Arbëri

Kryetari i Rahovecit për vërshimet e sotme: Instituti Hidrometeorologjik ka dështuar

vërshime

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka deklaruar se Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka dështuar në paralajmërimin e institucioneve komunale për vërshimet e sotme, duke theksuar se komuna nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar paraprak për reshjet e mëdha.

Rahoveci është prej komunave më të goditura nga reshjet e sotme në Kosovë. Gjithashtu, Malisheva e Drenasi kanë raportuar për dëme të mëdha.

“S’kemi qenë fare të informuar. Mendoj që IHMK-ja ka dështuar. Nuk kemi pasur asnjë raport zyrtar prej tyre, siç zakonisht duhet të veprojnë. Na kanë thënë se po punojnë me staf të reduktuar për shkak të festave të fundvitit”, ka thënë Latifi në emisionin “60 Minuta” të KTV-së të martën.

Sipas tij, askush nuk e ka ditur se do të ketë potencial kaq të madh të reshjeve, ndërsa paralajmërimi i parë nga IHMK-ja ka ardhur vetëm sot, përmes një emaili, ku thuhet se edhe dy ditët në vijim do të ketë reshje dhe se institucionet duhet të jenë në gatishmëri.

Latifi ka bërë të ditur se situata më e rëndë ka qenë nga mesnata deri rreth orës 11:00, kur ekipet komunale, policia, zjarrfikësit dhe operatorë të ndryshëm kanë qenë në terren për të menaxhuar situatën dhe për të minimizuar pasojat nga vërshimet në amvisëri, toka bujqësore dhe infrastrukturë rrugore.

“Ka rrugë që janë shembur, kemi pasur probleme edhe me KEDS-in për shkak të rrëzimit të shtyllave elektrike. Kemi vepruar bashkërisht për t’i minimizuar dëmet”, ka shtuar ai.

Laitifi ka treguar një rast në fshatin Çifllag, ku dy gra të moshuara kishin refuzuar të largoheshin nga shtëpia e përmbytur. Por që u evakuuan më pas nga ekipet e emergjencës dhe aktualisht gjendja e tyre është e mirë. Sipas Latifit, aktualisht në komunë nuk ka persona të ngujuar.

Kryetari i Rahovecit ka konfirmuar se janë kontaktuar edhe nga presidentja Vjosa Osmani, ministri Elbert Krasniqi dhe Hysen Durmishi, të cilët kanë ofruar ndihmë, por për momentin situata po menaxhohet nga institucionet lokale.

“Situata tani është stabilizuar për shkak se kanë pushuar reshjet. Nëse reshjet vazhdojnë me intensitet të ulët, besoj që nuk do të ketë telashe të mëdha”, ka deklaruar Latifi, duke bërë të ditur se është themeluar edhe Shtabi Komunal për Emergjencë.

Sa i përket dëmeve, Latifi ka thënë se është ende herët të flitet për shifra konkrete. Ai theksoi se gjendje më e rëndë është raportuar në Fortesë, por probleme ka pasur edhe në Çifllak, Ratkoc, Gexhë.

Lexo përditësimet tjera
Vershimet

Vërshime në disa pjesë të Kosovës, apelohet për kujdes

Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë...