Arbëri

Kryefamiljari ankohet se shteti ia mori padrejtësisht katër fëmijë, arratiset me të pestin

Me rekomandim të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, Vllaznim Pacollit i janë marrë katër fëmijët me arsyetim se nëna e tyre ka probleme mendore. Me djalin 9-vjeçar është fshehur kodrave. Thotë se institucionet s’kanë bazë për këtë veprim dhe zotohet se mund të kujdeset vetë për fëmijët

Vllaznim Pacollit nga Janjeva e Lipjanit i kanë mbetur në shtëpinë e tij vetëm gjësendet e pesë fëmijëve. Qendra për Punë Sociale në Lipjan i ka rekomanduar Policisë së Kosovës që fëmijët e kësaj familjeje t’i dërgojë në një strehimore në Prishtinë me arsyetim se nëna e tyre ka probleme mendore dhe gjatë kohës së fundit kishte qenë e shtrirë në Spitalin e Psikiatrisë. Ndërkohë, Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta merrte edhe djalin e madh 9-vjeçar, derisa ai prej disa ditësh ka ikur nga shtëpia dhe po qëndron te të afërmit e herë pas here po qëndron i vetëm në kodër të fshatit.

Kryefamiljari Vllaznim Pacolli thotë se vetëm bashkëshortja ka probleme mendore, andaj personalisht mund të kujdesej për fëmijët e vet. Kërkon nga institucionet t’ia rikthejnë fëmijët. Ankohet se zyrtarët e QPS-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës vazhdimisht po ua kërkojnë edhe fëmijën tjetër 9-vjeçar, i cili tashmë e ka braktisur shtëpinë nga frika.

Image
“Katër fëmijët i kam pasur në shtëpi së bashku me bashkëshorten. Kanë ardhur zyrtarët e QPS-së dhe Policia mi kanë marrë fëmijët. Unë ika me djalin e madh në kodër, por prapë po mi kërkojnë tash e një javë”, ka thënë Pacolli

“Katër fëmijët i kam pasur në shtëpi së bashku me bashkëshorten. Kanë ardhur zyrtarët e QPS-së dhe Policia mi kanë marrë fëmijët. Unë ika me djalin e madh në kodër, por prapë po mi kërkojnë tash e një javë”, ka thënë Pacolli. Ai shpjegon se Policia me vendim të Qendrës për Punë Sociale për çdo mëngjes po shkon në shtëpinë e tij për t’ia kërkuar të birin 9-vjeçar me qëllim që edhe atë ta dërgojnë në strehimore. Pacolli ankohet se zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale nuk ia kanë prezantuar asnjë dokument të gjykatës për t’ia marrë fëmijët, andaj e kërcënojnë se fëmijët mund të qëndrojnë në strehimore deri në moshën 18-vjeçare.

“Kanë shkaktuar dhunë psikike te fëmijët, sepse ata janë frikësuar shumë nga ky rast. Mbrëmë kemi shkuar te një shok, kemi fjetur aty deri vonë, sepse Policia më erdhën në ora nëntë dhe më thanë që ta sjelli djalin e madh në stacion. Unë ika jemi shkuar te një shok prapë dhe kemi fjetur deri në mëngjes deri kah 7 apo 8. Kur kemi ardhur kanë trokitur në derë zyrtarët e QPS-së dhe Policia dhe unë nuk kam dalë hiç”, ka shtuar ai duke kërkuar sërish nga institucionet që t’ia rikthejnë fëmijët me arsyetim se do të kujdeset në mënyrën më të mirë të mundshme.

Kjo ngjarje ka nxitur edhe reagimet e Asociacionit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Lipjan, duke kërkuar përgjegjësi institucionale, pas vizitës që i kanë bërë kësaj familjeje.

Bekim Krasniqi, drejtor në këtë OJQ, ka thënë se në kuadër të organizatës funksionon edhe komponenta e tyre për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

“Institucionet e nivelit nacional dhe atyre lokal, kanë vepruar në këtë rast dhe i kanë marrë fëmijët për t’u përkujdesur organet e tjera, por te fëmijët kanë shkaktuar shqetësim dhe si pasojë e këtij veprimi një fëmijë tjetër i kësaj familjeje ka marrë traumë dhe është larguar nga shtëpia dhe ka vështirësi të kthehet në shtëpi. Prandaj, kërkojmë nga institucionet e nivelit lokal dhe atij qendror të angazhohen sa më shumë në këtë rast për këta fëmijë”, ka thënë Krasniqi. Ai ka kërkuar edhe nga organet e tjera kompetente që të shqyrtohet e gjithë procedura e këtij rasti nëse janë ndjekur të gjitha rrugët ligjore për t’ia marrë fëmijët kësaj familjeje.

