Nëse as të martën nuk zgjidhet presidenti i ri, Kuvendi shpërndahet e zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Në KQZ kanë thënë se janë gati për organizim të tyre, por njohësit e procesit elektoral kanë theksuar se mund të përsëriten parregullsitë në numërim. Sociologët, ndërkaq, shprehën drojën se ciklet e shpeshta zgjedhore mund t’i dekurajojnë votuesit
Dy ditë para se Kuvendi të shpërndahet në rast se nuk zgjidhet presidenti, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se janë gati për organizimin e zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas afatit kushtetues do të duhej të mbaheshin më së voni më 7 qershor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se meqë në këtë vit nuk janë planifikuar zgjedhje, nuk është ndarë as buxhet për organizimin e tyre. Sipas tij, kostoja e përafërt do të jetë 10 milionë euro.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në rrethana të tilla, pra gjithmonë nëse do të kemi zgjedhje, KQZ-ja i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesë për mjetet që janë të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve. Ne nuk mund ta dimë aktualisht se sa mund të jetë kostoja e zgjedhjeve të mundshme, pasi aktualisht nuk kemi ndonjë planifikim. Një shumë e tillë duhet të miratohet nga KQZ-ja dhe kjo do të ndodhë vetëm në rast se do të kemi një proces zgjedhor”, ka thënë Elezi.
Në rast se zgjedhjet shpallen, ato do të ishin të pestat brenda 16 muajve.
Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka thënë se institucioni nuk ka pasur kohë të hartojë plane e procedura për t’i shmangur parregullsitë që përcollën procesin e fundit zgjedhor të 28 dhjetorit.
“Sfidojnë KQZ-në dhe Komisionet Komunale Zgjedhore për arsye se do të duhej që një proces elektoral të përgatitej më shpejt sesa në rrethana normale brenda mandatit katërvjeçar bie fjala. Duhet, në situata të tilla, në mënyrë të përshpejtuar të bëhen përgatitjet, të realizohen projektet, trajnimet e ndryshme. Pra me një fjalë të gjitha përgatitjet e duhura për një cikël zgjedhor i cili kërkon mesatarisht, të paktën, gjashtë muaj përgatitje”, është shprehur Baraliu.
Ndonëse dita e zgjedhjeve të 28 dhjetorit ka kaluar me pak parregullsi, procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë është shoqëruar me manipulime në shkallë të gjerë.
Sipas një raporti të Demokracisë në Veprim, rinumërimi gjeti se mbi 242 mijë vota u tjetërsuan gjatë numërimit fillestar. Kjo çoi në arrestimin e qindra komisionerëve.
Përtej aspektit organizativ, sociologu Genc Xërxa ka deklaruar se ciklet e shpeshta zgjedhore e dobësojnë besimin e qytetarëve në institucione dhe në demokraci.
“Këto mund të vijnë në shprehje shumë më shumë se zëri i qytetarëve apo grupeve të cilat presin, me të drejtë, nga ky sistem. Ashtu që shumë parti të ndryshme, ideologji të ndryshme mund të vijnë në shprehje, e të cilat në disa raste mund të jenë jodemokratike”, ka thënë Xërxa.
E marta është dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Deri tash, partitë politike nuk kanë gjetur konsensus rreth një emri që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit për president.