“Kur shoqëria është patriarkale, ashtu si edhe institucionet, gratë gjenden të pafuqishme për të luftuar për të drejtat e tyre dhe përfundojnë të pafuqishme ekonomikisht, të përjashtuara nga tregu i punës”, ka thënë Krasniqi-Hajdari. Ka kritikuar institucionet për mungesë të veprimeve, që sipas saj lejojnë shkeljet e të drejtave të grave që burojnë nga Ligji i punës dhe nga ligjet e tjera që përkufizojnë barazinë gjinore si vlerë shoqërore
Paga e ulët, mungesa e qendrave të kujdesit ditor dhe obligimet e përkujdesjes, sipas Judita Krasniqi-Hajdari kanë ndikuar që rreth 78 për qind e grave në Kosovë të mos jenë pjesë aktive e tregut të punës.
Në një intervistë për KOHËN, Krasniqi-Hajdari, që është menaxhere e projekteve në organizatën “Demokracia për Zhvillim”, ka thënë se shifrat e joaktivitetit të grave janë tejet shqetësuese.
Sipas saj, ky trend ka vazhduar për rreth një dekadë dhe se nuk ka përmirësim të dukshëm.
“Ekziston një numër mjaft i vogël i kopshteve publike në Kosovë, kurse kopshtet private shpeshherë kanë çmime të papërballueshme. Sidomos për gratë në zona rurale, ku transporti nuk është i rregullt dhe mjaft i rrallë, ose nuk ka fare, puna me orar të plotë është teknikisht e pamundur”, ka thënë ajo.
Ka kritikuar institucionet për mungesë të veprimeve, duke lejuar shkeljet e të drejtave të grave që burojnë nga Ligji i punës dhe nga ligjet e tjera që përkufizojnë barazinë gjinore si vlerë shoqërore.
“Kur shoqëria është patriarkale dhe institucionet gjithashtu janë patriarkale, gratë gjenden të pafuqishme për të luftuar për të drejtat e tyre dhe përfundojnë të pafuqishme ekonomikisht, të përjashtuara nga tregu i punës”, ka thënë ajo.
Edhe mungesa e pjesëmarrjes së barabartë të prindërve në përkujdesjen e një fëmije të porsalindur, sipas saj, e vështirëson më tutje mundësinë që gratë t’i kthehen normalitetit më shpejt, por edhe ka ndikim në vazhdimin e mentalitetit se kujdesi për fëmijët është detyrë vetëm e grave.
KOHA: Sa janë të përfshira gratë në tregun e punës dhe si e vlerësoni ju këtë shifër?
Krasniqi-Hajdari: Përfshirja e grave në tregun e punës në Kosovë vazhdon të jetë tejet shqetësuese. Të dhënat tregojnë se vetëm 22,5 për qind e grave janë pjesë aktive e tregut të punës, prej tyre jo të gjitha janë të punësuara. Të dhënat e fundit tregojnë se vetëm 17 për qind e grave në Kosovë janë të punësuara, kurse rreth 78 për qind janë joaktive. Në këto rrethana, shifrat e joaktivitetit të grave janë tejet shqetësuese, sepse ky trend ka vazhduar sidomos për rreth një dekadë dhe përmirësimi nuk është aspak i dukshëm. Mjaft hulumtime tregojnë se një numër i madh i grave janë pjesë e ekonomisë joformale, punë të cilat ato i pranojnë për shkak të kushteve të vështira ekonomike, mirëpo të drejtat e tyre ligjore të punës nuk respektohen. Në këtë rast ato nuk kanë kontrata, nuk përfitojnë nga kontributet pensionale, nuk mund të gëzojnë pushimin e lehonisë, nuk mund të ankohen për shkelje të të drejtave nga punëdhënësi dhe mund te largohen nga puna pa asnjë obligim ligjor ndaj tyre.
KOHA: Cilat janë arsyet që ka numër të ulët të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës?
