Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mbajtur sot një takim të jashtëzakonshëm, i cili sipas njoftimit është zhvilluar me dyer të mbyllura, ku ka diskutuar për vendimin e Gjykatës Supreme me të cilin vendimi për shkaktimin e u.d. të kryeprokurorit Besim Kelmendi, është shpallur i kundërligjshëm dhe arbitrar.
Me këtë rast, thuhet se kryesuesi Ardian Hajdaraj ka njoftuar anëtarët e KPK-së për pranimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.
“Ndërkaq, çështjet të cilat ndërlidhen me zbatimin e këtij aktgjykimi do të trajtohen në takimin e radhës”, thuhet në njoftim.
Gjykata Supreme e ka shpallur të kundërligjshëm e arbitrar vendimin e KPK-së për shkarkimin e u.d. të kryeprokurorit Besim Kelmendi.
Në aktgjykimin e publikuar të mërkurën, Supremja ndër të tjera ka konstatuar se KPK-ja nuk kishte kuorum prej gjashtë anëtarësh kur e nxori vendimin.
Për më tepër, sipas aktgjykimit, Këshilli është dashur të zhvillonte procedurë disiplinore dhe të hidhte në votim raportin që përpilohet në kuadër të kësaj procedure.
Shkarkimi i Kelmendit ndodhi një ditë pasi ai u intervistua si dëshmitar në Prokurorinë Speciale për hetimin e masakrës së Reçakut.
Ai i pati mohuar raportimet e mediave se ka qenë bashkëpunëtor profesional i gjyqtares serbe Danica Marinkoviq, që e kishte rastin e masakrës së Reçakut.
Jehoha Grantolli, anëtare e KPK-së, që e propozoi shkarkimin e tij, pati deklaruar se veprimet e Kelmendit e kanë prekur ndërgjegjen e një kombi të tërë.
Organizatat e shoqërisë civile dhe Zyra i BE-së në Kosovë e patën kritikuar shkarkimin e Kelmendit e edhe bllokimin e certifikimit të Elza Bajrami-Kastratit si anëtare e Këshillit Prokurorial.