Arbëri

Konsulli për të cilin ishte raportuar se u shkarkua, vazhdon punën

Konsulli i Përgjithshëm në Mynih të Gjermanisë për të cilin ishte raportuar të jetë shkarkuar majin e vitit të kaluar bashkë me 12 ambasadorët e emëruar me çelës politik, po vazhdon të ushtrojë detyrën. Ministria e Punëve të Jashtme, por as presidenca që dekreton vendimet për tërheqje të diplomatëve, nuk kanë ofruar sqarime përkitazi me emërimin që ishte bërë në kohën e ish-ministrit Behgjet Pacolli.

Ministria e Punëve të Jashtme nuk i ka shkuar deri në fund përcaktimit për kthimin e diplomatëve të emëruar në mënyrë të jashtëligjshme nga qeveritë e kaluara.

Me rastin e shkarkimit të 12 ambasadorëve me emër me çelës politik, majin e vitit të kaluar ishte raportuar se krahas tyre është edhe konsulli i Përgjithshëm në Munih, Afrim Nura.

Burime të KOHËS kanë thënë se Nura nuk është tërhequr nga misioni konsullor në Gjermani.

Kjo konfirmohet edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku ai vazhdon të figurojë si konsull i Përgjithshëm në qytetin gjerman.

Edhe faqja zyrtare e Konsullatës ka postuar fotografi nga aktivitetet dhe pritjet e organizuara nga Nura.

Në MPJ, e cila bën propozimin për tërheqje të diplomatëve, e as Presidencë, e cila nënshkruan dekretet, nuk kanë ofruar sqarime për këtë rast.

Nura ishte emëruar konsull i Përgjithshëm para tre vjetësh nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, pa qenë pjesë e shërbimit të jashtëm.

Nura nuk ka as shkollim të lartë. Në CV-në e tij shkruan se nuk ka mundur ta përfundojë Fakultetin e Mjekësisë, pasi gjatë viteve 1989-1991, fakulteti ishte mbyllur nga regjimi serb.

Pas marrjes së drejtimit të Ministrisë, Donika Gërvalla nisi procesin e shkarkimit konsujve të përgjithshëm.

Së fundi, shkarkoi konsullin e Përgjithshëm në Nju Jork, Frymëzim Isufaj dhe konsullin në Hamburg, Gramos Begolli.

Gërvalla në disa raste është zotuar se të gjithë ata që janë dërguar në ambasada dhe konsullata jashtë vendit në kundërshtim me ligjin, do të kthehen gradualisht në Prishtinë.

Procesin e emërimit të konsujve pa qenë pjesë e shërbimit e ka kundërshtuar në vazhdimësi Shoqata Sindikale brenda MPJ-së.