Krasniqi- Hajdari: Shifrat e ulëta të grave të punësuara janë tregues të problemeve shumëdimensionale në shoqërinë tonë. Paga e ulët: Gratë nuk mund të përballojnë shpenzimet e punës nga paga që ju ofrohet. Një numër i grave të cilat kanë 1 apo 2 fëmijë që kanë nevojë për përkujdesje, nuk mund të përballojnë shpenzimet e kopshteve, apo mund të ndodhë që këto qendra të kujdesit ditor të jenë në distancë mjaft të largët dhe të papërballueshme financiarisht. Mungesa e qendrave të kujdesit ditor: ekziston një numër mjaft i vogël i kopshteve publike në Kosovë, kurse kopshtet private shpeshherë kanë çmime të papërballueshme. Sidomos për gratë në zona rurale, ku transporti nuk është i rregullt dhe mjaft i rrallë, ose nuk ka fare. Puna me orar të plotë është teknikisht e pamundur. Obligimet e përkujdesjes apo puna e papaguar – janë ato që ua pamundësojnë grave të gjejnë punë. Kjo si rezultat i stereotipave tradicionalë që gruan e konsiderojnë si mirëmbajtëse të shtëpisë dhe se është detyrë e saj për t’u kujdesur për pastrimin e shtëpisë, fëmijët dhe të moshuarit, obligime këto që ndërlidhen me gjininë. Sipas ASK-së, 20 për qind e grave që punojnë me orar të pjesshëm e bëjnë për arsye familjare ose personale në krahasim me rreth 6 për qind të burrave.
KOHA: Çka i stopon gratë që të luftojnë për të drejtat e tyre?
Krasniqi- Hajdari: Si rezultat i një numri të madh të pengesave që janë tipike gjinore, duke u kombinuar me mungesën e veprimeve institucionale për të përmirësuar këtë gjendje, si p.sh., mosfunksionimi i mjaftueshëm i Inspektoratit të Punës për rastet që ndërlidhen konkretisht me shkelje të të drejtave të grave që burojnë nga Ligji i punës dhe nga ligjet e tjera që e përkufizojnë barazinë gjinore si vlerë shoqërore dhe ligjore. Situata fatkeqësisht vazhdon të përkeqësohet. Në anën tjetër, kur shoqëria është patriarkale, ashtu si edhe institucionet, gratë gjenden të pafuqishme për të luftuar për të drejtat e tyre dhe përfundojnë të pafuqishme ekonomikisht, të përjashtuara nga tregu i punës. Një shumicë dërrmuese e grave në Kosovë punojnë, por fatkeqësisht punë të papaguar. Prandaj, vetëm 17 për qind e grave janë të punësuara për të përfituar nga puna e tyre sipas ligjit dhe për të gëzuar benefitet që burojnë nga ligji.
KOHA: Sa punojnë gratë kosovare dhe në cilët sektorë ka më shumë koncentrim?
Krasniqi- Hajdari: Gratë kryesisht janë të koncentruara në 3 sektorë: rreth 20 për qind janë të punësuara në sektorin e arsimit (që është koncentrimi më i madh i grave të punësuara). Pasojnë sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë dhe shëndetësia. Pothuajse në të gjithë këta sektorë dallimi gjinor është i dukshëm (vetëm 5,9 për qind të burrave punojnë në arsim, kurse vetëm 3,9 për qind në sektorin e shëndetësisë. Mirëpo në anën tjetër, nëse shohim se sa kryesojnë gratë në këta sektorë (sipas të dhënave nga prishtinaonline.com) nga 43 shkolla në Komunën e Prishtinës, vetëm rreth 30 për qind e drejtorëve të shkollave janë gra. Sipas ASK-së, vetëm 6,8 për qind e grave mbajnë pozitë të menaxhereve, kurse 33,5 për qind e tyre janë të punësuara si profesioniste.
KOHA: Si e shihni ndarjen në profesione në Kosovë?
