Arbëri

Kosova importon më së shumti nga Gjermania, Turqia e Kina

Drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, ka bërë të ditur se Kosova importon kryesisht nga Gjermania, Turqia, Kina, Italia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, ndërsa eksportet drejtohen kryesisht drejt Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Ai shtoi se eksportohen kryesisht produkte të mobilieve, plastikës për ndërtimtari, si dhe ushqime të gatshme dhe pije.

“Importojmë më së shumti nga Gjermania, Turqia, Kina, Italia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria. Ndërsa eksportet tona prijnë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vendet e BE-së e kanë pjesën kryesore të eksportit. Eksportojmë produkte të mobilierisë, produkte të plastikës që kryesisht përdoren në ndërtimtari. Kemi pasur rritje të eksportit të ushqimeve të gatshme dhe pijeve”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Llugaliu paralajmëroi nevojën për punësime të reja në Doganë, duke theksuar se mosha mesatare e stafit ka arritur 51 vjeç dhe kapacitetet e ekspertizës rrezikojnë të humbasin pa rekrutime të ardhshme.

Ai raportoi se gjatë vitit 2025, Dogana ka mbledhur 1 miliard e 968 milionë euro të hyra, duke tejkaluar projeksionet fillestare dhe duke shënuar rritje prej 8% krahasuar me vitin paraprak. Po ashtu, në luftën kundër krimit dhe kontrabandës janë sekuestruar mallra në vlerë prej 18.6 milionë euro, mbi 1 milion euro më shumë se vitin e kaluar.

Llugaliu theksoi se nuk e shohin më pjesën veriore si problem të izoluar.

“Kontrabandë në nivel të ulët ka në të gjitha pjesët e vendit, mirëpo nuk është se veriu më operon si strehë e sigurt e kontrabandës apo formave të tjera të krimit”, ka shtuar ai.