Arbëri

Krasniqi: E vështirë mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale në të njëjtën datë

Memli Krasniqi

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se është e vështirë që zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale në Kosovë të mbahen në të njëjtën datë. 

Ai tha se është e vështirë pasi ka disa afate Kushtetuese që duhet ndjekur, por shtoi se mund të mbahen më heret zgjedhjet e  përgjithshme të jashtëzakonshme.  

“Qëndrimi ynë si PDK, ju e dini ka qenë i ditur. Kemi shkuar edhe një hap tutje e kemi propozuar edhe datat e mundshme të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, por tashmë nuk është e mundshme. Unë nuk e shoh të mundshme që zgjedhjet të mbahen në të njëjtën datë, sepse afatet Kushtetuese janë kokëforta ne s`mundemi me e adaptu e as me interpretu Kushtetutën jashtë afateve. Po a  mundemi me mbajt zgjedhje të mëhershme para zgjedhjeve lokale, në kuptimin teorik e mundshme është . Kjo varet normalisht edhe nga vullneti i partive tjera politike, por ne si PDK jemi mundu gjatë gjithë kësaj kohe për me pas një rol konstruktiv i cili i jep rrugëdalje nga kjo krizë, nga ky moçal në të cilin na ka vendos Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Të gjitha opsionet janë të pranueshme nëse ato i japin drejtim një qeverie të re ku nuk është Albin Kurti”, tha Krasniqi.

Ai tha se "mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme brenda një procesi kushtetues edhe nëse nuk është zgjedhja e parë as e partive as e qytetarëve mund të bëhet e domosdoshme".

Krasniqi në një prononcim për media pas takimit konsultativ të partive me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se ai ka propozuar datat 12 tetor apo 19 tetor si data të mundshme për zgjedhjet lokale.

“Presidentja besoj se i ka marrë parasysh. S’ka shumë dallime te pjesa e datave sa në mesin e partive të mëdha e as atyre të minoriteteve. Pres në ditët në vijim të dekretohet data e zgjedhjeve”, tha Krasniqi. 

Ai ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti që mungoi në takimin konsultativ për zgjedhjet lokale të mbajtur sot.  

“Nga gjitha partitë e ftuara, vetëm kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje  e kryetari i Lista Sërpskas  munguan e bojkotuan këtë takim. Takim kaq i rëndësishëm që ndodh një herë në 4 vjet...Unë nuk po pretendoj që ata kanë bërë një marrëveshje por vertetë linte një shije të keqe kjo mungesë.”, tha Krasniqi. 

VIDEO:

Lexo përditësimet tjera
Osmani në takim me përfaqësuesit e partive politike

Osmani takon përfaqësuesit e partive për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale