Arbëri

Kryeministrat fajësohen për regresin në raportet Kosovë-Shqipëri

Realiteti i raporteve Kosovë-Shqipëri tregon për një tablo ndryshe nga deklarimet e bëra në ditën e festës së 28 nëntorit. Shkëmbimi tregtar ka pësuar rënie, ndërsa analistë në të dyja vendet kanë folur edhe për regres në raportet politike dhe ekonomike

Kosova dhe Shqipëria nuk kanë bërë hapa përpara në vitet e fundit drejt thellimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik.

Analistë në Prishtinë dhe në Tiranë kanë konstatuar se marrëdhëniet mes dy shteteve kanë pësuar regres në të dyja fushat dhe përgjegjës për këtë i kanë bërë udhëheqësit e të dyja vendeve.

Analisti nga Shqipëria, Ben Andoni, ka thënë thotë se, në aspektin politik, qasja e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti dhe e atij të Shqipërisë, Edi Rama, ka ndikuar që të dyja vendet të të largohen çdo vit e më shumë nga njëri-tjetri.

“Narrativi i zotëri Ramës dhe zotëri Kurtit gjithmonë e më shumë po i largon nga njëra-tjetra. Duket se edhe në fusha të tjera, Kosova dhe Shqipëria po largohen jashtëzakonisht. Nëse nuk do të ishte arti, nëse nuk do të ishte kultura dhe sporti, unë mendoj se do të ishim larg me Kosovën… Fajtorët për këtë, nëse do të ishte fjala më e përshtatshme, po mendoj se janë dy kryeministrat aktualë të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka theksuar Andoni.

Edhe në aspektin ekonomik, Kosova dhe Shqipëria kanë qenë më mirë vjet sesa sivjet.

Në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar, Shqipëria ka qenë partnerja kryesore e Kosovës për importin dhe eksportin e mallrave nga vendet e CEFTA-s.

E sivjet, nga janari deri në qershor, vendi me të cilin Kosova ka më së shumti bashkëpunim tregtar për import dhe eksport është Maqedonia e Veriut.

Sipas të dhënave të Odës Ekonomike (OEK), për këtë periudhë kohore, Kosova ka importuar nga Shqipëria mbi 156 milionë euro mallra. Por, as sa gjysma e kësaj shume nuk është vlera e produkteve kosovare që kanë shkuar në tregun e Shqipërisë. Kosova ka eksportuar drejt Shqipërisë mallra në vlerë prej rreth 66 milionë eurosh.

Sipas ekonomistit, Fidan Qerimi, trendi i bashkëpunimit është i ulët për potencialin që të dyja vendet e kanë.

Ai ka thënë se barrierat e krijuara nga politika kanë ndikuar edhe në moszbatimin e marrëveshjeve për shkëmbim tregtar.

“Kemi jashtëzakonisht shumë marrëveshje të nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë por ato nuk është që po zbatohen. Po ashtu potencialisht është një mundësi e tregut të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës që deklarativisht jemi shumë proklamues por që nuk e kemi bërë asnjë hap drejt unifikimit të tregut”, ka thënë Qerimi.

Ka tri vjet që të qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë nuk kanë mbajtur asnjë mbledhje të përbashkët, në të cilat më herët patën lidhur një varg marrëveshjesh.

Mbledhja e fundit e këtillë është mbajtur më 2022. E ajo e organizuar për 2023-n në Gjakovë nuk është mbajtur, pasi që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka refuzuar të merrte pjesë me arsyetimin se është rreshtuar përkrah Bashkimit Evropian (BE) kundër veprimeve të Qeverisë së Kosovës në veri.