Arbëri

Kryetarët serbë ia lënë Brukselit “vendimin” për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit

VERIU

Foto: Driton Paçarada

Integrimi i sistemeve paralele të shëndetësisë dhe të arsimit në sistemin e Kosovës, sipas kryetarëve të komunave me shumicë serbe, është çështje që duhet t’u lihet në duar negociatorëve në dialogun e Brukselit. Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, ka theksuar se kjo temë nuk është trajtuar në takimin që ai dhe nëntë kryetarë të tjerë serbë e kanë zhvilluar të premten me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Kryetarë të dhjetë komunave me shumicë serbe nuk e kanë trajtuar çështjen e integrimit të sistemeve paralele të shëndetësisë dhe të arsimit në atë të Kosovës gjatë takimit të mbajtur të premten me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Tek e ka konfirmuar këtë, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, ka thënë se çështja e integrimit të sistemeve që veprojnë në komunat me shumicë serbe duhet të zgjidhet në kuadrin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE).

“Kjo pyetje nuk është për ne. Kjo është një çështje që duhet të zgjidhet në Bruksel nëpërmjet negociatorëve zyrtarë të Beogradit dhe Prishtinës. Ne si kryetarë komunash konsiderojmë se kjo nuk është një gjë me të cilën duhet të merren kryetarët e komunave, porse është ekskluzivisht temë për negociata dhe temë mes negociatorëve të Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë ai, pas takimit me ministrin Krasniqi.

Radojeviq ka theksuar se në takim është diskutuar vetëm për problemet me të cilat përballen komunat e banuara kryesisht me serbë.

“Kërkuam nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që të punojë në interes të të gjitha komunave në Kosovë, që ta vlerësojë mendimin e kryetarëve për komunat që i udhëheqim, ashtu që të punojmë të gjithë së bashku në interes të qytetarëve të të gjitha komunave tona, që i udhëheqim. Kjo ka qenë temë e vetme e këtij takimi”, ka thënë ai.

E mbështetje për kryetarët serbë ka premtuar ministri Krasniqi.

“Për të koordinuar përgjegjësitë institucionale në mes të dy niveleve, kam pritur në takim kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe. Gjatë këtij takimi kam dëgjuar me kujdes secilin kryetar të komunës, për çdo sfidë të tyre. Qeveria, në përgjithësi, dhe MAPL-ja në veçanti është e gatshme që ta ofrojë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për zgjidhjen e problemeve, të cilat janë me interes për qytetarët”, ka shkruar Krasniqi pas përfundimit të takimit të së premtes.

Në këtë takim, përveç ministrit Krasniqi dhe kryetarëve të komunave me shumicë serbe, të pranishëm kanë qenë edhe Tea Blakaj, e cila është këshilltare e kryeministrit Albin Kurti, si dhe Kaltrina Zeka, shefe e kabinetit të ish-zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi. Si vëzhgues, në këtë takim ka marrë pjesë edhe një përfaqësuese e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë dhe një zyrtar i Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Një muaj më parë, kryeministri Kurti i pati njoftuar ambasadorët për synimin e integrimit gradual të sistemeve paralele të shëndetësisë dhe të arsimit në sistemin e Kosovës.

“Kryeministri tha se ky proces integrues do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë të merren në konsideratë. Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke u shprehur se periudha në vijim është thelbësore për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve”, pati njoftuar Qeveria lidhur me takimin e kryeministrit me ambasadorët, të mbajtur më 16 janar të këtij viti. Që atëherë, nuk janë ndarë hollësi lidhur me këtë proces.