Arbëri

Kriza buxhetore e Prishtinës zbret në terren

Kolona të mëdha u krijuan të hënën në kryeqytet pas pezullimit të transportit publik, si shkak i mungesës së buxhetit. Shumë qytetarë u detyruan të ecnin me kilometra në këmbë. Transportuesit e “Trafikut Urban” dhe ata privatë me një protestë para Komunës së Prishtinës e Qeverisë kërkuan t’u bëhet pagesa. E përfaqësues politikë të të dy taborëve shkëmbyen akuza për shkaqet që kanë prodhuar situatën

Taksitë dhe veturat personale janë shtuar të hënën në rrugët e kryeqytetit, duke shkaktuar më shumë trafik.

Qytetarët të cilët përdorin zakonisht transportin urban gjatë së hënës u detyruan të gjenin alternativa të tjera për udhëtim, pasi “Trafiku Urban” dhe transporti privat i kryeqytetit pezulluan shërbimin në mungesë të pagesës nga Komuna e Prishtinës për muaj të tërë.

Por shumë të tjerë u detyruan edhe të ecnin në këmbë.

“Çka me bo ne pensionerët. Për taksi nuk kemi para, autobusi nuk qarkullon, duhet këmbë deri te rruga ‘Xhavit Ahmeti”, u ankua një pensionist, i cili priste në stacionin e autobusëve në qendër të Prishtinës.

Një grua u ankua për kilometrat që i duhej t’i bënte në këmbë.

“Nga ndërtesa e ‘Ramiz Sadikut’, e deri në Gërmi lart duhet me shku këmbë”, tha ajo.

Transportuesit e “Trafikut Urban” dhe ata privatë pezulluan punën, në mungesë buxheti.

Për këtë gjendje u protestua para objektit të Komunës dhe objektit të Qeverisë.  

Kryetari i Sindikatës së “Trafikut Urban”, Ilmi Gashi, ka thënë se tash e dy muaj punëtorët e kësaj ndërmarrjeje nuk kanë marrë paga, ndërsa borxhi i tyre ndaj furnitorëve ka kaluar mbi 1.6 milionë euro.

“Tre milionë euro ‘Trafikut Urban ia ka borxh komuna, 1 milion e 600 mijë ne ua kemi furnitorëve tonë. Nuk kemi mjete për të punuar, nuk ka rroga. Nuk është çështje politike, është çështje e mbijetesës së ‘Trafikut Urban’ ndaj qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë ai.

E kryetari i Sindikatës së transportit privat, Izet Smajli, tha se punëtorët kanë mbetur pa paga qe 7 muaj.

“Pa karburant nuk ecin autobusët, e pa paga as punëtorët nuk punojnë. Kemi hyrë në borxhe në pikat e karburanteve e punëtorët nuk janë paguar që 7 muaj. Kërkojmë pagesën nga Komuna e Prishtinës në mënyrë që të rifillojmë shërbimin sa më parë”, ka thënë ai.

Para protestuesve doli edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili edhe një herë akuzoi Qeverinë për bllokim të buxhetit.

“Në orën 3 e gjysmë pasdite i kanë alokuar 3.2 milionë, ndërsa neve na i kanë borxh rreth 35 milionë. Në orën 3 e gjysmë i kanë alokuar, në 15:45 i kanë mbyllur, pra kjo është loja e tyre. Edhe kjo ka ndodhur. Ju lutemi edhe një herë, edhe ministrit të Financave, edhe kryeministrit që të ndalen me këto lojëra, nuk ka nevojë më për lojë, zgjedhjet janë kryer”, ka thënë Rama.

Me kërkesën e protestuesve, Rama së bashku me punëtorët e transportit publik u nisën para ndërtesës së Qeverisë, ku edhe kërkoi një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Pas disa minutave pritjeje, Rama u rikthye në komunë me arsyetimin se duhet të vazhdojë punët e tij, duke theksuar se sapo t’i pranohej ftesa ai do të shkonte në takim.

Më vonë, ministri Murati priti në takim protestuesit, por pa kryetarin Rama.

