfshirë nga zjarri të shtunën pasdite. Në terren ka dalë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka kërkuar ndihmë për shuarjen e vatrave në fshatrat Dubravë, Sallagrazhdë dhe Mushtisht.

Ndërkohë, televizioni lokal RTV Besa ka publikuar video ku shihet një zjarr i madh në fshatin Lubizhdë të Prizrenit.

Edhe në Ferizaj, zjarrfikësi Zmyri Krasniqi ka postuar në Facebook disa fotografi nga terreni, ku po lufton për të lokalizuar flakët. Ai gjithashtu ka ndarë një imazh të një kolegu që është lënduar gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarrit.

Postimi i Krasniqit:

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se me ndihmën e FSK-së dhe Agjencisë për Menaxhim Emergjent po mundohen të ndalin përhapjen e zjarreve, duke e përshkruar situatën si të rëndë.

Postimi i Bulliqit:

Vatra zjarri janë raportuar edhe pranë disa vendbanimeve në Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë. 

Ditëve të fundit, Kosova është përballur me temperatura ekstreme. Vetëm dje, në Klinë, u regjistrua temperatura më e lartë ndonjëherë sipas Institutit Hidrometeorologjik – 42.5 gradë Celsius.


Kryetari i Suharekës thirrje për ndihmë për të shuar zjarret

(16:12) - Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë thirrje për ndihmë për të shuar zjarret që kanë kapluar disa fshatra të kësaj komune.

Në një postim në Facebook, Muharremaj i ka bërë thirrje kujtdo që ka pajisje për shuarje zjarri të ndihmojnë në fshatrat Dubravë, Sallagrazhdë dhe Mushtisht.

“Me të gjitha kapacitetet institucionale po mundohemi ta mbajmë situatën nën kontroll”, ka shkruar Muharremaj.

VIDEO:

Edhe në fshatin Lubizhdë të Prizrenit është raportuar për zjarre të mëdha, ndërsa autoritetet kanë dalë në vendngjarje për ta mbajtur situatën nën kontroll.

Në ditët e fundit, në Kosovë janë regjistruar temperatura rekorde të të nxehtit.

Komuna e Prishtinës njofton për “situatë alarmante” nga zjarret dhe erërat e forta

5 o. më parë / 26 kor 2025 20:47
Zjarri në Milefc të Prishtinës

Zjarri në Milefc të Prishtinës

Photo: Driton Paçarada

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Prishtinës në bashkëpunim me Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve po ndërhyjnë aktualisht në tetë lokacione të ndryshme në kryeqytet, si pasojë e shpërthimeve të zjarreve. Disa banesa kanë pësuar dëmtime nga erërat e fuqishme.

Në njoftimin në Facebook, Komuna e Prishtinës e ka quajtur situatën si “alarmante”.

“Në këtë operacion janë angazhuar 40 zjarrfikës, të cilët po punojnë për të mbajtur situatën nën kontroll në këto zona: Rruga C afër “Maxi 24”, Panari, Kosova B, Rimanishtë (dy raste), Trudë (tre raste), Milloshevë, Llukar (dy raste) dhe Bardhosh”, thuhet në njoftim.

Pamje nga zjarri në Bërnicë:

Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes, duke u kërkuar qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonave të prekura dhe të raportojnë çdo rast emergjent në numrat 0800 122 33 ose 0800 122 44. 

Banesa e dëmtuar / FOTO: Komuna e Prishtinës

Gjatë ditës së sotme në disa qytete të Kosovës ka pasur shpërthime të zjarreve. 

Zjarret e mëdha lënë disa qytete pa rrymë

7 o. më parë / 26 kor 2025 18:39
Zjarr në Bresje të Fushë-Kosovës

Photo: KOHA

Zjarret që kanë përfshirë rajone të ndryshme të Kosovës kanë shkaktuar dëmtime në rrjetin elektroenergjetik, duke lënë pa rrymë disa zona në Prizren, Mitrovicë dhe Gjakovë.

Sipas KEDS-it, me urdhër të Policisë së Kosovës është bërë ndërprerja e furnizimit në nënstacionet “Prizreni 1” dhe “Prizreni 3”.

Erërat e fuqishme po e rëndojnë më tej situatën, ndërsa ekipet teknike po punojnë në terren për rikthimin e furnizimit.

KEDS u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar deri në normalizimin e gjendjes.

Digjet stalla me 42 dele në Stubëll të Poshtme të Vitisë

7 o. më parë / 26 kor 2025 18:04
Digjet stalla me 42 dele në Stubëll të Poshtme të Vitisë

Një zjarr i madh ka përfshirë një stallë në fshatin Stubëll e Poshtme të Vitisë, duke shkaktuar ngordhjen e 42 deleve dhe dëme të mëdha materiale.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka vizituar nga afër vendin e ngjarjes dhe familjen e prekur, duke shprehur solidaritetin e tij, ka njoftuar komuna. Ai premtoi se komuna do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të ndihmuar në rikuperimin e dëmeve dhe për të siguruar që familja të mos mbetet pa mbështetje.

Gjatë vizitës, Haliti ishte i shoqëruar nga Komandanti i Policisë dhe përfaqësues të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe asaj të Bujqësisë, të cilët kanë vlerësuar dëmet dhe kanë ofruar ndihmën e parë në terren.

Ai falënderoi gjithashtu njësinë e zjarrfikësve për reagimin e shpejtë që, sipas tij, shpëtoi jetën e një gruaje të familjes dhe parandaloi një tragjedi edhe më të madhe.

Aktualisht, në Kosovë, janë 12 vatra aktive të zjarrit.