“Mjaft ka provuar Prishtina. Ka ardhur koha që të udhëhiqet prej dikujt që e do këtë qytet me zemër dhe që di si ta ndryshojë për të mirë, prej dikujt që s’është as mysafir, as kalimtar sepse siç e ka thënë Urani, ne nuk kemi qytet tjetër, nuk kanë qytet tjetër as fëmijët tanë dhe kjo është e vërteta të cilën dua që sonte ta merrni me vete – për Uranin Prishtina nuk është opsion rezervë”, ka thënë lideri i PDK-së, Memli Krasniqi
Prishtina duhet udhëhequr prej dikujt që s’është as mysafir e as kalimtar, ishte thirrja e kryetarit të Partisë Demokratike, Memli Krasniqi në tubimin hapës të këtij subjekti në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, të shtunën.
Në hapjen zyrtare të fushatës për kryeqytet, Krasniqi ka thënë se qytetet që udhëhiqen nga PDK-ja janë ato që për këto katër vjet, janë zhvilluar më së shumti.
“Mjaft ka provuar Prishtina. Ka ardhur koha që të udhëhiqet prej dikujt që e do këtë qytet me zemër dhe që di si ta ndryshojë për të mirë, prej dikujt që s’është as mysafir, as kalimtar sepse siç e ka thënë Urani, ne nuk kemi qytet tjetër, nuk kanë qytet tjetër as fëmijët tanë dhe kjo është e vërteta të cilën dua që sonte ta merrni me vete – për Uranin Prishtina nuk është opsion rezervë”, ka thënë Krasniqi.
Ai e ka kritikuar edhe pushtetin qendror që udhëhiqet nga Vetëvendosja, tek ka thënë se ai model qeverisës nuk i duhet kryeqytetit.
Në tubimin qendror të PDK-së, është prezantuar kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili dhe kandidatët për kuvendin komunal të kryeqytetit. Ismaili ka kërkuar votën e prishtinasve, e ka kritikuar kryetarin aktual.
“Në katër vitet e fundit e kemi parë që Prishtina është në kaos, për shkak të një kryetari që erdhi nga jashtë e tentonte që me shkop magjik, me rendera me premtime të mëdha për këtë qytet por na e degradoi Prishtinën e na e mbyti shpresën”, ka thënë ai. Ismaili ka premtuar që problemi me trafik në Prishtinë do të zgjidhet brenda 1 viti e gjysmë, pasi ai ta marrë “timonin” e kryeqytetit.
“Do ta zhbllokojmë trafikun brenda 18 muajsh, me hapjen e sheshit ‘Xhorxh Bush’ në javën e parë, do të lehtësojmë trafikun. Me pesë parkingje të mëdha në hyrjet kryesore të qytetit do të ndalim hovin e madh të veturave që na vijnë nga jashtë. Me 100 autobusë të rinj të transportit publik dhe me korsi të veçanta për autobusë, do të ketë qarkullim të autobusëve çdo shtatë minuta”, ka thënë ai.
Me homazhe, aktivitetet e fushatës të shtunën i ka nisur kandidati i kësaj partie për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri.
“Çdo hap i imi do të mbështetet mbi sakrificën e dëshmorëve të kombit, prandaj sot vendosa lule varrin e secili prej tyre, për të kujtuar që falë tyre, ne sot jetojmë të lirë dhe kemi shtetin. Ky është homazhi më i madh që mund t’i bëjmë. Të vazhdojmë punën me dinjitet, me ndershmëri dhe me dashuri për atdheun”, ka thënë Tahiri.
Tubimin hapës të fushatës e mbajti edhe Shukri Buja, kandidat i Partisë Demokratike për kryetar të Lipjanit. Ai kritikoi kryetarin aktual të komunës, tek ka premtuar zgjidhje për problemet si uji i pijshëm, ambienti e infrastruktura.
“Qytetarët tanë janë ngopur me 12 vjet qeverisje, me projekte pa vizion, më shumë në shërbim të votës elektorale e jo të qytetarëve”, ka thënë Buja.