Përfaqësuesi i Shoqatës së transportuesve privatë, Avdyl Brajshori, ka thënë për KOHËN se Murati, u ka thënë se duhet mbledhur Kuvendi Komunal i Prishtinës e ta kalojë bartjen e mjeteve.

E, në një konferencë për media, Murati ka thënë se Lidhja Demokratike, në mungesë të kauzave të veta politike ka vendosur ta marrë peng kryeqytetin.

Ai ka thënë se çfarë është parë sot, është një betejë politike që lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vendosur ta bëjë në kurriz të qytetarëve. Po ashtu, ka deklaruar se nuk kanë kaluar as dy javë që kur Rama premtonte se si do ta transformonte ‘Trafikun Urban’.

“Unë kam takuar sot edhe përfaqësuesit e sindikatave dhe kam sqaruar se kemi dy probleme. Problemi i parë te transporti publik është i vetëshkaktuar dhe do të ndodhte edhe po të kishte buxhet të miratuar pasi ka pasur vendime elektorale për të larguar nga pagesa shumicën e qytetarëve dhe kësisoj barrën e ka marrë përsipër komuna në një kohë kur nuk ka pasur buxhet të miratuar. Kjo e ka rritur obligimin financiar në një situatë ku komuna nuk ka pasur buxhet”, ka thënë Murati.

Ai ka  thënë se dëshmia më e mirë është që përveç “Trafikut Urban”, janë në vështirësi edhe operuesit privat.

E, problem të dytë ka përmendur mosvotimin e buxhetit.

Sipas tij, buxheti i komunës ishte miratuar me vonesë.

Murati ka rikujtuar se këtë muaj LDK-ja nuk ka marrë pjesë në seancë ku do të mund të votohej buxheti për Prishtinën.

“Kjo çfarë kemi parë sot është një betejë politike që Abdixhiku ka vendosur ta bëjë në kurriz të qytetarëve. Transportuesit kanë treguar se që 7 muaj e kanë të njëjtën gjendje”, ka thënë ai.

Paraprakisht, Abdixhiku e ka akuzuar Vetëvendosjen për hakmarrje politike ndaj qytetarëve.

“Prishtina nuk i kërkon paratë e Qeverisë, prandaj nuk i duhet asnjë votim në Kuvend. Prishtina i kërkon paratë e veta; plot 35 milionë euro taksa komunale e grant, që i janë plaçkitur nga bllokuesit për hakmarrje të pastër politike. Prishtina nuk i kërkon as paratë e vitit 2026, por të këtij viti që ka tashmë buxhet; jemi ende në vitin 2025”, ka shkruar ai në Facebook.

E, përfaqësues të Vetëvendosje fajësuan kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për krizën buxhetore me të cilën përballet kryeqyteti.

Ish-shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, se Komuna e Prishtinës i ka kaluar të gjitha afatet administrative dhe ligjore për ta miratuar buxhetin dhe se buxheti i Kosovës është miratuar në Kuvend pa e përfshirë atë të Prishtinës.

“Narracioni i ngritur për bllokadë, nuk është fare i vërtetë dhe duhet thënë se të vetmit bllokues të buxhetit të Prishtinës janë Përparim Rama, Lidhja Demokratike dhe lideri i saj Lumir Abdixhiku. Ne kemi qenë të qartë që nga fillimi, partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk kanë dashur ta miratojnë buxhetin e Prishtinës”, ka thënë Sveçla në një konferencë për media.

E asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, tha se LDK-ja me PDK-në i kanë futur ndërmarrjet në borxhe dhe tani përballen me krizën për buxhetin.

“Komplet ndërmarrjet publike që menaxhohen nga PDK dhe LDK janë buzë falimentimit. E vetmja ndërmarrje që menaxhohet nga Lëvizja Vetëvendosje as nuk ka problem me paga, as nuk ka problem me buxhet e as nuk ka borxhe”, ka thënë ai.

