Mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca, ka thënë se viti 2025 do të mbahet mend si vit që shumica e tij humbi duke u përpjekur t’i bëjë institucionet, tek është prezantuar para deputetëve duke kërkuar votën për formimin e qeverisë që synon ta udhëheqë. Ai ka thënë se do të ishte arrogancë po që se Kosova shkon sërish në zgjedhje.
“Synojmë ta kursejmë Kosovën nga zgjedhje të tjera. Do të ishte arrogancë ta çojmë vendin në zgjedhje sërish. Nëse i mbajnë më dhjetor, kush na garanton që nuk shkojmë edhe në mars. Të mos harrojmë që ideja e domosdoshmërisë për mandatarin e dytë lindi pas dështimit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në veri të vendit janë luftuar me sukses strukturat e Serbisë të lidhura më krimin dhe kontrabandën. Konjufca tha se në planin ndërkombëtar gjatë këtij mandati u mundësua lëvizja pa viza dhe erdhën edhe tri njohje.
“Pa një qeveri të re, vendi ynë e ka sigurt thellimin e krizës aktuale”, ka deklaruar ai.
Konjufca ka thënë se tre hapa esencialë janë marrë nga VV-ja për shmangien e zgjedhjeve.
“Dy letra për koalicion drejtuar partisë së tretë, e dyta përpjekja në Kryesinë e Kuvendit dhe e treta është kjo e fundit ku ndodhemi tash”, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka thënë se po që se bëhet kryeministër çështje urgjente do t’i ketë buxhetin 2026, marrëveshjet financiare ndërkombëtare, pagat për RTK-në dhe miratimin e buxhetit për tri komuna.
Ai ka thënë se po kërkon “atë që dikur e ka bërë VV-ja”.
“Unë po kërkoj nga ju diçka që vetë e patëm bërë në vitin 2020. Të gjithëve na kujtohet se si VV-ja e pati votuar buxhetin e Avdullah Hotit në vitin 2020. Edhe ne mund të mos e kishim votuar atë buxhet, por nuk donim të shkaktonim krizë. Ne atëherë e ditëm që po të mos e votonim atë buxhet, Hotit do t’ia bënim një goditje simbolike, por goditjen më të madhe do ta kishin ushtarët, policët, mësuesit, administrata e pensionistët”, ka thënë ai.
Konjufca ka thënë se shteti nuk është skemë ku luajnë interesat.
Ai ka thënë se sot mund ta hapin një horizont të ri ku askush nuk humb asgjë.
“Sot ja vlen ta zgjedhim rrugën që duket ndoshta e komplikuar. Duhet të udhëheqim me guxim edhe në shtigje të pashkelura më herët. Qytetarët na duan neve që t’i zbatojmë detyrat që i kemi marrë. Rritja ekonomike vitin e ardhshëm do të jetë mbi 4 për qind të brutoproduktit vendor. Viti i ardhshëm do të jetë vit i investimeve kapitale, i mbështetjes së sektorit privat, dhe i projekteve të reja energjetike. Do të jetë vit i rritjes së pagës minimale, i fillimit të ndërtimit të sistemit informativ shëndetësorë për fondet e sigurimeve shëndetësore, me sundim të ligjit dhe rendit do të jemi në nivel. 2026 do të jetë viti i fillimi i transformimit të shëndetësisë publike”, ka thënë ai.