Krasniqi- Hajdari: Profesionet në Kosovë janë të ndara në bazë të gjinisë. Këtë e vërtetojnë të dhënat më lart. Tregu i punës gjithashtu vuan nga profesionet e konsideruara tradicionale të grave dhe të burrave. Prandaj edhe të dhënat tregojnë se gratë kryesisht koncentrohen në shëndetësi dhe arsim, kurse mungojnë në profesione të tjera të cilat nuk janë “të përshtatshme” për gratë sipas mentalitetit patriarkal. Në hulumtimin e D4D të realizuar në vitin 2020 gjatë kohës së pandemisë COVID-19, që përveç fatkeqësive të tjera zbuloi mentalitetin patriarkal dhe barrës që gratë bartin në kohë të krizave. Gratë e punësuara, përveç rrezikut shëndetësor, përjetuan barrën e kujdesit për shkollën e fëmijëve online, kopshtet e mbyllura dhe punën e shtuar në shtëpi. Sipas hulumtimit, 12,7 për qind e grave të intervistuara kanë kaluar 6-8 orë në ditë me punët e shtëpisë (pastrim, ushqim) kurse përqindja më e madhe (33.8 për qind) ka kaluar 2-4 orë, duke mos e llogaritur përkujdesjen për fëmijët dhe të moshuarit, si pjesë e punëve të shtëpisë. Vetëm në 28 për qind të rasteve burrat dhe gratë kanë ndarë përgjegjësitë e përkujdesjes.
KOHA: Kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit – a është barrë/pengesë për gratë dhe si mund të përmirësohet kjo situatë?
Krasniqi- Hajdari: Kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit nuk mund të trajtohet si barrë. Fëmijët nuk janë barrë e asnjë familjeje. Mirëpo kur “detyra” për kujdesin ndaj fëmijëve dhe të moshuarve u parashkruhet vetëm grave, sipas normave tradicionale, duke mos u dhënë atyre asnjë hapësirë për të qenë pjesë e jetës sociale e as publike, e as hapësirë për zhvillim, atëherë bëhet një lloj i barrës. Përgjegjësia e përkujdesjes nuk duhet t’u rëndohet vetëm grave përmes shantazheve tradicionale se vlera e një gruaje varet nga nënshtrimi dhe sakrifica e saj ndaj fëmijëve dhe të moshuarve, e madje edhe përkujdesjes për punët e shtëpisë.
KOHA: Si reflekton dhe si ndahen punët e shtëpisë në Kosovë, meqë ka mungesë të pushimit prindëror për baballarët?
Krasniqi-Hajdari: Mungesa e pjesëmarrjes së barabartë të prindërve në përkujdesjen e një fëmije të porsalindur e vështirëson edhe më tutje mundësinë që gratë t’i kthehen normalitetit më shpejt, por edhe ka ndikim në vazhdimin e mentalitetit se kujdesi për fëmijët është detyrë vetëm e grave. Kur kjo pengohet edhe nga ligjet dhe çështje të ndryshimeve të ligjeve zvarriten nga institucionet për dekada, tregon edhe qëndrimin e shtetit ndaj gruas dhe si duhet të funksionojë familja, celula e shoqërisë.
KOHA: Bazuar në hulumtime kush i merr vendimet më të mëdha brenda familjes dhe pse ndodh kjo?
Krasniqi-Hajdari: Vlera e burrave dhe e grave ne shoqëri ndahet nga familja. Rolet gjinore, fuqia vendimmarrëse, e madje edhe manipulimet morale mbi pushtetin e grave dhe burrave, fuqia e tyre emocionale për vendimmarrje dhe përkufizime të tjera patriarkale me të cilat vazhdon të ushqehet shoqëria në Kosovë, fillojnë nga familja. Nga koha kur burrat dhe gratë janë djem dhe vajza të vogla. Ky cikël i diskriminimit ka krijuar rreth vicioz për gratë. Prandaj fuqizimi ekonomik është një çelës kryesor për ndryshimin e kësaj paradigme. Mirëpo kjo ndodh atëherë kur shoqëria, institucionet shtetërore, dhe të gjithë akterët e tjerë në shoqëri të bashkëveprojnë për ndryshimin e kësaj gjendjeje, e cila nëse nuk ndryshon, do të vazhdojë të prodhojë viktima të dhunës në familje, të dhunës seksuale, mungesë të zhvillimit dhe diskriminim të skajshëm nga njëra gjini në tjetrën.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.