“Nëse nëna e fëmijëve është e sëmurë, atëherë prindi po zotohet se është i aftë dhe mund të përkujdeset për gruan dhe fëmijët e vet, prandaj organet kompetente duhet t’i lexojnë mirë ligjet në fuqi sepse kemi shumë prindër kur në mungesë të njërit prindër ata kujdesen për fëmijët e vet. Por sidoqoftë, shteti duhet të kujdeset për familjet e tilla me qëllim që të mbrohen fëmijët nga rreziku, por edhe të krijohen kushte që prindi tjetër në këtë rast të kujdeset për fëmijët e vet”, ka shtuar Krasniqi.

KOHA nëpërmjet telefonit ka kontaktuar me Gani Avdylin, drejtorin e shkollës fillore “Shtjefën Gjeçovi” në Janjevë, aty ku mësojnë dy fëmijët e familjes Pacolli. Ai ka sqaruar se fëmijët asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë shenjë të dhunës derisa e kanë ndjekur procesin mësimor.

“Edhe një herë në fund të gushtit apo në fillim të shtatorit Qendra për Punë Sociale ia kanë marrë fëmijët, ia kanë mbajtur një muaj e gjysmë dhe i kanë kthyer prapë. Tash sërish ia kanë marrë rreth një javë më parë. Ndërkohë zyrtarët e QPS-së i kanë kërkuar fletëkalimet e këtyre fëmijëve dhe më kanë thënë se do t’i dërgojnë diku tjetër”, ka thënë shkurt Avdyli.

Image
Familja përballet me kushte të rënda ekonomike, megjithëse banorët e ndihmojnë atë

Ndërkaq, përfaqësuesit i fshatit, Behxhet Kongjeli, ka thënë se kjo familje i ka kushtet e rënda ekonomike, megjithëse banorët e ndihmojnë atë.

“Qytetarët e Janjevës, që jetojnë në mërgim në Angli dhe Gjermani, ia kanë blerë shtëpinë para dhjetë vjetësh aty ku e kanë strehuar, mirëpo gjendja ekonomike e ka bërë të veten, andaj kanë probleme familjare dhe sigurisht edhe shoqja ka qenë në gjendje të mirë, por kushtet ekonomike e kanë bërë të veten”, ka thënë Kongjeli. Sipas tij, kjo familje jeton me një asistencë sociale, prandaj institucionet lokale dhe ato publike duhet ta ndihmojnë kryefamiljarin që të kujdeset për fëmijët e vet.

“Dje e kam kuptuar se ia kanë marrë fëmijët, andaj neve si banorë na vjen shumë keq, por kjo familje nuk ka kushte të kujdeset aq shumë për fëmijët. Pra, institucionet duhet të kujdesen më shumë për këtë familje”, ka thënë Kongjeli.

Policia e Kosovës prej dy ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS, lidhur me këtë çështje. Ndërkaq, as drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, Makfirete Shamolli, nuk ka dashur të flasë e as të japë detaje rreth këtij rasti, me gjithë insistimin e KOHËS. Ndërkohë, ajo nëpërmjet një përgjigjeje të shkurtër me shkrim ka thënë se QPS-ja në bazë të mandatit të saj vepron në interesin më të mirë të fëmijëve dhe familjes në bashkëpunim me të gjithë akterët e ndërlidhur duke përfaqësuar interesin e fëmijëve për të shmangur çfarëdolloj neglizhence dhe rreziku të përmbushjes së detyrave prindërore e në raste të tilla të ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtjen e personalitetit dhe interesit më të lartë të fëmijëve.

“Komuna e Lipjanit dhe QPS-ja janë të thirrur të respektojnë dinjitetin personal dhe familjar të familjes dhe individit, lidhur me shërbimet që ofrohen, andaj të dhënat e mirëbesueshme të cilat janë të mbrojtura me ligj në raste te tilla kërkojnë përgjegjshmëri institucionale dhe nga partnerët të cilët shprehin interes të informacionit të veprojnë me përgjegjshmëri në respektimin e dinjitetit personal dhe familjar i cilitdo rast që është në nevojë dhe merr shërbime të përkujdesjes ndaj fëmijëve”, ka thënë ajo.