E, Bekim Salihu, hulumtues në institutin GAP, ka thënë se situata në të cilën gjendet vendi është e rëndë. Sa i përket buxhetit të kryeqytetit, Salihu ka deklaruar se faji qëndron te të dyja palët, edhe te Komuna e Prishtinës edhe te Ministria e Financave.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Salihu tha se megjithatë ky problem me buxhetin, ka nisur nga Kuvendi Komunal i kryeqytetit duke mos e miratuar me kohë buxhetin, por edhe duke mos e miratuar në formën në të cilën obligohesh kur je jashtë afatit.

“Problemi ka nisur nga niveli komunal. Fillimisht përplasja LDK-LVV-PDK në Kuvendin Komunal e ka prodhuar këtë situatë. Përkatësisht LVV-ja dhe PDK-ja u pozicionuan në një tabor. LDK-ja në taborin tjetër dhe nuk kanë arritur ta miratojnë buxhetin komunal me kohë. Problemi i parë ka filluar aty duke mos u miratuar buxheti deri më datën 30 shtator të vitit 2024 për vitin 2025. Problem i dytë ka nisur te miratimi i buxhetit për Komunën e Prishtinës më 9 dhjetor. Kur e ka miratuar buxhetin, nuk e ka miratuar sipas ligjit që specifikon që të takon buxheti i vitit përkatës dhe jo i vitit të ardhshëm, për shkak që në momentin që nuk e miraton buxhetin deri më 30 shtator ti e humb shumën e buxhetit për vitin e ardhshëm”, ka thënë Salihu. “Komuna e Prishtinës në vend që ta miratojë buxhetin me humbje, e ka miratuar me rritje për vitin 2025 dhe tash ajo rritje do të duhej të kalonte me miratim në Qeveri dhe në Kuvend të Kosovës”.

Salihu tha se as Ministria e Financave nuk e ka përmbushur shpejtësinë që e thotë ligji në rastet kur duhet të miratohet buxheti i një komune, në këtë rast i Prishtinës.

“Ministria e Financave duket se e ka marrë buxhetin më 17 dhjetor dhe e ka miratuar më 31 janar. Lë të kuptohet se Ministria e Financave nuk e ka përmbushur shpejtësinë që thotë ligji sepse ligji thotë që menjëherë duhet të shkojë në Qeveri dhe menjëherë pastaj të shkojë në Kuvend. Ndërkohë, më 11 janar është shpërbërë Kuvendi i Kosovës. Por, ky nuk ka qenë Kuvend i shpërbërë por Kuvend me mandat të skaduar, çka i ka dhënë edhe një muaj afat për miratim”, deklaroi Salihu.

E, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës i mandatit të kaluar Fehmi Kupina, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për bartjen e mjeteve vetjake të kryeqytetit nga viti 2024 në vitin 2025 dhe votimin e buxhetit të vitit 2026.

Por, ajo është kontestuar gjerësisht, meqë ka përbërje të re Kuvendi Komunal, ndonëse ajo ende nuk e ka dhënë betimin.

Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, ka thënë se do të ishte e jashtëligjshme seanca e jashtëzakonshme.

“Institucionet pa legjitimitet të plotë dhe pa e ndjekur rendin logjik te gjërave nuk mund të marrin vendime që prodhojnë pasoja, detyrime financiare apo politike për institucionet pasardhëse. E për më keq, nuk ka asnjë sens logjik, e lëre më ligjor, që një legjislaturë që realisht e ka mbyllur mandatin e saj, të marrë vendime për një legjislaturë që e merr mandatin pas disa ditësh”, shkroi në Facebook, Cakolli.

Shkaku i vonesave në vendimmarrje nga kuvendet komunale, buxheti i Prishtinës, ai i Gjilanit dhe buxheti i Zubin-Potokut nuk janë përfshirë në buxhetin e Kosovës të 2025-s. Kjo nuk u bë as pas miratimit të tyre nëpër komuna, meqë thuajse gjatë gjithë vitit Kosova ka funksionuar pa Kuvend, shkaku i ngërçit politik të krijuar pas zgjedhjeve nacionale të shkurtit.