Çështja e buxhetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është bërë temë diskutimi mes anëtarëve të këtij institucioni.
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Ilir Gashi, ka thënë se asnjë procedurë nuk mund të hyjë në funksion nëse nuk ka buxhet.
“Dua të di ku është çështja e buxhetit se kjo ndërlidhet. Ne nuk mundemi me fut në funksion asnjë procedurë nëse nuk e ka buxheti. Deri ku ka shkuar çështja e miratimit të buxhetit, sepse pa buxhet nuk mundeni me hy në asnjë marrëdhënie operacionale”, ka thënë ai. “Ne kemi bërë një buxhet që ja kemi dërguar Qeverisë e që sipas neve është përgjegjëse kryesore në prolongimin e proceseve zgjedhore. Tash a me qëllim, a me prapavijë, apo jo, por ju z. Kryesues do të duhej të ju drejtoheni me një shkresë që me ju bë kërkesë”.
Shefi i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala ka thënë se anipse kanë kërkuar nga Ministria e Financave, nuk kanë pasur asnjë njoftim lidhur me buxhetin.
“Kemi kërkuar në MF, aktualisht nuk kemi asnjë njoftim në lidhje me të. Në momentin që marrim përgjigje ju njoftojmë... nuk kemi informata megjithëse kemi kontaktuar me ta. Nuk kemi diçka konkrete në lidhje me buxhetin që e ka miratuar KQZ-ja dhe që e ka dërguar në Ministri të Financave dhe Transfereve”, ka thënë ai.
Tutje anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka pyetur se si qëndron puna e shtypjes së fletëvotimeve dhe mundësia e dërgimit të tyre jashtë.
Buzhala i është përgjigjur se para datës 21 nuk mund t’i dërgojnë fletëvotimet.
“Ajo çka kemi kuptuar ne kontakt me operatorë ekonomik është që në kuadër të aktiviteteve... është që para datës 21 nuk mundemi me i dërgu fletëvotimet për votim nga jashtë. Përveç shtypjes duhet me u konsideru koha e transportit.. para datës 21 ne nuk mundemi me i nis fletëvotimet për regjistruesit për votim jashtë Kosovës”, ka thënë ai.
Alban Krasniqi i VV-së ka kërkuar të hiqet pika për shërbim të postës dhe të mos jetë pjesë e rekomandimeve të Sekretariatit dhe këto të mos votohen ndaras.
KQZ mori vendim për miratimin e rekomandimit të Sekretariatit të KQZ-së për zhvilimin e procedurave emergjente ekstreme për aktivitetet e prokurimit që lidhen me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Këto përfshijnë një sërë aktivitetesh të domosdoshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, si:
- shtypja e fletëvotimeve, borshurave dhe listave përfundimtare të votuesve;
- furnizim me material për votim jashtë Kosovës;
- shërbimet postare për organizimin e votimit ashtë Kosovës (dërgimi i pakove me fletëvotime, dërgimi i materialeve zgjedhore dhe kthimi i materialeve dhe dërgesave postare);
- pakot e trajnimit për zgjedhjet e parakohshme;
- doracakët e trajnimit;
- plani për informim dhe edukim të votuesve;
- transporti për materialin zgjedhor;
- format zgjedhore;
- kabinat e votimit;
- ngjyrat matrikulare;
- furnizim me vula;
- materialet administrative për pakot me fletëvotime;
- distinktiv për KKZ, trajnerët, KVV-të, stafin teknik, QNR, SKQZ dhe vëzhguesit e zgjedhjeve;
- lidhëset e sigurisë për kutitë e votimit;
- shërbimi i mirëmbajtjes dhe përkrahjes teknike, eksportimi
– ruajtja dhe fshirja e regjistrimeve të vendvotimeve: instalimi, konfigurimi, testimi i kamerave në QKN si dhe furnizimi i pajisjeve të rrjetit në QKN;
- transporti për stafin QNR / Depo;
- furnizim me sistemin e kamerave dhe kontrollin e qasjeve në QNR; dhe
- furnizim me materiale për votim jashtë Kosovës.