Arbëri

KQZ-ja miraton buxhetin për zgjedhjet, fletëvotimet e diasporës do të dërgohen me postë

kqz

Foto: Driton Paçarada

Me gjashtë vota për është miratuar propozimi i PDK-së, LDK-së dhe AAK-së që në buxhetin e propozuar nga Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shtohet edhe shuma për realizimin e votimit nga jashtë përmes dërgimit të fletëvotimeve me postë. Buxheti për zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jetë 11.493.526 euro.

Kostoja fillestare e planifikuar dhe prezantuar në mbledhjen e KQZ-së ishte në vlerën 7.771.486 euro. Vlera përfundimtare e buxhetit të planifikuar përfshin edhe miratimin e amendamentit të propozuar gjatë mbledhjes që parasheh dërgimin e pakove me fletëvotime në adresë të votuesve, të cilët do të regjistrohen për të votuar përmes postës. Kostoja e përafërt për dërgimin e pakove me fletëvotime përmes shërbimit postar është në vlerën e 3.722.040 dhe është llogaritur për rreth 84.000 votues potencial.

Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi, ka thënë se anëtarët që kanë votuar pro këtij propozimi duhet t’i dinë pasojat, nëse mërgatës i mohohet votimi.

“Më 12 dhjetor fillon afati për votim, ju që keni votuar për, duhet ta dini për pasojat që keni me i pas edhe publikisht edhe administrativisht nëse ja mohoni mërgatës votimin”, ka thënë ai.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka kërkuar ndryshimin e afateve në mënyrë që t’i mundësohet më shumë afat diasporës për votim.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani në fillim të mbledhjes ka kërkuar që në buxhet të shtohen mjetet që votimi nga jashtë të realizohet ashtu siç është bërë më 12 tetor, pra kur fletëvotimet u janë dërguar votuesve me postë.

Edhe anëtari i AAK-së, Muharrem Nitaj ka kërkuar që në buxhet të përfshihet shuma për dërgimin e fletëvotimeve me postë.

Krasniqi i VV-së ka insistuar që të  vazhdohet me buxhetin ashtu siç është prezantuar në KQZ, duke shtuar se janë në limite të kohës.

Radoniqi ka deklaruar se dy institucione që e transportojnë postën kanë deklaruar me shkrim zyrtarisht që dërgesat mund të shkojnë nga data 7 janar.

“Dhe me këtë njohuri me insistu me vazhdu me i shpenzu gjithë ato para është absurde”, ka thënë ai.